1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zannieri: UNMIK-u nuk do të ndërmjetësojë, por do të mbështesë bisedimet e mundshme Prishtinë-Beograd

Bekim Shehu, Prishtinë25 Qershor 2008

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, tha në Prishtinë se UNMIK-u, nuk do të ndërmjetësojë, por do t´i mbështesë bisedimet e mundshme Prishtinë-Beograd, që do të fokusohen në zgjidhjen e çështjeve në venbanimet serbe.

https://p.dw.com/p/EQja
Selia e UNMIK-ut në PrishtinëFotografi: picture-alliance/ dpa

Shefi i ri i UNMIK-ut, Zannieri, tha se ai së shpejti do të udhëtojë për në Beograd, për të dëgjuar qëndrimin e autoriteteve të atjeshme rreth bisedave Prishtinë Beograd që mund të zhvillohen në të ardhmën për çështjen e serbëve të Kosovës. Administrata e OKB-së në Kosovoë, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do të jetë më e koncentruar në vendbanimet serbe, sepse, serbët e Kosovës nuk e pranojnë misionin e BE-së EULEX dhe as kushtetutën e Kosovës dhe përë këtë shkak, UNMIK-u, do të jetë një urë lodhëse ndërmjet serbëve dhe institucioneve të Kosovës. Lambero Zannieri, është shef i UNMIK-ut. "Nuk e shoh vetën si një person që luan rolin e një propozuesi për cështjet që duhet të diskutohen, unë do të mbështesë bisedimet Prishtinë Beograd, mirëpo nuk do të jem ndërmjetësues. UNMIK-u do ta luaj rolin e tij në bazë të rezolutës 1244 të KS-it e cila akoma është në fuqi në Kosovë", tha Lamberto Zannieri.


Serbët e Kosovës kanë formuar kuvendet e tyre komunale si struktura paralele dhe në fund të javës ata do të formojnë edhe parlamentin serb në nivel të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kërkojnë nga UNMIK-u që të shuaj strukturat paralele serbe në Kosovë.


Janë disa fusha që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka autorizuar UNMIK-un, që në bashkëpunim edhe me qeverinë e Beogradit të gjenden zgjidhje. Është çështja e pjestarëve serb të SHPK-së, të cilët nuk pranojnë urdhërat e eprorëve të tyre shqiptarë, është çështja e doganave, vijat administrative të vendbanimeve serbe, gjyqësia dhe çështja e trashgimisë kulturore e fetare. Në të gjitha këto fusha serbët e Kosovës funksionojnë vetëm me direktivat e Beogradit, qasje kjo që nuk pranohet nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe misioni i ri i BE-së. Për këto çështje edhe Prishtina zyrtare ka pranuar që të bisedojë me autoritet e Beogradit, por vetëm brenda kornizave të pakos së Marti Ahtisarit. Sidoqoftë, akoma nuk ka një datë të saktë se kur Prishtina dhe Beogradi mund të fillojnë bisedat për të zgjidhur këto cështje. Analistët thonë se tash për tash nuk është lehtë që serbët e Kosovës të binden dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, sepse serbët kanë formuar kuvendet e tyre komunale si struktura paralele dhe në fund të javës ata do të formojnë edhe parlamentin serb në nivel të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, strukturat paralele serbe i kanë cilësuar jolegjitime dhe në këtë kuadër kanë kërkuar nga UNMIK-u, që të pamundësojë funskionimin e tyre në Kosovë.