1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelleja dëshiron ta rivendosë konfliktin e Kosovës para syve të Evropës

12 Gusht 2011

Westerwelle: "Në çdo moment mund të rishkrepin shkëndija, nuk duhet ta nënvleftësojmë". Kosova do të luajë rol edhe në bisedimet e Merkelit në Beograd. Westerwelle në Kosovë jo si ndërmjetësues, por si paralajmërues.

https://p.dw.com/p/12FZe
Guido Westerwelle
Guido WesterwelleFotografi: picture alliance/dpa

Konflikti i Kosovës thuajse ishte harruar. Shkallëzimi i dhunshëm dy javë më parë duket se e ndryshoi këtë menjëherë. Westerwelle është ministri i parë i Jashtëm i BE-së që pas trazirave të dhunshme krijon një përfytyrim në vend për gjendjen në vend në Serbi dhe gjen fjalë të qarta.

Mure betoni të bëra shkrumb, kontenierë banimi të djegur plotësisht, mbeturina automjetesh: nga pika kufitare "Gate 1" në afërsi të Jarinjës kosovare nuk ka mbetur shumë gjëra. Një grumbull i armatosur rëndë prej 200 serbësh e ka sulmuar stacionin dy javë më parë me bomba dhe granata dore.

Një postë kontrolli u shty me një buldozer përposhtë shpatit. Madje pati për 10 minuta një shkëmbim zjarri me ushtarë polakë të forcës ndërkombëtare të paqes KFOR, të cilët ruanin pozicionet. Vetëm pas tri orësh u shua zjarri dhe e gjitha kaloi.

Të enjten pasdite, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ndodhet para gërmadhave dhe dëgjon komandantin gjerman të trupës ndërkombëtare të KFOR-it, Erhard Bühler si i paraqet ngjarjet. "Kjo është një shenjë tjetër që tregon sa e rrezikshme dhe e brishtë është situata", thotë ai më vonë para kamerave. "Shumë shpejt zjarri mund të kishte dalë jashtë kontrollit."

Shkak për trazirat është një grindje tregtare. Serbët nuk duan të njohin vulat doganore kosovare, sepse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Qeveria kosovare reagoi në korrik me një bllokadë tregtare dhe dërgoi forca speciale në veri, ku banojnë kryesisht serbë.

Një polic u vra në trazira. Tani aty ndodhen rreth 150 amerikanë dhe polakë që kontrollojnë "Portën 1". Pranë kësaj porte ushtarët e KFOR-it kontrollojnë një pikë tjetër të kalimit kufitar. Gjendja ndërkohë vërtet që është qetësuar, por sinjalin për kthimin në gjendje normale nuk ka ndërmend ta japë kërkush.

"Në çdo moment mund të shkrepin sërish shkëndija, këtë nuk duhet ta nënvleftësojmë", thotë Westerwelle. Ai është politikani i parë i nivelit të lartë të BE, që shkon në Kosovë që prej trazirave.

Ministri i Jashtëm nuk ka ardhur si ndërmjetës, por si paralajmërues. Për një mision ndërmjetësimi në udhëtimin e tij në Ballkan ai duhet të kish ndaluar edhe në Beograd dhe të kish folur edhe me kryetarët e komunave serbe. Në vend të kësaj, Westerwelleja dëshiron ta zhvendosë konfliktin e Kosovës thuajse të harruar sërish në këndvështrimin evropian.

Guido Westerwelle dhe Hashim Thaçi në Prishtinë
Guido Westerwelle dhe Hashim Thaçi në PrishtinëFotografi: DW

"Konflikte të tilla të dhunshme nuk duhet të ndodhin më në Evropën e shekullit të 21-të", thotë Westerwelle para vizitës së tij në rajonin kufitar, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi. Thaçi ndoshta do të dëshironte ta nënvizonte një fjali të tillë. Por vendimin për të dërguar pa u marrë vesh paraprakisht forca speciale në kufi, ai e mbron. Kjo është e nevojshme për të krijuar një "realitet të ri për shtetin juridik, thotë ai."

Por Westerwelle paralajmëron për rrezikun e hapave të njëanshëm. "Bashkëpunim në vend të konfrontimit, kjo është linja orientuese e Bashkimit Evropian", thotë ai.

BE vërtet arriti në mars që t'i sjellë palët e konfliktit në një tryezë negociatash. Por për shkak të grindjes së doganave dhe asaj tregtare, bisedimet kanë ngrirë. Në shtator ato do të rifillojnë.

Në të dyja vendet në krye të axhendës është afrimi me BE. Serbia vërtet që shpreson që ta marrë që këtë vit statusin e një kandidati për anëtarësim. Por pa një qetësim të konfliktit me Kosovën, kjo zor se do të jetë e mundur. Brenda më pak se dy javësh, qeveria e Beogradit do të ketë mysafirë të lartë nga Gjermania: kancelarja gjermane Angela Merkel ka njoftuar vizitën e saj. Konflikti i Kosovës do të luajë një rol edhe në bisedimet e saj në kryeqytetin serb.

Autor: dpa/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama