1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171111 Rechtsextremismus Wulff

17 Nëntor 2011

Presidenti Wulff do t'i ftojë të afërmit e të vrarëve prej neonazistëve në një bisedë. Në takimin në kështjellën Bellevue planifikohet të vijnë edhe përfaqësues të qeverisë e të parlamentit, bëri të ditur presidenca dje.

https://p.dw.com/p/13CHS
Christian Wulff gjatë fjalës me rastin e marrje së Çmimit Leo Baeck
Christian Wulff gjatë fjalës me rastin e marrje së Çmimit Leo BaeckFotografi: dapd

"Jam i tronditur dhe e ndaj indinjatën e njerëzve në vendin tonë", tha Wulff gjatë marrjes së Çmimit Leo Baeck të Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani të mërkurën në mbrëmje. "Të gjithëve ne duhet të na preokupojë shumë fakti që ditët e kaluara u bë e ditur, se për një periudhë të gjatë kohore janë kryer akte tronditëse dhune nga e djathta ekstreme, një mori vrasjesh qytetarësh të pafajshëm në vendin tonë. Njerëz mu në mesin tonë u bënë viktima të urrejtjes vrastare dhe të dhunës ekstremiste të djathtë. Jam shumë i tronditur preJ kësaj dhe ndaj indinjatën e njerëzve në Gjermani. Përkujtojmë të vdekurit dhe shpresoj që tani të marrim pjesë shumë më intensivisht në vuajtjen e të afërmve të tyre të shumtë.

Ende nuk e dimë se sa vetë gjithsej janë të prekur, mirëpo që tani lindin pyetje për të gjithë ne: A u është përgjigjur vendi ynë viktimave dhe të afërmve të tyre. A duhet të dyshonim ne për prapavijë ekstremiste të djathtë dhe a vëzhgohen mjaftueshëm protagonistët e qarqeve ekstremiste të djathta? Mos vallë ne vetë kemi ndjekur drejtimin e gabuar për shkak të paragjykimeve? Si mund të garantojmë që shteti të përmbushë funksionin e vet mbrojtës në të gjitha fushat shoqërore? Nuk lejohet të jemi të nemitur kundrejt të afërmve të viktimave.

Gjermania përfiton pikërisht prej kozmopolitizmit të saj. Këtë ne do ta zgjerojmë dhe do ta mbrojmë kundër të gjithë atyre që nxisin frikërat prej të huajve dhe prej së huajës. Prej të gjithëve nesh në Gjermani kërkohet të shmanget çdo sulm në mënyrë konsekuente. Në vendin tonë nevojitet një klimë e cila nuk lejon as njollosjet e përgjithshme. Këto janë terreni ushqyes për dhunën. "Askush nuk duhet diskriminuar dhe favorizuar për shkak të gjinisë, trungut, racës, gjuhës, atdheut dhe prejardhjes së tij, të besimit, të pikëpamjeve të tij fetare a politike. Askush nuk duhet diskriminuar për shkak të invaliditetit të tij." Ky është neni 3 paragrafi 3 i kushtetutës sonë dhe ai vlen për cilindo në vendin tonë dhe në të duhet të besojë gjithnjë cilido në vendin tonë."

Autor: Marcxel Fürstenau / Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi