1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje sipas standarteve evropiane

Bekim Shehu/aca18 Nëntor 2007

Vëzhguesit e Këshillit të Evropës që monitoruan zgjedhjet në Kosovë, thanë se procesi i zgjedhjeve u zhvillua në përputhje me standardet evropiane, por pjesmarrja ishte e ulët. Shqetësuese ishte bojkotimi nga serbët.

https://p.dw.com/p/CIeP
Qendra e votimit në Shkollën "Faik Konica", Prishtinë
Qendra e votimit në Shkollën "Faik Konica", PrishtinëFotografi: Zulfija Jakupi

Procesi i zgjedhjeve në Kosovë në vendbanimet e banuara nga shqiptarët ishte një proces i drejtë dhe demokratik. Kjo nuk mund të thuhet edhe për venbanimet serbe, ku zgjedhje nuk u zhvilluan pothuajse fare. Kjo, jo për fajin e organizatorëve të zgjedhjeve, por për shkak se pjestarët e komunitetit jo vetëm që iu binden urdhrave të Beogradit për bojkotim, por edhe penguan zhvillimin e procesit zgjedhor nëpër vendbanimet e tyre. Kështu vlerësuan vëzhguesit e Këshillit të Evropës, të cilët monitoruan nga afër procesin e zgjedhjeve. Vëzhguesit thanë se pjesëmarrja në zgjedhje ishte shumë e ulët dhe ky fakt për ta është shumë shqetësues.

Giovani di Stasi, është shefi i vëzhguesve të Këshillit të Evropës. “Ju mund të jeni apo jo dakort me mua, por ne mendojmë se tri gjëra kryesore duhen studiuar dhe kuptuar drejt. E para, zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me principet e Këshillit të Evropës dhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane për zgjedhje demokratike. Rezultatet duhet të pranohen nga të gjithë. Por, këto zgjedhje treguan qartë se ndarjet ndërmjet komuniteteve, në veçanti ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb janë shumë të mëdha dhe të mprehta.”

Vëzhguesit e Këshillit të Evropës, shqetësimin më të madh e patën për pjesëmarrjen shumë të vogël të serbëve në zgjedhje. Europarlametarja, Doris Pak, nuk mundi ta fshehë shqetësimin e saj: “Unë pash disa qëndra votimi në vendbanimet serbe, ku gjendja ka qenë vërtetë dëshpëruese. Por, për këtë nuk është faji i OSBE-së, por fajtor janë vetë udhëheqësit e serbëve të Kosovës, të cilët penguan qytetarët serbë që të votojnë, madje nuk lejuan që në shkolla të hapen qendrat e votimit.” Por ajo, nuk u ndal vetëm në mospjesmarrjen e serbëve në zgjedhje, por edhe në pjesmarrjen e ulët në përgjithësi në votime në nivel kombëtar. “Ne vërejtëm një pjesëmarrje të ulët në votime dhe po e pyesim vetem se pse pjesëmarrja ishte e ulët. Në konstatojmë se qytetarët e Kosovës janë të dëshpëruar me udhëheqësit e tyre politikë. Ne biseduam me njerëz kudo në Kosovë dhe pothuaj të gjithë na thanë se në Kosovë ka korrupsion, i cili mbështetet nga klanet politike. Kjo është vërtet shqetësuese”, thotë Doris Pak.

Vëzhguesit nga Evropa sidoqoftë, kërkuan nga partitë politike që t’i respektojnë rezultatet e zgjedhjeve. Ata u rekomanduan udhëheqësve kosovarë që të punojnë shumë në mënyrë, që Kosova të përqafojë vlerat evropiane nëse dëshiron që një ditë të jetë pjesë e Evropës.