1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Serbi

13 Mars 2012

Zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale në Serbi do të mbahen me 6 maj. Këtë e vendosën presidenti i Serbisë, Boris Tadiç dhe kryetarja e parlamentit Sllavica Gjukiq - Dejanoviç.

https://p.dw.com/p/14K8R
Zgjedhjet të reja parlamentare e lokale
Zgjedhjet të reja parlamentare e lokaleFotografi: picture-alliance/dpa

Pavarësisht nga kundërshtimet e bashkësisë ndërkombëtare, kryetarja e Parlamentit të Serbisë vendosi që zgjedhjet lokale pjesërisht të mbahen edhe në Kosovë. Sllavica Gjukiç - Dejanoviç bëri të ditur se zgjedhjet nuk do të mbahen në 17 komuna, ku "qeverive lokale nuk u ka skaduar mandati". Ajo tha se zgjedhje nuk do të ketë, ndër tjerash, në Prishtinë, Pejë, Leposaviç, Mitrovicë dhe Novo Bërd. Por Gjukiç - Dejanoviçi theksoi se në komunat e tjera të Kosovës zgjedhjet do të mbahen në përputhje me Rezolutën 1244. Ajo shpreson se qeveria e Serbisë do të bëjë përgatitjet e duhura së bashku me UNMIK-un për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë.   

"Ne e kemi për obligim të respektojmë Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Serbisë dhe pres që qeveria e Serbisë të përcaktojë një organ shtetëror, i cili do të merret me aktivitetet për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë", tha ajo. Gjukiç - Dejanoviçi u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet në kundërshtim me kërkesat ndërkombëtare

Një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare ishte pikërisht që zgjedhjet lokale serbe të mos mbahen në Kosovë. Ndërmjetësi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper ka deklaruar së fundi se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë do të vështirësonte afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian.

Më parë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç kishte shpallur zgjedhjet parlamentare, të cilat po ashtu do të mbahen me 6 maj. Ndërsa zgjedhjet krahinore në Vojvodinë i ka shpallur kryetari i Kuvendit të atjeshëm, Shandor Egereshi. Deri tani nuk dihet nëse në të njëjtën ditë do të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale.

Presidenti Boris Tadiç
Presidenti Boris TadiçFotografi: dapd

Tadiçi: zgjedhjet test demokratik 

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç theksoi se me vite dhe dekada të tëra ky vend po përpiqet të vendosë themelet e demokracisë. "Dikur kohërat kanë qenë shumë më të vështira, ndërsa sot duhet të mblidhemi të bashku rreth parimeve strategjike dhe interesave të popullit", tha ai.

Tadiçi nënvizoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një rast i mirë për Serbinë që të dëshmojë se është vend ku respektohen parimet demokratike, liria dhe mundësia e zgjedhjes së lirë. Ai shpreson se shumë shpejt pas zgjedhjeve do të krijohet edhe qeveria e re, e cila duhet të përballet me krizën dhe të marrë vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë.

Autor: Agjencitë e lajmeve/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi