1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle në Rusi - Skepticizëm ndaj mbrojtjes antiraketore të NATO-s

2 Nëntor 2010

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle zhvilloi të hënën në Moskë bisedime me homologun e tij rus Lavrov. Krahas marrëdhënieve gjermano-ruse u fol edhe për mbrojtjen antiraketore të Nato-s dhe procesin ndaj Kordokovskit

https://p.dw.com/p/PwCI
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, me homologun e tij rus, Sergey LavrovFotografi: AP

Për të çuar përpara partneritetin strategjik mes Nato-s dhe Rusisë duhet të shfrytëzohet "dritarja e mundësisë". Me këto fjalë u shpreh ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle të hënën (1.11.) gjatë vizitës së tij në Moskë për një mbrojtje të përbashkët antiraketore. Kështu Westerwelle shtoi trysninë ndaj qeverisë ruse, tri javë para samitit të Nato-s. "Ne vetë kemi bërë punë bindëse brenda Nato-s, që të ketë një ftesë të qartë për Rusinë, për të bashkëpunuar në këtë program mbrojtës dhe kjo sigurisht është diçka, që diskutohet paraprakisht, por edhe në Lisbonë. Njoftimin e presidentit Medvdev, për të shkuar vetë në Lisbonë, unë e përshëndes pa asnjë kufizim. Ky është një sinjal i rëndësishëm." Por ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, u shpreh i rezervuar dhe kërkoi më shumë informacione rreth planeve.

Armiqësitë i përkasin së kaluarës

Lavrov theksoi se Moska i ndjek me shumë vëmendje planet për mbrojtjen antiraketore. Ai iu referua edhe vizitës së sekretarit të përgjithshëm të Nato-s, Anders Fogh Rasmussen, këtë javë. Nato dhe Rusia duhet të bien dakord në radhë të parë për përmasat e kërcënimit ndërkombëtar. Lavrov shprehu shpresën, se shtetet e Nato-s në samitin e tyre në Lisbonë, duhet të pozicionohen qartë për qëndrimin e ardhshëm ndaj Rusisë. Moska nuk e sheh Nato-n si armik.

Grafik Geplantes US-Raketenschild in Tschechien und Polen deutsch Raketenabwehrsystem
Plani amerikan për mbrojtjen antiraketore

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri gjerman Westerwelle. Sistemi i planifikuar i mbrojtjes antiraketore në të kaluarën pati çuar në një ftohje të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Nato-s. Veçanërisht plani i ish-presidentit të SHBA-së George W. Bush për stacionimin e mbrojtjes antiraketore në Poloni dhe Çeki shihej me zemërim nga qeveria ruse.

Fjalë të qarta lidhur me procesin ndaj Kordokovskit

Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman në Moskë nuk u zhvillua në harmoni të plotë. Westerwelle ngriti edhe temën delikate të shtetit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst ministri i Jashtëm gjerman kritikoi me nota të ashpra finalen në procesin e dytë kundër kundërshtarit të Kremlinit dhe ish-miliarderit të naftës Mihail Kodorkovski."Është në interesin rus që këto shqetësime të merren seriozisht", tha Westerwelle.

Russland Prozess gegen Chodorkowski
Kodorkovski është dënuar me tetë vjet burg në procesin e parëFotografi: AP

"Unë natyrisht e marr seriozisht deklaratën ruse për respektimin e pavarësisë së drejtësisë. Por nga ana tjetër në shoqërinë civile dhe në opinionin ndërkombëtar ka një shqetësim shumë serioz mbi rrethanat e këtij procesi. Këtë shqetësim serioz për rrethanat e procesit Kordokovski unë e shpreha edhe njëherë."

Lavrov nga ana e tij iu referua "pavarësisë së drejtësisë ruse. Padia dhe mbrojtja kanë paraqitur argumentet e tyre. "Gjykata do të vendosë", tha ministri i Jashtëm rus.

Ish-shefi i koncernit tashmë të shpërbërë Yukos kërcënohet nga një dënim i ri me shumë vjet burgim, me akuzën e përvetësimit të të ardhurave nga 218 milionë tonë naftë. Vendimi i dytë gjyqësor pritet në fund të dhjetorit. Mbrojtja e konsideron akuzën një inskenim, për të nxjerrë jashtë loje një nga kritikët më të ashpër të kryeministrit Vladimir Putin.

Westerwelle takon Lukashenkon

Westerwelle këtë të martë (2.11.)do të takohet edhe me presidentin e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko. Kjo është hera e parë pas 15 vjetësh që një ministër i Jashtëm gjerman takon kreun e shtetit bjellorus. Gjatë vizitës në Minsk Westerwelle do t'i bëjë thirrje Lukashenkos, i cili qeveris me një stil autoritar, të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në ish-republikën sovjetike në 19 dhjetor mbahen zgjedhjet parlamentare. Lukashenko, i cili nga lëvizjet për mbrojtjen e të drejtave humanitare cilësohet si "diktatori i fundit i Evropës", është prej 14 vjetësh në pushtet. Westerwelle do të shoqërohet në Minsk nga homologu polak Radoslav Sikorski.

Autor: Sabine Faber/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica