1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhja e Iranit

Friederike Böge
20 Maj 2017

Iranianët vendosën për reformatorin, Rohani, që ndoqi kursin e nxjerrjes hap pas hapi të vendit nga izolimi ndërkombëtar. Ai fitoi me 57% të votave. Sa i hapur do të jetë tani Irani?

https://p.dw.com/p/2dGwe
Iran Präsident Rohani zu U.S. Luftschlägen gegen syrischen Luftwaffenstützpunkt
Fotografi: picture-alliance/AA/Iranian Presidency

Në mes të hollit të një hoteli elegant në Isfahan rri e varur një afishe me shprehje të mençura të udhëheqësit më të lartë fetar, Ajatollah Ali Chamenei. "Dhuratë mirëseardhjeje" shkruhet në anglisht mbi të. Më poshtë lexon fjali si kjo: "Një përzierje fatkeqe me një kulturë të importuar është e dëmshme dhe çon në dhunë, sepse kultura patologjike perëndimore u imponohet kombeve të tjera."

Si rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë rekomandohet "që të tregohet më shumë respekt ndaj botës islamike". Për të lexuar më tej jepet adresa e faqes në internet të udhëheqësit të revolucionit.

Nga një raport i shtensionuar me Perëndimin, Irani vazhdon të jetë shumë larg. Si do të zhvillohet raporti në vitet e ardhshme, kjo do të varet në mënyrë të konsiderueshme nga zgjedhjet presidenciale.

Mbajtësi aktual i detyrës, Hassan Rohani nuk kishte kaluar as dy muaj në post në vitin 2013, kur mori telefonin dhe i telefonoi Barack Obamas. Ishte biseda e parë direkte e një Presidenti iranian me një President të SHBA që prej vitit 1979. Dy vjet më vonë u nënshkrua marrëveshja atomike, e cila vinte bazat për një riafrim të kujdesshëm të Iranit me Perëndimin, fillimisht me Evropën. Që atëherë, një numër i madh delegacionesh ekonomike e kanë vizituar Teheranin. Por pjesa më e madhe e njerëzve nuk ka përfituar nga lulëzimi ekonomik i premtuar. Ky është shkaku se pse duhet të ketë frikë Rohani nëse do ta rizgjedhin.

Friederike Böge
Friederike BögeFotografi: F.A.Z./ Wolfgang Eilmes

Irani para një zgjedhjeje të drejtimit. Ai vendos nëse Rohani do të ketë mundësi ta vazhdojë kursin e tij që ta shkëpusë gradualisht vendin nga izolimi ndërkombëtar. (Rohani fitoi zgjedhjet kundrejt Raisit. shën.red)  Me sfiduesin e tij, Ebrahim Raisi do të triumfonin ato forca, të cilat e shohin me mosbesim të thellë Perëndimin dhe që në çdo hapje të vogël shohin një invazion kulturor. Në një kohë që Rohani kërkon investorë të huaj, Raisi vlet për "menaxhimin xhihadist" dhe për "ekonominë e rezistencës". Vërtet që edhe kandidati i përfaqësuesve të vijës së fortë ka dhënë siguri se nuk dëshiron ta prekë bombën atomike. Por që retorika e tij antiamerikane mund t'i shtojë tensionet me Uashingtonin. Raisi është i afërt me Gardat e Revolucionit, të cilat kanë si tendencë qëndrim kritik ndaj marrëveshjes, edhe sepse kontrollojnë pjesë të gjera të ekonomisë dhe druhen nga konkurrenca e huaj.

Por edhe në rastin e një rizgjedhjeje të Rohanit, një afrim me Perëndimin do të ndodhë vetëm në hapa të vegjël. Sepse Irani është krahas Rusisë aleati më i rëndësishëm i diktatorit të Sirisë, Bashar al Assad. Teherani do ta mbajë gjallë atë edhe më tej ushtarakisht, pavarësisht se cili kandidat fiton zgjedhjen. Gjithsesi, Presidenti ka në Iran vetëm ndikim të kufizuar në politikën e sigurisë, sepse atë e përcakton udhëheqësi i revolucionit, pushtetmbajtësi i mirëfilltë i vendit. Dhe ai nuk zgjidhet.