1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Zgjidhja e konfliktit duhet të vijë nga brenda."

3 Shkurt 2011

Intervistë eskluzive me drejtorin e Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” në Tiranë, Michael Weichert.

https://p.dw.com/p/10AKH
Michael Weichert, drejtor i Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” në TiranëFotografi: DW

DW: Si e vlerësoni situatën e ndezur politike, që është shoqëruar jo vetëm me deklarata dhe retorikë agresive, por dhe me pasoja, po të kemi parasysh demonstratën antiqeveritare të 21 janarit 2011?

Michael Weichert: Gjendja politike ka kohë që është e tensionuar. Ngjarjet në kuadër të demonstratës së 21 janarit me tre të vdekur e të plagosur dhe më pas me devijimet verbale, që i bënë palët, nuk është përfaqësuese për Shqipërinë, për zhvillimet demokratike dhe politike të vendit. Por ato treguan se prej kohësh tensionet politike kanë qënë si rezultat i veprimeve të dhunshme, që janë bërë më parë, qofshin këto dhe verbale. Në një kohë që për këtë situatë nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për të shmangur konfliktet e për të gjetur zgjidhjet.

DW: Ka shumë apele dhe deklarata të drejtëperdrejta nga ndërkombetarët për çtensionim të situatës, dhënie fund të deklaratave me gjuhë të ashpër dhe kthim tek dialogu. Por efekti, që shikohet tek politika shqiptare duket, të paktën deri më tani, në nivel minimal. Pse ndodh sipas jush kjo, zoti Weichert?

Albanien Friedrich-Ebert-Stiftung Tirana
Zyra e fondacionit Friedrich-Ebert në TiranëFotografi: DW

Michael Weichert: Këtë apel ne po e dëgjojmë prej më shumë se një vit e gjysëm. Apeli tregon një ndikim të ulët dhe të krijon përshtypjen, sikur do të ishte faktori ndërkombëtar, që do të mund të sillte zgjidhjen. Por mendoj se zgjidhja e konfliktit duhet të vijë nga brenda. Duhet të vijë nga vetë institucionet dhe forcat politike të Shqipërisë. Për mua është krejt e qartë se qeveria në rradhë të parë është përgjegjëse për situatën politike. Disa herë u krijua përshtypja se u gjet kompromisi. Por fatkeqësisht shpesh qeveria, e cila ruan një pozicion të ashpër, e ka shtyrë gjetjen e kompromisit.

DW: Në një vend si Shqipëria, ku sistemi i drejtësisë cilësohet si problematik, mendoni se do të ketë hetim dhe gjykim të drejtë për atë, që ndodhi më 21 janar 2011?

Michael Weichert: Në klimën aktuale kjo nuk mund të pritet. Një komision hetimor parlamentar nuk mund të marrë përsipër detyrën e institucioneve të pavarura shtetërore. Pa pjesëmarrjen e opozitës kjo iniciativë duket si një process nga kohët e shkuara.

DW: Sa dhe si ndikon kjo situatë e tensionuar në imazhin e vendit, kur dihet objektivi kryesor për integrimin në BE? Mendoni se me këtë atmosferë do të shtyhet marrja e statusit të vendit kandidat?

Michael Weichert: Unë besoj se imazhi i vendit ka kohë që nuk ka qënë i mirë dhe që ka çuar në përgjigje negative të BE-së. Sistemi politik, elitat politike të një vendi -që kërkon të bëhet anëtar i BE-së - duhet të jenë në gjëndje që të zgjidhin konfliktet e brendshme politike. Aq kohë sa ekziston dyshim, atëhere deh statusi i vendit kandidat nuk do të vijë.

Deutschland Parteien SPD Friedrich Ebert Stiftung Gebäude in Berlin
Ndërtesa e fondacionit Friedrich-Ebert në BerlinFotografi: picture-alliance/ ZB

DW: Shqipëria ka fiksuar një datë për zgjedhjet lokale më 8 maj. Kur kanë mbetur dhe afër 4 muaj nuk ka asnjë levizje të paktën për të ndrequr ato çështje ligjore e organizative, që kanë rekomanduar vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it qysh në mes të vitit 2009. Mendoni se zgjedhjet po shkojnë drejt dështimit dhe ku sërish do të përsëritet "sindromi" i kontestimit nga pala humbëse?

Michael Weichert: Duhet gjetur një konsensus minimal për rrugën e zgjidhjes së krizës së brendshme politike dhe kjo para zgjedhjeve të pushtetit vendor. Në të kundërt unë kam frikë se këto zgjedhje vendore nuk do të jenë një hap në drejtim të zgjidhjes së konfliktit, por ato do të ndikojnë në ashpërsimin e mëtejshëm të situatës.

DW: Mes opcioneve, që qarkullojnë sot si zgjidhje e situatës, është dhe varianti për të bërë në një moment të njëkohshëm edhe zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme. Si e shikoni ju këtë opcion, zoti Weichert?

Michael Weichert: Nëse nuk do të arrihet për të zgjidhur krizën politike të brendshme në një afat më të afërt, unë do ta shikoja si një opcion të mundshëm edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Por edhe për këtë kërkohet konsensusi i palëve pjesmarrëse, të cilat duhet të japin një garanci për ecurinë demokratike të zgjedhjeve dhe përnjohjen e rezultetit të tyre nga të gjitha palët që marrin pjesë.

DW: Zoti Weichert, Fondacioni “Friedrich Ebert” ka një aktivitet prej 20 viteve në Shqipëri. Cili është fokusi juaj për 2011-shin dhe më pas?

Michael Weichert: Ne duam të ndihmojmë në rradhë të parë ata njerëz, që deri më tani janë shprehur dhe kanë dëshirë që të marrin pjesë në zhvillimet shoqërore dhe politike në Shqipëri. Prioritet kanë të rinjtë, të cilët duan të përdorin çdo mundësi dhe shprehin angazhim dhe interes për të ardhmen e vendit, për një Shqipëri më të mirë. Jo frustrimi, as tërheqja në jetën private apo mosinteresimi, po që ata të jenë pjesëmarrës aktivë, të ndikojnë në grupe sociale, ku kërkohet kontributi i tyre. Për këtë ne duhet të japim mbështetjen tonë sipas mundësive tona.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica