1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jean Claude Juncker - "makineri kompromisi"

Bernd Riegert/Lindita Arapi15 Korrik 2014

Nuk ka dyshime për zgjedhjen e Jean-Claude Junckerit si President të Komisionit Europian. Ai premton shumë, preokupohet me britanikët, që nuk e duan dhe ka një problem me mugesën e femrave në komision.

https://p.dw.com/p/1Cd1u
Jean-Claude Juncker
Fotografi: Imago

Presidenti i emëruar i Komisionit Europian është i njohur për formulimet e tij thumbuese dhe humorin. Padashur ai dha për këtë një shembull në intervistën e fundit me gazeten gjermane "Bild am Sonntag". Aty ankohet se shërbimet sekrete me sa duket i kanë shpëtuar kontrollit demokratik të qeverive të tyre. Reagimi i tij ndaj përgjimit të qytetarëve europiane: Por ai ka harruar se një vit më parë, vetë Juncker dha dorëheqjen si kryeministër i Luksemburgut, sepse ai nuk e kishte vetë në kontroll shërbimin sekret të nje vendi të vogël. Në zgjedhjet e parakohshme në tetor ai nuk u zgjodh kryeministër.

Premtim i hershëm i kancelares

Papritur Juncker mbeti pa post. Kështu momenti ishte i përshtatshëm, kur Merkel, kolegja e partisë simotër, disa ditë më vonë i propozoi kandidaturën kryesore për postin e presidentit të komisionit në zgjedhjet e ardhshme europiane. "Angela Merkel ma përmendi kandidaturën e kristdemokratëve më 7 nëntor. Që asokohe ajo jo vetëm e mbështeti këtë kandidaturë, por e ka çuar përpara me konsekuencë", tha Junkcer për Bild.

Kancelarja Merkel dhe kandidati Juncker
Kancelarja Merkel dhe kandidati JunckerFotografi: picture-alliance/AP Photo

Por publikisht Merkel ka folur për herë të parë për Junckerin si president të Komisionit Europian në fund të majit. Kur pa se kryeministri britanik David Cameron dhe kryeministri hungarez Viktor Orban do të ishin kundër Junckerit, ajo i dha mbështetjen e plotë.

Junckeri ka nevojë për më shumë femra

Momentalisht kandidati për president ka një problem me gratë, le të themi më mirë me numrin e grave, që janë emëruar nga vendet anëtare të BE-së si kandidate për komisionere. Deri më tani dihen vetëm dy kandidatura femrash. Por Parlamenti Europian kërkon së paku një të tretën e posteve në kupolën drejtuese të Komisionit.

Androulla Vassiliou, komisare e kulturës, i kërkoi Junckerit të emërojë së paku edhe dhjetë kandidatura për eurokomisionere. "Eurokomisioneret femra të Komisionit Europian janë të shqetësuara se komisioni i ri nuk do të ketë numrin e mjaftueshëm të grave drejtuese", tha Vassiliou.

Në ditët para votimit në Parlamentin Europian Jean Claude Juncker vizitoi të gjitha fraksionet për të paraqitur veten dhe programin e tij. "Dua të jem një makinë kompromisi", kishtë thënë Junckeri në fushatën zgjedhore. Ai do të krijojë një Europë më të mirë, do të kujdeset për më shumë vende pune, por edhe për çështjet sociale, u premtoi kandidati luksemburgas deputetëve.

Premtime për të gjithë

Pas prezantimit para socialistëve kryetari i fraksionit në parlament, italiani Gianni Pittella, u shpreh me nota pozitive për Jean-Claude Junckerin. "Në këto çështje ne presim një ndikim pozitiv nga Presidenti i Komisionit Europian".

Ndërsa fraksionit të kristiandemokratëve në Parlamentin Europian Juncker u premtoi me sa duket një kurs tjetër: Kreu i fraksionit konservator në Parlamentin Europian, Manfred Weber: "Për ne është e rëndësishme që ai bëri të qartë se nuk do të ndryshohen rregulloret e paktit të stabilitetit dhe rritjes ekonomike."

David Cameron und Jean-Claude Juncker
Juncker duhet të bindë edhe kryeministrin britanik CameronFotografi: picture-alliance/dpa

Britanikët dhe Jean-Claude Juncker

Por Juncker duhet të bindë edhe britanikët. Kryeministrit britanik David Cameron ai i premtoi më shumë vëmendje ndaj kërkesave britanike. Konservatori britanik, Syed Kamall, u shpreh pas takimit me Juncker: "Ai thotë se është i hapur për interesat britanikë. Po qe se vendet e tjera anëtare bien dakord me Britaninë e Madhe, atëherë ai do t'i mbështesë planet." Cameron e kritikoi Junckerin si "njeriun e gabuar të së djeshmes". Oferta për britanikët ishte marrja e një posti të rëndësishëm në komisionin e Junckerit.