1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit rrit sigurinë e vetë BE

Ani Ruci15 Nëntor 2015

Shqipëria - përqasje e re në aksionet e qeverisë dhe gjithë shoqërisë për të rritur sigurinë dhe ndaluar islamin radikal.Intervistë me Dr. Albert Rakipin, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare

https://p.dw.com/p/1H6t9
Albanien Albert Rakipi
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Z. Rakipi, çfarë ndikimi mund të kenë sulmet terroriste në Paris, të premten e kaluar, në politikat e zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor? Sipas mediave ndërkombëtare kallashnikovët që përdorën xhihadistet në terrorin e 13 nëntorit në Paris, kanë hyrë në Francë nga vende të Ballkanit Perëndimor. Franca ka mbyllur kufijtë, policia franceze ka pezulluar marrëveshjen Schengen.

Albert Rakipi: Është ende herët për të folur për efekte konkrete në politikën e zgjerimit të BE. Por pa dyshim sulmet terroriste në Paris do të kenë implikime serioze për çështje të rëndësishme që lidhen me BE-në, politikat themelore të tij , mes tyre edhe ato të zgjerimit. Debati politik , akademik dhe i aktorëve të shoqërisë europiane sot zotërohet nga çështjet e sigurisë. Sot është vështirë t'u shpjegosh shoqërive europiane dhe t'i bindësh ato se zgjerimi i BE-së, një nga politikat më të sukseseshme, jo vetëm ka qenë dhe mbetet forca shtytëse për modernizimin e shoqërive në Ballkanit Perëndimor, rindërtimit të shteteve dhe demokracive, por kontribuon edhe në rritjen e sigurisë së vetë Bashkimit Europian. Ndërkohë sulmet teroriste mund të venë në pikëpyetje Marëveshjen Schengen, një nga marëveshjet themelore të Bashkimit Europian, një arritje e shkëlqyer, jashtëzakonisht e dobishme. Nëse Shengen vihet në pikpyetje, nëse marrëveshjet e lëvizjes së lirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE kjo do të shënonte hapa prapa për BE dhe për përparimin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Fakti që njëri prej teroristëve arriti të depërtonte në Francë me refugjatët sirianë, që kaluan përmes Ballkanit, do të ndikojnë në debatin dhe vendimet, që BE do të marë për politikat e sigurisë të para në kontekstin aktual të refugjatëve nga Siria dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.

Çfarë mund të ndërmarrin qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me parandalimin dhe neutralizimin e radikalizmit fetar islamik në vendet përkatëse?

Sulmet terroriste në Paris duhet të inkurajojnë në Shqipëri dhe në çdo vend tjetër Ballkanik një ndryshim themelor në qasjen dhe aksionet që qeveritë, institucionet e tjera, shoqëritë kanë ndërmarrë ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar islamik. Vëmendje dhe alarmi duhet të përqëndrohet tek eliminimi i faktorëve që kanë mundësuar indoktrinimin dhe radikalizimin e të paktën njëqind shqiptarëve, që i janë bashkuar ushtrisë së xhihadistëve të IS. Është një luftë e re, e pangjashme me të gjitha luftrat e tjera. Përderisa jo vetëm Franca, por gjithë Europa është në luftë me IS edhe Shqqipëria është në luftë dhe duhet të japë kontributin e saj.

Së pari për sigurinë e vet kombëtare. Radikalizimi, indoktrinimi me idelologjinë e islamit ekstrem rrezikon sigurinë kombëtare të vendit dhe për sa kohë që fenomeni është i pranishëm në Shqipëri duhet nenutralizuar me një qasje të re dhe vendosmëri. Shqipëria është pjesë e Perëndimit dhe është nën agresion si i gjithë Perëndimi.

Z. Rakipi, ndërkohë pavarësisht nga ngjarjet dramatike në Paris, java e kaluar hoqi shpresat e qeverisë së Tiranës për hapjen brenda këtij viti të negociatave të pranimit me BE. Në raporti e Progresit të Komisionit Europian thuhet qartë që BE pret më shumë rezultate në zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e së drejtës së pronës etj. A reflekton raporti në mënyrë të saktë situatën në vend?

Mendoj që raporti është realist dhe pasqyron situatën aktuale në Shqipëri. Dëshiroj të veçoj sidomos situatën lidhur me shtetin ligjor, sundimin e ligjit, që është themeli për progresin e çdo vendi që aspiron të pranohet në BE. Raporti në fjalë është një fotografi e saktë, e paretushuar e gjendjes në Shqipëri lidhur me sundimin e ligjit dhe të qënit të barabartë të gjithë qytetarëve para ligjit. Janë bërë disa reforma të rëndësishmre lidhur me zbatimin e ligjit: formalizimi i ekonomisë, vendosja e sistemit të energjisë mbi baza ligjore. Partitë politike janë angazhuar për reformën në drejtësi. Ndërkohë qytetarët e Shqipërisë nuk po shohin të shkojnë para drejtësisë politikanë dhe zyrtarë të lartë, anëtarë të parlamentit që ose përfliten se janë të korruptuar ose çështjet gjyqësore mbyllen për arësye proceduariale dhe nuk bëhet drejtësi. Në Shqipëri nuk po sfidohet kultura e pandëshkueshmërisë. Kjo cënon rëndë përparimin e vendit dhe ecjen drejt vlerave europiane. Vendi nuk është gati për të hapur negociatat e anëtarësimit, kemi progress të qëndrueshëm por jo të mjaftueshëm që BE të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Nuk është vetëm kultura e pandëshkueshmërisë që ju thatë nuk po sfidohet, por edhe kultura e konfliktit që nuk po sfidohet, që nuk po lë të konsolidohet kultura e konsensusit,e kompromisit, vlera këto të BE. Kemi debate pafund për dekriminalizimin e parlamentit... Çfarë po ndodh?

Për fat të keq në Shqipëri mungon bashkëpunimi, konsensusi politik mes palëve për çështje themelore. Raporti i KE vlerëson si hap pozitiv kthimin e opozitës në Parlament, por ndërkohë ka ndodhur një process degradimi në përbërjen e Parlamentit. Nëse sjell ndërmend zgjedhjet e para pluraliste, ato të vitit 1991, më duhet të them që opozita e djathte e atëhershme shpresonte të fitonte zgjedhjet dhe kali isaj i betejës ishte edhe legjitimiteti i kandidatëve. Pra, nuk ishte fjala se sa të aftë ata ishin për të çuar përpara debatin në parlament, por përsëris ishte i rëndësishënm legjitimitetit i tyre. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të qershorit 2013, institucioni i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme u përdor për të hyrë në Parlament persona që nuk duhet të ishin në listat e kandidatëve për deputetë dhe as të uleshin në karriget e Parlamentit. Pa dekriminalizimin e Parlamentit nuk mund te hapen negociatat e anëtarësimit. Kjo është një ҁështje kryesore.

Cila është përqasja juaj lidhur me kohën e hapjes së negociatave të pranimit mes Shqipërisë dhe BE?

BE duhet të hapë sa më shpejt që të jetë e mundur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, nisur edhe nga konteksti i ri që hapën aktet terroriste në Paris, nisur nga ҁështjet e sigurisë. Moshapja e tyre mund të jetë jo vetëm e dëmshme por edhe e rrezikshme. Hapja e negociatave do të ketë ndikim pozitiv tek faktorët në Shqipëri që të ecin në rrugën e duhur. Natyrisht që kryerja e reformës në drejtësi dhe dekriminalizimi i Parlamentit duhen realizuar pa humbur kohë. Reforma në drejtësi do të jetë një investim i jashtëzakonshem për sundimin e ligjit në Shqipëri, vërtet ka mosmarrveshje por palët janë angazhuar tanimë. Kjo reformë kërkon domosdoshmërisht të kryhet me konsensusin mes palëve, ajo do votat e opozitës së djathtë, nuk mund dhe nuk duhet të miratohet vetëm me votat e maxhorancës së majtë.