1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet parlamentare në Zelandën e Re

Bernd Musch-Borowska8 Nëntor 2008

Humbje për Partinë Laburiste qeverisëse

https://p.dw.com/p/Fpz9
Kryeministrja neozelandeze në largim Helen Klark - këtu duke festuar fitoren zgjedhore në shtator 2005.Fotografi: AP

Partia Laburiste që qeveris prej pothuajse nëntë vjetësh Zelandën e Re pësoi një humbje të qartë në zgjedhjet parlamentare të së shtunës. Pas numërimit të të gjitha votave partia e kryeministres Helen Klark mori afro 34 për qind, Partia Kombëtare arriti mbi 45 për qind.


Helen Klark, e cila është njëkohësisht kryetare e Partisë Laburiste, mori përsipër përgjegjësinë për rezultatin e dobët të laburistëve. Ajo kishte qenë për pothuajse nëntë vjet kryetare e qeverisë.


"Jam shumë krenare që jam kryetare e kësaj partie, në krye të së cilës kam drejtuar qeverinë në tre zgjedhjet e fundit, por sot nuk ishte dita jonë. Uroj Xhon Kin dhe Partinë Kombëtare për rezultatin e arritur. Në politikë ka suksese dhe humbje, në karrierën time politike të gjatë i kam përjetuar të dyja. Sot kanë rastin të festojnë fituesit, por ne nuk do të zhdukemi nga skena politike."


Që Helen Klarku nuk do t'ia dilte të formonte qeverinë në një legjislaturë të katërt, kjo ishte bërë e qartë që në sondazhet parazgjedhore. Sipas llogaritjeve të televizioneve neozelandeze Partia Kombëtare ka me partnerët e saj të koalicionit 64 nga 120 vendet në parlament. Laburistët bashkë me të gjelbërit kapin vetëm 53 mandate.


Kryetar i ri i qeverisë do të jetë kryetari i Partisë Kombëtare, Xhon Ki, i cili konsiderohet si pa përvojë politike. Bankieri kishte fituar një pasuri milionëshe jashtë vendit në vitet nëntëdhjetë si tregtar valute. Ai e filloi karrierën politike në vitin 2002 si deputet.


Kriza financiare ndërkombëtare dhe pasojat e saj mbi Zelandën e Re ishin në qendër të fushatës zgjedhore. Partia Laburiste bëri reklamë me përvojën e saj në qeverisje dhe vuri në qendër politikën e saj sociale dhe të mjedisit. Partia Kombëtare i kishte varur shpresat tek dëshira e neozelandezëve për ndryshim. Rreth 3 milionë neozelandezë ishin regjistruar si votues, një rekord ky për vendin e vogël me rreth 4,3 milionë banorë. Çdo shtetas mbi 18 vjet duhet të regjistrohet si zgjedhës, por pjesëmarrja në zgjedhje nuk është e detyrueshme.


Për të ndërtuar qeverinë Partisë Kombëtare i duhet ndihma e partnerëve më të vegjël në koalicion. Një mundësi është Partia e Maorive, indigjenëve të Zelandës së Re. Kryeministri i zgjedhur Xhon Ki ka deklaruar gatishmëri për bashkëpunim me maorit, megjithëse synimet e tyre politike janë në shumë pika në kundërthënie ndaj Partisë Kombëtare.