1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle: Ndihmë refugjatëve sirianë

AG/Bahri Cani3 Shtator 2012

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle ishte dy ditë (01.-02.9) për vizitë në Kuvajt. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen në Siri. Gjermania ndihmon me 22 milionë euro refugjatët sirianë.

https://p.dw.com/p/162UI
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido WesterwelleFotografi: DW

Pas vizitës në Kuvajt, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle shprehet me shqetësim për gjendjen në Siri. I ngarkuari i ri për Sirinë nuk duhet të matet me paraardhësin, theksoi ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, në një deklaratë për televizionin e parë gjerman ARD. Kjo edhe për faktin se Lakhdar Brahimi do të ketë mundësi më të kufizuara veprimi, se sa Kofi Annan. "Ne jemi të mendimit se Asadi ka shkelur të gjithë kufijtë e lejuar me dhunën e tij. Ndaj edhe duhet të largohet dhe të hapë rrugën për një fillim të ri. Ky është edhe apeli i opozitës. Nuk duhet të përqendrohemi vetëm tek largimi i Assadit dhe regjimit të tij, por edhe tek ndërtimi i vlerave si: demokracia, shteti juridik dhe pluralizmi fetar", theksoi Westerwelle.

Luftime në Alepo
Luftime në AlepoFotografi: dapd

Problemet e opozitës

Opozita e Sirisë është e ndarë dhe e përçarë. Westerwelle megjithatë sheh edhe momente pozitive. Si për shembull, 45 sirianët që jetojnë jashtë vendit dhe kanë bërë plane edhe për kohën pas Assadit. "Unë shoh shumë fuqi konstruktive dhe njerët të mençur tek opozita e Sirisë. Por natyrisht që jo të gjitha forcat opozitare e meritojnë të bashkëpunohet me to. Nuk është fjala vetëm për çlirimin e vendit nga Assadi dhe regjimi i tij. Siria ka nevojë për një fillim të ri demokratik, ku të respektohen edhe besimet e tjera. Këtë e them për shkak se shumë të krishterë në këtë vend janë të brengosur me gjendjen e tyre", theksoi Westerwelle. Opozitarët kanë paraqitur shumë ide për demokratizimin e Sirisë, pas largimit të Asadit. Por kanë kërkuar edhe armë.

Spekulimet për armë

"Duhet kuptuar se njerëzit janë të brengosur dhe kanë frikë për miqtë dhe familjet e tyre në Siri. I domosdoshëm është edhe vazhdimi i procesit të bashkimit të opozitës. Ne nuk duam të marrin pjesë në spekulimet për ndërhyrje ushtarake. Por duhet kuptuar që ne duam të evitojmë shtrirjen e konfliktit në rajon. Për fat të keq, rreziku nga shtrirja e konfliktit është shumë real. Kjo duhet të evitohet", pohon ministri i Jashtëm gjerman.

Westerwelle pranon se jo vetëm opozita por edhe bashkësia ndërkombëtare është e përçarë në çështjen e Sirisë. Gjermania mund t'u japë ndihmë refugjatëve sirianë, në radhë të parë në Jordani, ku deri tani janë vendosur 170.000 refugjatë, tha Westerwelle. Ai bëri të ditur se Gjermania po ndihmon me 22 milionë euro. "Ka dhe shumë njerëz, të cilët janë të zhvendosur brenda Sirisë. Edhe ata duhet të ndihmohen. Të lënduarit rëndë janë transportuar në Gjermani për kurim. Edhe në këtë drejtim do të bëhen përparime. Ne jemi të orientuar drejt respektimit të vlerave por as ndihmat humanitare nuk do të harrohen", nënvizoi ministri i Jashtëm Westerwelle, i cili të shtunën (08.09.2012) do të vizitojë edhe Jordaninë.