1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150810 Ground Zero Moschee Obama

16 Gusht 2010

Plani për ndërtimin e një qendre islame pranë Ground Zero në Nju Jork ka ngjallur debate të zjarrta. Ndërtimi do të bëhet pikërisht aty, ku u rrëzuan kullat binjake më 11 shtator 2001 nga një sulm terrorrist.

https://p.dw.com/p/OoIx
Pamje nga Ground Zero në Manhaten, Nju Jork
Pamje nga Ground Zero në Manhaten, Nju JorkFotografi: AP

Plani për ndëritimin e një qendre të bashkësisë islame në afërsi të Ground Zero në Nju Jork ka ngjallur debate të zjarrta, sepse synohet që qendra të ndërtohet pikërisht në vendin, ku dy kullat binjake të World Trade Center u rrëzuan pas përplasjeve të dy avionëve më 11 shtator 2001 nga terroristët islamistë. Shumë amerikanë janë kundër këtyre planeve. Pas kritikave të ashpra publike në fundjavë presidenti i SHBA-së Barack Obama bëri të qartë pozicionin e tij për këtë projekt ndërtimi.

Obama: Myslimanët kanë të drejtë të ushtrojnë fenë e tyre

Presidenti i SHBA-së Barack Obama
Presidenti i SHBA-së Barack ObamaFotografi: AP

Për javë të tëra presidenti Obama qëndroi i distancuar ndaj debatit të flaktë lidhur me planin për ndërtimin e qendrës për bashkësinë islame në afërsi të Ground Zero. Duke folur gjatë një dreke që ai dha në shtëpinë e bardhë me rastin e festës së Ramazanit, Obama bëri të qartë: "Unë e kuptoj, që kjo çështje ngjall emocione. Ground Zero është tokë e shenjtë. Por si qytetar dhe si president unë besoj, se myslimanët sërish si kushdo tjetër në vend kanë të drejtë të ushtrojnë fenë e tyre. “

Kjo presupozon edhe të drejtën, për të ndërtuar në mes të Manhatenit një xhami, nëse respektohen të gjitha ligjet dhe detyrimet, shtoi Obama. Ky ka qenë vullneti i etërve amerikanë të themelimit: "Kjo është Amerika dhe zotimi ynë për lirinë e besimit duhet të jetë i patundur", shtoi Obama.

Kritikët: Në Ground Zero përpara nëntë vjetësh u thye zemra e Amerikës

Kantier ndërtimi në Ground Zero në Nju Jork, fotografuar më 15.07.2010
Kantier ndërtimi në Ground Zero në Nju Jork, fotografuar më 15.07.2010Fotografi: picture alliance / dpa

Kjo deklaratë hasi në kritikat e ashpra të përfaqësuesve të shoqatave të viktimave. Barack Obama e ka lënë Amerikën në baltë në vendin, ku përpara nëntë vjetësh u thye zemra e Amerikës, deklaroi Debra Burlingame, zëdhënësja e disa familjeve të viktimave. Edhe politikanët republikanë shprehën kritika të ashpra: "Kjo tregon sërish, që Obama nuk do t' ia dijë se çfarë duan njerëzit në Amerikë. Obama e ka humbur lidhjen me njerëzit dhe kjo është shumë e rrezikshme për një president", kritikon republikani Rick Santorum në intervistë për televizionin Fox News. Ajo që ai e mban të heshtur është, se amerikanët janë të ndarë lidhur me këtë çështje të diskutueshme. Ndonëse, sipas një anketimi të fundit, 64% e qytetarëve mendojnë, se ndërtimi i xhamisë në afërsi të Ground Zero është një gabim, në të njëjtin anketim 61% thonë, se ky grup ka absolutisht të drejtë që të ndërtojë një qendër islamike.

Autor: Sabine Müller / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi