1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wulff erklärt sich

4 Janar 2012

Për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, presidentit federal Christian Wulff i është dashur të përgjigjet në publik për akuzat kundër tij. Një ngjarje e veçantë në historinë e Republikës Federale.

https://p.dw.com/p/13eVh
Intervistë me presidentin gjerman Christian Wulff, 4 janar 2012
Intervistë me presidentin gjerman Christian Wulff, 4 janar 2012Fotografi: picture-alliance/dpa

Kam bërë gabime, por dorëheqja nuk shtrohet në pyetje, thotë presidenti federal gjerman Christian Wulff në një intervistë të dhënë të mërkurën në mbrëmje (4.1.2012) për televizionet publike ARD dhe ZDF. "Unë do të dëshiroja të bëja pas pesë vjetësh bilancin se kam qenë president i mirë dhe i suksesshëm." Ai nuk ka bërë asgjë të padrejtë, por nuk i ka bërë të gjitha si duhet. "Telefonimi i kryeredaktorit të gazetës Bild ishte një gabim i rëndë, për të cilin më vjen keq dhe kërkoj falje," thotë Wulff, në intervistën 20 minutëshe, në të cilin mbajti qëndrim mbrojtës dhe në pjesë të caktuara u duk edhe i penduar.

Presidenti gjerman ra nën breshërinë e kritikave, sepse është përpjekur që të pengojë raportimin për një kredi të diskutueshme private që ka marrë. Në kohën që ka qenë kryeministër i landit të Saksonisë së Poshtme, Wulff e ka financuar shtëpinë e tij me një kredi private të favorshme në nivelin e 500 mijë eurove, të cilën e ka marrë nga një sipërmarrëse e njohur. Lidhur më këtë çështje ai e ka informuar në mënyrë jo të plotë parlamentin e landit.

Kai Diekmann, kryeredaktor i gazetës Bild
Kai Diekmann, kryeredaktor i gazetës BildFotografi: dapd

Telefonatë kërcënuese tek gazeta Bild

Kur në muajin dhjetor Wulff mësoi se gazeta me ndikim Bild, kërkonte të publikonte historinë, ai i foli në sekretarinë telefonike kryeredaktorit Kai Diekmann. Në të presidenti federal fliste i indinjuar për hulumtimet e kredisë së tij duke e kërcënuar redaktorin përgjegjës me pasoja ligjore. Shkaku pse e ka bërë këtë ka qenë ndjenja e pafuqisë, shpjegon Wulff në intervistën televizive, e cila u transmetua në momentet më të shikuara të transmetimeve televizive. Ai e ka parë veten në ato momente si viktimë dhe ka dashur të marrë në mbrojtje miqtë.

Intervenimi tek kryeredaktori i gazetës Bild nuk është në përputhje me mënyrën se si e shikon ai postin e tij, pranoi Wulff, i cili ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e madhe të lirisë së shtypit në Gjermani. "Si president federal gjërat duhet të jenë nën kontroll në mënyrë të tillë që kjo të mos ndodhë. Megjithatë njeriu është njeri dhe bën gabime."

President në mbrojtje

Nga shprehjet e Wulff-it u bë e qartë se sa të ngacmuar e ka ndjerë ai veten nga hulumtimet mbi jetën e tij personale. "Në fund të fundit ekzistojnë edhe të drejtat personale, edhe të drejtat e njeriut kanë vlerë edhe për vetë presidentin, miqtë e tij dhe të afërmit", thotë Wulff. Ai nënvizon se kredia private është marrë me korrektësi, por pas blerjes së shtëpisë ai nuk ka dashur t'i thotë të gjitha faktet hapur. Nëse do të ndodhej edhe një herë në një situatë të tillë ai do të vepronte ndryshe.

Christian Wulff në një intervistë të dhënë të mërkurën në mbrëmje (4.1.2012) për televizionet publike ARD dhe ZDF
Christian Wulff në një intervistë të dhënë të mërkurën në mbrëmje (4.1.2012) për televizionet publike ARD dhe ZDFFotografi: picture-alliance/dpa

A është dëmtuar posti i tij?

Në Berlin janë rritur dyshimet nëse deri tani presidenti më i ri në moshë i Republikës Federale të Gjermanisë është i përshtatshëm për postin e tij. Shumë politikanë dhe qytetarë mendojnë se posti më i lartë i shtetit, i cili karakterizohet si asnjë tjetër nga respekti dhe dinjteti, është dëmtuar nga sjellja e Wulff-it. Edhe mbështjetja politike për të ka rënë ditët e fundit. Edhe politikanët nga partitë në pushtet preferojnë më mirë të heshin se sa të flasin publikisht për Wullf-in.

Autor: Nina Werkhäuser/ Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama