1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zbardhja e historisë - 23 gushti në BE dita e kujtimit të viktimave të diktaturave

22 Gusht 2010

23 gushti qysh nga prilli 2009 është në BE dita e "kujtimit ndaj viktimave të të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare". Si jetojnë sot ish të përndjekurit? Dy raste në krahasim: një shqiptar dhe një gjerman.

https://p.dw.com/p/OtZP
Pikturë e padatuar që tregon interenimin e kryengritësve për në Siberi
Pikturë e padatuar që tregon interenimin e kryengritësve për në SiberiFotografi: Monmouth.

Manfred Wagner është pensionist dhe jeton sot në Rudolstad. Ai ka një hobi, zbardhjen e historisë së Gjermanisë Lindore (RDGJ). „ Për arsye sepse unë kam qenë vetë i burgosur politik. Kur kam qenë student unë jam burgosur dhe më vonë së bashku me familjen jam internuar.“

Manfred Wagner u dënua në RDGJ në vitin 1958 me 3,5 vjet burg për "nxitje të ideve që rrezikojnë shtetin“
Manfred Wagner u dënua në RDGJ në vitin 1958 me 3,5 vjet burg për "nxitje të ideve që rrezikojnë shtetin“Fotografi: Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED- Diktatur

Manfred Wagner u arrestua në vitin 1958 dhe u dënua me 3,5 vjet burgim për shkkak "të nxitjes së ideve që rrezikojnë shtetin“. Ai merrte pjesë në një grup studentësh që kishin ide antikomuniste. Grupi quhej „Eisenberger Kreis“. Në vitin 1961 ai doli nga burgu në kuadër të një amnestie. Së bashku me familjen u dëbuan nga shtëpia dhe u internuan.

Në Shqipëri, Fatbardh Doko drejton një firmë që e ka krijuar së bashku me të vëllanë. Firma Doko merret me paisje elektrike dhe materiale ndërtimi dhe është e sukseshme.

Fatbardh Doko, lindi në një kamp internimi, gjyshi i tij u ekzekutua në fund të vitit 1954 si antikomunist
Fatbardh Doko, lindi në një kamp internimi, gjyshi i tij u ekzekutua në fund të vitit 1954 si antikomunistFotografi: Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED-Diktatur

Fatbardh Doko, ka lindur në internim. I gjyshi i tij u ekzekutua në vitin 1954, si antikomunist, e ëma u dërgua në internim në Krujë. Në internim e ëma njohu të atin, i cili ndodhej prej vitesh atje. Ata u martuan dhe krijuan familje. Fëmija i parë, Fatbardhi lindi në vitin 1959. Djali shkonte në shkollë. Të internuar ata ndërronin vendet, në Gram të Fierit dhe më vonë në Dragot të Dumresë. Kur shkonte në shkollë duhet të ecte 2 km, më vonë edhe 7 km. Kur mbushi moshën 14 vjeç e detyruan të shkonte në punë me të rriturit për të hapur kanale. „Si armik i klasës“ nuk lejohej të shkonte në shkollë të mesme. Fshehurazi, herë me shkollë nate, herë duke ndenjur tek të afërm të familjes ai arrin me vështirësi të mbarojë shkollën e mesme. Sërish kthehet për të hapur kanalet në Dumre.

Manfred Wagner arriti t' i mbarojë studimet dhe u diplomua si matematicien. Deri në ndryshimin e sistemeve ai punoi për zhvillimin e softwareve në Kombinatin „Carl Zeiss Jena“.

Rehabilitimi i ish të përndjekurve

Manfred Wagner, 76 vjeçar nga Rudolsdtad vizitoi Shqipërinë për t' u njohur me të kaluarën e këtij vendi
Manfred Wagner, 76 vjeçar nga Rudolsdtad vizitoi Shqipërinë për t' u njohur me të kaluarën e këtij vendiFotografi: Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED-Diktatur

Manfred Wagner dhe Fatbardh Doko u takuan në maj të këtij viti, kur Manfredi vizitoi Shqipërinë së bashku me Fondacionin për zbardhjen e historisë së RDGJ-së. „Unë natyrisht jam i interesuar në zbardhjen e ngjarjeve politike në Gjermani por edhe në krahasimin me vendet e tjera,“ thotë 76 vjeçari.

Rehabilitimi juridik i ish të përndjekurve politikë u bë në Gjermani në fillim të viteve nëntëdhjetë. Kjo ndodhi edhe në Shqipëri. Në të dy vendet pasuan menjëherë dëmshpërblimet materiale.

„Në Shqipëri, shumë të përndjekur politikë nuk kanë mundur të marrin dëmshpërblimet. Me të drejtë autoritetet kërkojnë shumë dokumenta. Por të moshuarit dhe të sëmurët nuk janë në gjendje t`i mbledhin ato,“ thotë Doko.

Në Gjermani, qytetarët patën mundësi të shihnin dosjet e tyre duke filluar që nga janari i vitit 1992. Në të njëjtin vit në Shqipëri fondi i dosjeve të Sigurimit iu nda një pjesë ministrisë së Brendshme dhe një pjesë Shërbimit Informativ. Kjo u bë pa marrë mendimin e asnjë eksperti dosjesh ose arkivash. Siç u pa, në vitet 1990 dhe 1991 dokumenta të dosjeve janë grisur ose djegur. Ligji që do u lejonte qytetarëve të shihnin dosjet e tyre është ende duke u përpunuar.

Brezat e rinj duhet ta njohin të kaluarën

Si në Shqipëri ashtu edhe në Gjermani të përndjekurit politikë nuk dalin në publik. Në shoqatat e të përndjekurve angazhohen shumë më pak persona që kanë qenë të dënuar. Megjithatë thotë Manfred Wagner: „Kjo temë e ka arritur publikun në Gjermani. Janë shkruar shumë libra, janë bërë shumë filma.“

Fatbardh Doko sot drejton një firmë që e ka krijuar së bashku me të vëllanë
Fatbardh Doko sot drejton një firmë që e ka krijuar së bashku me të vëllanëFotografi: Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED-Diktatur

Në Shqipëri bëhen më shumë biseda televizive me këtë temë. „Të rinjtë nuk i ndjekin ato. Kjo temë duhet trajtuar më shumë në romane, teatro, filma në mënyrë që tema të arrijë edhe moshat e reja,“ thotë Fatbardh Doko. Ai ka dy djem, një 18 dhe një 14 vjeçar. Djemtë i dinë historitë e vuajtjes së të atit dhe familjes së tij. „Megjithatë unë përpiqem të tregoj kujdes që të mos i mërzis ata me historitë e mia.“

Djali i Fatbardhit vjen një ditë nga shkolla në shtëpi dhe tregon se kishte pasur debat me mësuesen. Ajo ishte përpjekur t' i bindte nxënësit se “në atë kohë ishte më mirë”.

Edhe Manfred Wagner e di këtë. „Shumë nga brezi që e kanë përjetuar atë kohë bien në nostalgji dhe nuk janë më në gjendje të dallojnë cilat janë problemet e tanishme dhe e harrojnë të kaluarën“.

Prandaj për Fatbardh Dokon është shumë e rëndësishme që krimet komuniste të dënohen. Pak kohë më parë në Shqipëri është krijuar një komision për zbardhjen e krimeve të komunizmit. Por Doko kërkon që shteti të merret më shumë në mënyrë që kjo punë të bëhet në formë të institucionalizuar. Sepse të përndjekurit politikë nuk kanë as forcën dhe as mundësinë që ta dokumentojnë krimin dhe ta dënojnë.

Shumica e popullsisë nuk ka dijeni për krimet e diktaturave

Në Shqipëri po ashtu si në Gjermani „Në pjesën më të madhe të popullsisë nuk dihen shumë histori krimi dhe vuajtjesh. Brezi i ri nuk i njeh fare. Ata që kanë lindur pas vitit 1990, nuk dinë shumë për të kaluarën,“ thotë Manfred Wagner.

Në të dy vendet ka forca që janë të interesuara që krimet e komunizmit të mos dalin në dritën e diellit. Prandaj Manfred Wagner shkruan për revistën „Gerbergasse 18“, një revistë që botohet nga shoqata „Punishte historie“. Në numrin e ardhshëm ai do të botojë një artikull për zbadhjen e krimeve komuniste në Shqipëri. Por sa më shumë që shkruan, aq më shumë pyetje i lindin gjatë rrugës për “Shqipërinë dhe të kaluarën e saj komuniste”.

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora