1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian

4 Qershor 2009
https://p.dw.com/p/I3Eb
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në fundjavë, 375 milionë qytetarë të vendeve të BE-së me votën e tyre do të zgjedhin parlamentin e ri. Kjo temë gjen jehonë në shtypin gjerman të së enjtes.

Gazeta "Nordbayerischer Kurier" vëren:

"Kandidatët kryesorë të partive të mëdha për Parlamentin Evropian nuk i njeh askush. Përse ka mbetur Evropa politike kaq larg nesh? Ne nuk duam që Brukseli të na e heqë të drejtën e fjalës e në këtë drejtim BE-së i mungon shpesh herë sensibiliteti. Gjithashtu konstrukti kompleks i BE-së me Këshillin, Këshillin e Ministrave, Komisionin dhe Parlamentin është i hapur vetëm ndaj pak njerëzve. Të dielën, kur të shkojmë të votojmë, do të hasim nëpër lista shumë emra të huaj. Megjithatë Evropa, vendi i panjohur, ka nevojë për fytyra të njohura. Sepse vetëm në këtë mënyrë asaj do t' i drejtohen më shumë njerëz."

Gazeta "Die Zeit" komenton:

"Asnjëherë më parë ndonjë rend tjetër nuk i ka sjellë gati 500 milionë njerëzve mirëqënie dhe liri, asnjë aleancë tjetër mes shtetesh nuk ka pasur forcë kaq tërheqëse, sa të tjerët të kenë dëshiruar patjetër afrimin me të - madje edhe me çmimin e shkëputjes prej një pjese të sovranitetit kombëtar. Por Kina ose Rusia, që vendosin efikasitetin mbi demokracinë, do të bëhen lojtarë të rëndësishëm globalë dhe mund të konkurrojnë me BE-në, sepse ato mund të veprojnë më shpejt dhe pa i përfillur shumë gjëra. Një pjesëmarrje e madhe në këto zgjedhje do t' i jepte Evropës në kohën e duhur atë që këto shtete nuk e kanë dhe atë që synon BE-ja: legjitimitetin.

Autor: dpa/Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi