1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wolfgang Ischinger: Propozimet për ndarjen e Kosovës janë absolutisht të papranueshme

10 Gusht 2011

"Gjenerali Bühler ka luajtur një rol të madh në evitimin e konfliktet në Kosovë. Ndërsa propozimet e tij tregojnë se KFOR-i e sheh Kosovën si një tërësi territoriale", thotë Wolfgang Ischinger në intervistë për DW.

https://p.dw.com/p/12Dnw
Wolfgang Ischinger
Wofgang Ischinger, drejtor i Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe anëtar i ish-Trojkës në negociatat Prishtinë-Beograd.Fotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle: Zoti Ischinger, komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Bühler këto ditë nuk luajti vetëm rolin e garantit të sigurisë në Kosovë por edhe të ndërmjetësit të suksesshëm midis Prishtinës dhe Begradit. Mirëpo, serbët e Kosovës nuk e kanë miratuar propozimin e pranuar nga Prishtina dhe Beogradi dhe kriza vazhdon. Mendoni se shkallëzimi i konfliktit me të vërtetë është evituar?

Wofgang Ischinger: Shpresoj shumë. Fillimisht do të doja të shpreh mirënjohje dhe respekt të lartë për gjeneralin Bühler, të cilin e njoh edhe personalisht për një kohë të gjatë. Mendoj se ai si komandanti i KFOR-it ka luajtur një rol shumë të madh, sepse e ka kuptuar se në vend se të shikojë shkallëzimin e mundshëm, duhet propozuar një zgjidhje, të cilën më pas palët e kanë pranuar - të paktën parimisht. Unë jam i mendimit se nuk duhet të ketë ikje dhe se të dy palët duhet ta zbatojnë. Ne tani presim që edhe serbët e Kosovës të marrin masat e domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes.

Deutsche Welle: Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkan në përgjithësi? Mund të llogaritet edhe më tej me konflikte të vogla, apo ato i kemi lënë tani pas nesh?

Wofgang Ischinger: Ah shikoni, do të ishte shumë mirë sikur ky konflikt për çështje kufiri dhe tregtie mes Kosovës dhe Serbisë të mos kishte ndodhur fare. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me çështje të cilat është dashur të zgjidhen kaherë. Me rëndësi është që të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti përgjegjësit në Beograd, të kuptojnë se pa zgjidhjen e këtij konflikti, pa marrë parasyshë se si do të zgjidhet ai, dyert e Serbisë drejt Evropës nuk mund të hapen më shumë dhe nuk do të hapen. Shpresoj se Beogradi e ka kuptuar këtë në të gjitha nivelet dhe se edhe serbët e Kosovës e kanë të qartë një gjë të tillë.

Deutsche Welle: A kanë Serbia dhe Kosova ndonjë perspektivë për integrim në Bashkimin Evropian dhe cilat kushte duhet të plotësojnë në raporte mes vete? A duhet që Serbia ta njoh Kosovën para anëtarësimit në BE apo ka edhe ndonjë zgjidhje tjetër?

Wofgang Ischinger: Ne kurrë nuk kemi kërkuar që një zgjidhje specifike të jetë kushti i vetëm për pranim në BE. Ne kemi bërë propozime se si mund të zgjidhet ky problem edhe pa njohjen e menjëhershme të plotë mes dy vendeve. Kjo sepse e kemi pasur të qartë se këtu kemi të bëjmë me probleme politike dhe juridike nga të dy anët. Pra ne nuk kemi kërkuar ndonjë zgjidhje specifike. Por kërkesa ëshë shumë e qartë: duhet të krijohet një gjendje e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pa tendosje dhe probleme. Nuk është e mundur që një vend të bëhet anëtar i BE dhe, si të them, të importojë problemet e veta të pazgjidhura territoriale brenda BE-së. Kjo nuk do të ndodhë dhe nuk guxon të ndodhë. Mendoj se këtë e di shumë mirë edhe Beogradi. E di edhe presidenti Boris Tadiq, të cilin në veçanti e konsideroj si një udhëheqës të përgjegjshëm dhe modern. Shpresoj se edhe përgjegjësit tjerë në Beograd e kanë kuptuar këtë.

Deutsche Welle: Zoti Ischinger, natyrisht që Beogradi dhe Prishtina janë përgjegësit kryesor për gjendjen e sigurisë në këto dy vende. Megjithatë si e vlerësoni rolin e Bashkimit Evropian në këtë çështje? BE-ja nuk është unike ndaj Kosovës dhe Serbisë. Pesë vende nuk e kanë njohur ende Kosovën, ndërkohë që edhe ndaj Serbisë gjithnjë dëgjohen kërkesa të ndryshme...

Wofgang Ischinger: Bashkimi Evropian është në një gjendje të rëndë, sepse në Kosovë ka misionin më të madh që ka dërguar deri tani në ndonjë vend tjetër, EULEX-in. Në anën tjetër, kemi mungesën e unitetit rreth njohjes së Kosovës - 22 vende e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, ndërsa pesë ende nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë hap, që me siguri do të ishte e dëshirueshme. Prandaj theksoj edhe një herë, se me inicitivën e tij gjenerali Bühler dhe KFOR-i kanë dhënë një kontribut të madh dhe kanë evituar shkallëzimin e gjendjes në kufi. Ai meriton një falënderim të madh për këtë dhe kjo tregon se sa e rëndësishme është prezenca e KFOR-it në Kosovë. Ne do të kemi edhe për një kohë nevojë për këtë mision në Kosovë.

Deutsche Welle: Ju keni shumë fjalë falënderimesh për gjeneralin Bühler dhe KFOR-in, por kjo nuk vlenë edhe për EULEX-in, i cili nuk respektohet aq shumë nga palët, në veçanti nga Beogradi. Si e shihni ju rolin e EULEX-it?

Wofgang Ischinger: Mendoj se BE-ja është duke bërë më të mirën e mundshme në kushtet e tanishme për të plotësuar kushtet e misionit në Kosovë. Mendoj se është me rëndësi që udhëheqësit e BE-së të zhvillojnë bisedime me Prishtinën dhe Beogradin edhe personalisht. Prandaj përshëndes shumë vizitën e ministrit të Jashtëm Guido ëesterëelle në këtë rajon. Gjatë qëndrimit atje, ai do të vizitojë edhe Prishtinën. Mendoj se ky është një sinjal i rëndësishëm për të dy palët që të vazhdojnë procesin e dialogut dhe të kërkojnë zgjidhje. Një sinjal i rëndësishëm për shtetin e ri të Kosovës është edhe fakti që një ministër i Jashtëm i Gjermanisë në vjeshtë sërish do të vizitojë Prishtinën.

Deutsche Welle: Një sinjal është natyrisht edhe për Serbinë, të cilën me 22 gusht do ta vizitojë kancelarja Angela Merkel. Si ndëmjetës me përvojë, besoni se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradi ende ka shansa për sukses?

Wofgang Ischinger: Po ka shansa dhe duhet të ketë shansa. Nëse ai nuk vazhdohet dhe nëse nuk sjell rezultate në një kohë të caktuar, kjo do të kishte pasoja të mëdha negative për anëtarësimin e të dy shteteve në BE. Kjo do të jetë një problem i madh në veçanti për Serbinë, e cila dëshiron që këtë vit të bëjë edhe disa hapa të tjerë drejt afrimit me BE-në. Unë rikujtoj se ne në kuadër të misionit të Trojkës kemi bërë para tre vitesh propozime të ndryshme për zgjidhjen e problemit, pa njohjen e menjëhereshme të plotë mes shteteve. Zgjidhjet janë në tavolinë dhe nuk është vështirë të formulohen. Detyra e udhëheqësve në veçanti në Beograd, por edhe në Prishtinë, është që këto propozime me ndihmën e BE-së t'i realizojë.

Detusche Welle: Pa u futur në detaje dhe propozime të shumta, në veçanti më intereson mendimi Juaj për një propozim të cilin e kanë shtruar këto ditë disa politikanë të lartë në Serbi: ndarja e Kosovës. A është e mundur ndarja e Kosovës pa destabilizimin e vendeve tjera, për shembull Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Serbisë...?

Wofgang Ischinger: Unë mbeten në mendimet që kam prezantuar me vite të tëra: ndarja absolutisht nuk është kurfarë zgjidhje. Mendoj se edhe propozimi i gjeneralit Bühler tregon se KFOR-i e sheh Kosovën si një shtet dhe një territor unik të një shteti. Kompetencat e KFOR-it shtrihen në mbarë vendin - duke përfshirë edhe veriun dhe pjesën veriore të Mitrovicës. Mendoj se kështu edhe duhet të jetë. Idetë për ndarje duhet lënë në arkivë dhe duhet gjetur një kompromis për zgjidhje të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë. Një zgjidhje e tillë është e mundur dhe shumë pranë. Ajo do të ishte në interesin e të dy palëve dhe do të ndihmonte këto dy vende në rrugën drejt BE-së.

Intervistoi: Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi