1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet - shpresë për një kapitull të ri për Maqedoninë

Тоni Glamcevski/ Esat Ahmeti25 Mars 2013

Në Maqedoni u zhvilluan zgjedhje të qeta lokale me shpresën për një të ardhme më të mirë pas tensioneve të fundit që tronditën vendin, shprehet raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Richard Howitt.

https://p.dw.com/p/183gC
Fotografi: Petr Stojanovski

Raportuesi për përparimin e Maqedonisë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti britanik Richard Howitt, ishte ndër të parët që reagoi për zgjedhjet lokale në Maqedoni. "Unë jam i kënaqur që monitoruesit e zgjedhjeve lokale në Maqedoni kanë raportuar se nuk ka pasur incidente serioze gjatë ditës së zgjedhjeve", ka komentuar Howitt në profilin e tij në rrjetin social Twitter, përmes të cilit ai komunikon zakonisht kur prezanton veprimtarinë e tij në Maqedoni.

Në Parlamentin Evropian dhe në përgjithësi në Bashkimin Evropian nuk ishte sekret që nga këto zgjedhje lokale pritej një sinjal pozitiv nga partitë politike maqedonase dhe liderët e tyre. D.m.th. ishte e nevojshme që procesi zgjedhor të zhvillohet në një mënyrë demokratike, në përputhje me normat dhe standardet evropiane. Përveç kësaj, eurodeputetët presin që situata e brendshme politike në vend duhet të zhvillohet mbi bazën e dialogut politik me përmbushjen e funksioneve demokratike të parlamentit dhe me një dialog normal demokratik mes qeverisë dhe opozitës.

Richard Howitt Europäisches Parlament
Eurodeputeti britanik, Richard HowittFotografi: MIA

Zgjedhjet kaluan pa incidente pavarësisht krizës politike që kalon vendi

Delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i cili vëzhgoi zgjedhjet, pritet që vlerësimet e tij fillestare t'i japë të hënën (25.03.) pasdite. Ndërkaq raporti i plotë do të paraqitet në seancën plenare të kongresit në tetor dhe në të do të përfshihen të gjitha aspektet e procesit zgjedhor. Domethënë si u zhvillua fushata, sjellja e mediave, përfaqësimi gjinor dhe kështu me radhë.

Sipas lajmeve të agjencive të publikuara në portalet frankofone në internet zgjedhjet lokale në Maqedoni kaluan pa incidente, kjo pavarësisht krizës politike që kalon vendi. Në raportet e tyre theks i veçantë është vënë mbi krizën politike mes mazhorancës së djathtë në pushtet dhe opozitës së majtë. Vëmendje të veçantë mediat franceze i kanë kushtuar edhe aleancave zgjedhore etnike në dy komunat e Strugës dhe Kërçovës, ku gara është zhviluar mes kandidatëve maqedonasë dhe shqiptarë.