1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wollfarth: Politizimi i punës së administratës zgjedhore nuk ndihmon

Arben Muka1 Shkurt 2013

Shefi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri komenton dinamikën e aktualitetit politik në Shqipëri, përgatitjet elektorale, retorikën e shtuar nacionaliste dhe procesin gjyqësor për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011.

https://p.dw.com/p/17WHh
Ambassador Eugen Wollfarth, the head of OSCE Presence in Albania, Author: OSCE Presence in Albania Place: Tirana / Albania
Albanien OSCE Eugen WollfarthFotografi: OSCE

DW: Z. Ambasador, cili është vlerësimi juaj për ecurinë e deritanishme të përgatitjeve që po bëhen për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit?

Wollfarth: "Unë e shoh si një proces përgatitjesh që filloi mirë për zgjedhjet e vitit 2013, bazuar në Kodin e ri Zgjedhor. Megjithatë, ky proces ka nevojë të vazhdueshme për vullnet të mirë politik. Zhvillim pozitiv ishte përfundimi i reformës zgjedhore nga Kuvendi i Shqipërisë në korrik 2012, njëmbëdhjetë muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve e mori detyrën në mes të muajit tetor dhe, që atëherë, ka qenë i ngarkuar me miratimin e akteve në kuadrin e përgatitjeve të zgjedhjeve, si për shembull, specifikimi i materialeve zgjedhore ose strategjia e trajnimit për komisionet zgjedhore. Një punë shumë e rëndësishme mbetet për t'u bërë më tej, por unë besoj se KQZ-ja e ka potencialin e plotë profesional për t'i përgatitur zgjedhjet në mënyrën dhe në kohën e duhur e t'i zhvillojë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, kemi parë edhe disa dallgë lidhur me çështjet teknike, me sa duket të futura nga jashtë KQZ-së, duke mos lejuar një lundrim më të qetë drejt një vendimmarrjeje në kohën e duhur. Do të doja të ritheksoja thirrjen time drejtuar të gjitha palëve për të dëshmuar vullnetin e nevojshëm të mirëpolitik për këto zgjedhje."

DW: Cili është dhe do të jetë angazhimi konkret i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për këto zgjedhje?

Wollfarth: "Prezenca e OSBE-së ofroi këshillim dhe ndihmoi në dhënien e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it për Kuvendin, gjatë procesit të reformës zgjedhore. Ndërkohë që ndjekim nga afër zhvillimet e lidhura me zgjedhjet, ne i kemi ofruar dhe do të vazhdojmë t'i ofrojmë asistencë KQZ-së, për të forcuar kapacitetet e saj profesionale dhe teknike për një performancë më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është pjesë e mandatit tonë. Gjithashtu, në javët që vijnë, Prezenca do të ndihmojë OSBE/ODIHR-in në përgatitjen e një misioni të suksesshëm dhe efikas të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Qeveria shqiptare ka dërguar një ftesë për këtë në vitin 2012. Nga ana e OSBE-së, përveç ODIHR-it presim edhe përfaqësues në nivel deputetësh aktivë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së."

DW: Ka një perceptim në media dhe në një pjesë të opinionit se situata politike paraelektorale është tejet e tensionuar. A ndani dhe ju këtë ndjesi, apo e shikoni gjithçka brenda frymës së konkurencës partiake?

Wollfarth: "Kjo nuk është diçka e re në Shqipëri. Një gjë e tillë ka qenë e dukshme gjatë gjithë muajve të fundit. Unë do të thosha se po shohim krijimin e një fushate zgjedhore konkurruese. Këtu nuk ka asgjë të pazakontë apo të papritur – unë e përmenda këtë që në raportin tim të fundit vjetor që mbajta para shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së në shtator 2012. Jo kujtdo i erdhi mirë ta dëgjonte, por nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për të vërtetuar se e kisha gabim. Ju lutem, kuptomëni drejt: është normale dhe e nevojshme të ketë konkurrencë politike. Megjithatë, secila palë duhet ta shpenzojë pjesën më të madhe të energjive për të prezantuar idetë e saj, për të tërhequr zgjedhësit duke u bazuar në përmbajtjen dhe programin e saj për legjislaturën e ardhshme. E prapëseprapë, ne jemi dëshmitarë të faktit se fokusi vihet mbi detaje teknike dhe se vëmendja e publikut shmanget nga nevojat e vendit. Këto nevoja unë i përshkruaj si ecje përpara në axhendën kombëtare të reformave, ecje përpara drejt integrimit evropian. Politizimi i punës së administratës zgjedhore nuk ndihmon aspak për arritjen e këtyre qëllimeve. Administrata zgjedhore, duke filluar nga KQZ-ja, është ngritur për të zbatuar legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të garantuar që zgjedhësit të kenë mundësi që të shprehin në mënyrë të lirë dhe të ndershme vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Ajo nuk është ngritur si një platformë spektakli politik për të zhvendosur vëmendjen."

DW: Nga tribunat politike ka së fundmi dhe shumë retorikë për të ngritur dhe trajtuar me mbështetësit në terren çështje të natyrës nacionaliste që arrijnë deri te rishikimi i marrëdhënieve me fqinjët. Si i komentoni ju z. ambasador këto zhvillime?

Wollfarth: "Shqipëria, gjatë pjesës më të madhe të dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ka luajtur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Retorika e kohëve të fundit e disa udhëheqësve politikë nuk është në përputhje me këtë traditë. Kjo shkon në dëm të një imazhi të përmirësuar të Shqipërisë, i cili nevojitet aq shumë për zhvillimin ekonomik e social dhe integrimin. Unë do t'i nxisja udhëheqësit politikë që të përqendrohen në axhendën e reformave. Së fundmi, ka pasur arritje të rëndësishme. Ka pasur hapa të përbashkët. Është ecur përpara. Kjo është konstruktive. Duhet të ketë më shumë sjellje të tillë konstruktive."


DW: Për dy vjetorin e 21 janarit 2011, ju në emër të prezencës së OSBE-së mbajtët një qëndrim publik me nota kritike për moszbardhjen ende të kesaj ngjarjeje tragjike, si pasojë e së cilës humbën jetën 4 vetë dhe shumë të tjerë mbetën të lënduar. Sipas pikëpamjes suaj, pse ka këtë performancë nga drejtësia për dosjen e 21 janarit?

Wollfarth: "Zbardhja e plotë e ngjarjeve të 21 Janarit 2011 meriton përpjekjet më të mëdha. Një drejtësi e mirë dhe funksionale duhet të marrë parasysh edhe afatet kohore. Dhënia e një gjykimi bindës dhe në kohën e duhur, si rrjedhojë e një procedure në përputhje të plotë me ligjin, është synimi që duhet arritur. Është e rëndësishme të shohësh që procedurat gjyqësore kanë kaluar së fundmi në një fazë më dinamike. Unë e mirëpres këtë."