1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wezeman: "Ukraina ka boll armë"

Bernd Riegert12 Shkurt 2015

SHBA e Evropa debatojnë për furnizime me armë të Ukrainës. Shumë zhurmë për asgjë? Ukraina nuk ka nevojë për armë, por për një strategji më të mirë, mendon eksperti ushtarak Siemon Wezeman në intervistë me DW.

https://p.dw.com/p/1EZod
Siemon Wezeman SIPRI
Fotografi: SIPRI

Qeveria e Ukrainës ka disa muaj që kërkon nga SHBA dhe shtetet evropiane armë kundër kryengritësve separatistë, që sipas saj janë të pajisur me armë shumë moderne. Agjencia ""Armament Research Services" (ARES) në Australi dhe Instituti Kërkimor Suedez SIPRI kanë megjithatë dyshim për nevojën e dërgimit të armëve.

Deutsche Welle: Zoto Wezeman, ju bëni kërkime në Institutin e Stokholmit, ndër të tjera për armatimin e forcave të armatosura të Ukrainës. Cila nga palët është e pajisur më mirë sot: kryengritësit prorusë apo ushtria e rregullt e Ukrainës?

Siemon Wezeman: Ushtria e Ukrainës është e pajisur më mirë. Një ushtri e rregullt ka gjithmonë më shumë pajisje se kryengritësit. Ushtria ka forca ajrore, të cilat kryengritësit nuk i kanë. Ushtria ka shumë më tepër armë të rënda, të cilat kryengritësit nuk i kanë. Vërtet që numri i kryengritësve është i madh, por ata nuk janë kaq të fortë sa ushtria ukrainase.

Po thuhet që kryengritësit marrin armë ruse shumë moderne, të cilat janë më të mira se ato që ka ushtria ukrainase. A nuk është e saktë kjo?

Jo, kjo nuk është ajo që shikoj unë. Kryengritësit përdorin shumë pajisje ushtarake që i kanë plaçkitur. Një pjesë e këtyre pajisjeve vjen nga jashtë Ukrainës, por këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë arsenal shumë të përparuar. Arsenal modern, por jo supermodern. Dhe nuk janë armë që nuk i ka ushtria ukrainase.

Ukraina ka qenë një prodhuese dhe eksportuese e madhe armësh. Ekziston një industri e madhe armatimi, e cila ka furnizuar Rusinë dhe më parë Bashkimin Sovjetik. Pse nuk është e pajisur ushtria ukrainase më mirë se ç'është faktikisht? Me se ka të bëjë?

Ka dy probleme. Njëra janë paratë. Buxheti i mbrojtjes i Ukrainës nuk është shumë i madh, po të shohësh numrin e forcave të armatosura dhe të vendit. Modernizimi eci shumë, shumë ngadalë. Thuajse mungonin paratë për të blerë (armë të reja). Problemi i dytë: paratë e pakta që janë në dispozicion u përdorën kryesisht për të modernizuar sistemet e vjetra, të cilat qenë trashëguar nga Bashkimi Sovjetik.

Ukraina thuhet se ka kërkuar armë kundërtank. A ka nevojë Ukraina vërtet për armë të tilla për mendimin tuaj?

Jo, do të çuditesha po të ishte e vërtetë. Kryengritësit nuk përdorin shumë tanke. Tanket që kanë ata janë të të njëjtit tip si ata që përdor ushtria ukrainase. Ukraina ka shumë tanke, të cilat mund t'i luftojnë tanket e tjera. Besoj se Ukraina është më tepër e interesuar për aparate për të parë natën, për zbulim, për drona dhe për aparate fluturuese pa pilot.

Pse nuk është në gjendje ushtria ukrainase t'i mposhtë këta kryengritës? Ushtria është më e madhe se numri i kryengritësve. Ku qendron problemi?

Nuk jam shumë i sigurtë. Shpesh ke një ushtri të madhe dhe një grup relativisht të vogël kryengritësish, që lufton në tokën e vet dhe mbështetet pjesërisht nga popullata. Në këtë rast, zona e luftimeve ndodhet edhe në një kufi (me Rusinë), pas të cilit kryengritësit mund të tërhiqen, po të jetë e nevojshme, por të cilin ushtria ukrainase nuk mund ta shkelë. Çështja që shtrohet gjithmonë është si t'i luftosh kryengritësit, të cilët nuk kanë ndonjë organizim shumë të fortë. Nganjëherë nuk ka front të qartë. Kundërshtari bën një luftë guerile. Kundër kësaj të duhet shumë më tepër personel se kundër një ushtrie të rregullt. Ka një sërë problemesh.

Pra janë probleme që kanë të bëjnë me strategjinë?

Në thelb kemi të bëjmë pikërisht me këtë: si mund të luftosh kundër një trupe kryengritësish, e cila mund të shpërbëhet në çdo kohë, të formohet nga e para dhe të fshihet? Çfarë të bësh, kur ata fshihen në ndonjë qytet? A mund t'i sulmosh? Ata në çdo moment mund t'i lënë armët, të veshin rroba civile dhe askush nuk është në gjendje të dallojë nëse kemi të bëjmë këtu me luftëtarë apo jo. Tri ditë më vonë, të njëjtit njerëz të shfaqen si luftëtarë në uniforma. Kjo është taktika guerile, të cilën mund ta luftosh vetëm me vështirësi.