1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parashikohet humbje e partive të mëdha

6 Maj 2012

Në vendin anëtar të BE-së, të mbytur në borxhe kanë filluar zgjedhjet parlamentare. Votimet mund të kthehen në marrje haku për kursin e kursimeve të qeverisë kalimtare.

https://p.dw.com/p/14qk4
Zgjedhje në Greqi
Zgjedhje në GreqiFotografi: Reuters

Dy milionë qytetarë do të vendosin deri në orën 18.00, sipas orës lokale, nëse vendi i mbytur në borxhe do e vazhdojë programin e diskutueshëm të kursimeve dhe nëse do të mbetet partner i besueshëm në ligën e vendeve të euros. Rezultatet e para paraprake priten në orën 19:30. Rezultati përfundimtar do të bëhet i ditur të hënën në mëngjes.

Parashikohet humbje e partive të mëdha

Forca më e madhe, sipas sondazheve do të bëhet partia konservatore Nea Dimokratia e ish ministrit të Jashtëm, Antonis Samaras. Megjithatë, ashtu si edhe partia socialiste Pasok, edhe Nea Demokratia do të pësojnë humbje të mëdha. Të dy partitë tradicionale, të cilat kanë pasur me radhë qeverisjen pas diktaturës ushtarake të 1974-ës, dhe që janë pjesë e qeverisë kalimtare të drejtuar nga eksperti i financave dhe ish zv.presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Lucas Papademos, do të marrin dënimin për politikën rigoroze të kursimeve, të vendosura ndaj Greqisë prej Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Fushatë zgjedhore, Greqi
Fushatë zgjedhore, GreqiFotografi: AP

Shumë zgjedhës janë të ngopur me nepotizmin në ekonomi dhe korrupsionin e dekadës së fundit, të cilat e çuan vendin në greminë.

Spektri i partiave do të fragmentohet

Në zgjedhje marrin pjesë 32 parti, prej të cilave dhjetë kanë shancë të futen në parlament. Aleancat ekstremiste të spektrit të djathtë dhe të majtë, kanë marrë përparësi. Ato kërkojnë dhënien fund të programit reformator, viktimë e të cilit janë kthyer miliona grekë, të cilët duhet të kursejnë miliona të tjera. Për herë të parë, pengesën prej tre përqindshit për tu futur në parlament mund ta kapërcejë partia neonaziste, Partia Chryssi Avgi (Agimi i artë). Shance do të kenë edhe partitë e vogla të majta, si përshembull Syriza radikale.

Mbetja në zonën e euros mund të vihet në pikëpyetje

Zgjedhjet e reja janë të parat që prej fillimit të krizës së rëndë ekonomike. Ato u bënë të nevojshme pas dorëheqjes së kryeministrit socialdemokrat Giorgios Papandreou, në fund të vitit 2011. Që nga ajo kohë, vendi është qeverisur nga Papademos, i cili ka qenë kryeministër i përkohshëm. Papademos krijoi qeverinë kalimtare nga Pasoku dhe Nea Dimokratia. Qeveria zhvilloi bisedimet për riformulimin e borxheve dhe siguroi një paketë të dytë ndihme për Greqinë.

Fushatë zgjedhore, Greqi
Fushatë zgjedhore, GreqiFotografi: Reuters

Për zhvillimin e bisedimeve me donatorët Greqisë i duhet një qeveri stabile. Në muajin qershor, parlamentit të ri do i duhet të marrë vendim për kursime të tjera në nivelin e 11,5 miliardë eurove. Ky është kusht i donatorëve evropianë për të vazhduar ndihmat ndaj Greqisë dhe mbetjen e vendit në zonën e euros.

Autor: (afp, reuters, dpa, dapd)/ Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj