1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Geheimdokumente Afghanistan

26 Korrik 2010

Bërja publike e mbi 90.000 dokumenteve sekrete rreth luftës në Afganistan ka shkaktuar interesim të madh të opinionit. Dokumentat janë botuar në faqen e internetit Wikileaks, dhe tregojnë një gjendje alarmante sigurie.

https://p.dw.com/p/OUlP
Titulli i një artikulli në faqen e Wikileaks i parë përmes lupës
Titulli i një artikulli në faqen e Wikileaks i parë përmes lupësFotografi: picture alliance/dpa

Vetë numri i dokumenteve të botuara i shkakton kokëçarje të mëdha qeverisë amerikane. 91.731 raporte dhe të dhëna ushtarake janë bërë publike. Shumica vlerësohen si sekrete. Shumë prej tyre nuk janë të reja, por kurrë nuk janë botuar me kaq hollësi.

Realitet i pazbukuruar

Dokumentet e gjashtë viteve të kaluara të luftës, prej vitit 2004 - 2009, tregojnë gjendjen e vërtetë dhe të pazbukuruar të luftës. Shumicën e raporteve i kanë përpiluar ushtarakët në terren apo analistët e shërbimeve sekrete ushtarake. Ata dëshmojnë për sulme masive të talibanëve, për sulme të trupave aleate, të cilat nuk janë bërë publike kurrë, gjatë së cilave janë vrarë me qindra civilë, komandot që veprojnë kundër talibanëve dhe të dhënat e shërbimit sekret të Pakistanit.

Një afgan ngre duart lart përballë marinsave amerikanë në Marjah, 17 shkurt 2010
Një afgan ngre duart lart përballë marinsave amerikanë në Marjah, 17 shkurt 2010Fotografi: AP

Këto të dhëna dëshmojnë se avionët amerikanë pa pilotë, kaherë nuk po funksionojnë aq mirë sa ushtria amerikane, ndërkohë që talibanët kanë armë më moderne se kanë pranuar aleatët. Faqja e specializuar e internetit Wikileaks ka kumtuar se një pjesë të dokumentave tepër të rëndësishme nuk do t'i bëjë publike, sepse mund të rrezikojnë aksionet dhe trupat atje.

Trupat gjermane në Veri gjithnjë e më në rrezik

Revistat 'Der Spiegel', 'New York Times' dhe 'Guardian', pas hulutmimeve të shumta kanë ardhur në përfundim se dokumentet janë autentike. 'Der Spiegel' më së shumti i ka kushtuar vëmendje informatave që kanë të bëjnë me gjendjen në Veri të Afganistanit, ku janë të stacionuara njësitë e Bundesverit. Konkludimi është se lufta në Veri po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, se gjermanët e kanë nisur këtë mision me mendjelehtësi dhe se deri tani kanë arritur pak.

Bundesveri në Afganistan përballet gjithnjë e më shumë me luftime të drejtpërdrejta
Bundesveri në Afganistan përballet gjithnjë e më shumë me luftime të drejtpërdrejtaFotografi: AP

Për qeverinë amerikane këto të dhëna janë botuar në një moment të pavolitshëm, sepse në Kongres dhe tek popullata po shtohen dyshimet lidhur me strategjinë e presidentit Barack Obama në Afganistan. Reagimi nga Shtëpia e Bardhë ishte i shpejtë dhe i rreptë. Këshilltari për sigurinë i presidentit Obama, James Jones dënoi bërjen publike të dokumenteve, me shpjegimin se kjo rrezikon jetën e amerikanëve dhe partnerëve të tyre.

Shtëpia e Bardhë nën presion

Shtëpia e Bardhë rikujton se dokumentet e fundit vijnë nga fundi i vitit 2009 me shpjegimin se për shkak të gjendjes serioze, presidenti Obama në dhjetor të vitit 2009 ka paraqitur një strategji të re.

No Flash Südseite Weißes Haus Washington USA
Fotografi: picture-alliance / Ron Sachs - Pool via CNP

Kjo është një përpjekje e qartë që për kaosin në Afganistan të fajësohet administrata e ish-presidentit Xhorxh Bush. Shtëpia e Bardhë i ka dërguar edhe një letër speciale reporterëve ku thuhet se Wikileaks nuk është ndonjë burim objektiv, por një organizatë që kundërshton politikën amerikane në Afganistan.

Wikileaks e siguron gjithmonë vëmendjen e publikut

Faqja e internetit Wikileaks ka shkaktuar disa herë reagime të shumta me gjërat që ka publikuar. Në fillim të këtij viti Wikileaks ka bërë publike një video nga lufta në Irak, ku shihet si një helikopterr amerikan sulmon një grup civilësh. Në këtë incident vriten 12 vetë, ndër të cilët edhe dy bashkëpunëtorë të agjencisë së lajmeve Reuters.

Për punën e Wikileaks mund të dëgjohen shumë fjalë të mira por edhe kritika. Në këtë faqe shpesh botohen dokumente pa e analizuar sa duhet arsyen dhe kuptimin e publikimit. Autorët e kësaj faqe thonë se nuk e kanë idenë se kush ua ka dërguar të dhënat e pulikuara tani. Por edhe sikur ta dinin, nuk do të bënin publik burimin e informacioneve.

Autor: Sabine Müller/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi