1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhanna Nemcova: "Unë luftoj kundër diktaturës në Rusi"

Nikita Jolkver29 Maj 2015

Akuza të rënda: presidenti Putin mban përgjegjësinë politike për vrasjen e Boris Nemcovit, thotë në bisedë me DW vajza e tij.

https://p.dw.com/p/1FYVS
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Schindler

Zhanna Nemcova, vajza e politikanit opozitar dhe e kritikuesit të Putinit Boris Nemcov, i cili i vra në Moskë në fund të shkurtit, mendon se përgjegjësinë për vrasjen e tij e ka qeveria ruse dhe presidenti Putin personalisht. Ajo tha në një intervistë për DW-në se këtë gjë e lidh me faktin se në Rusi u vra përfaqësuesi më i njohur i opozitës dhe se hetimet për këtë vrasje po ecin shumë ngadalë. "Që të shkojnë përpara hetimet nevojitet vullneti politik dhe ky mungon" - tha ajo.

Sipas saj ka edhe disa gjëra të tjera që tregojnë indirekt për përgjegjësinë politike. "Kështu pas vrasjes së babait tim në TV rus u shfaq një film i pisët për të, sepse në ceremoninë e varrimit morën pjesë 50.000 vetë. Disa thonë madje 100.000 vetë. Po ashtu nuk u lejua që në vendin ku ndodhi vrasja të vihet një pllakë përkujtimore dhe nuk u lejua organizimi i një koncerti funebër."

Russland Beisetzung Nemzow
Fotografi: Reuters/T. Makeyeva

Pas vrasjes së Boris Nemcovit u arrestuan disa të dyshuar prej Kaukazit verior. Sipas Zhanna Nemcovës do të ishte e arsyeshme që për këtë të merret në pyetje edhe presidenti çeçen Ramsan Kadirov dhe për këtë është bërë edhe një kërkesë, e cila është refuzuar. Ndëkohë që Ramsan Kadirovi vetë ka thënë se nuk ka gjë kundër marrjes në pyetje.

Zhanna Nemcova thotë se edhe pse në vitin 2009 është shprehur pozitivisht për Putinin, qëndrimet e njerëve mund të ndryshojnë. "Fillimisht to mendon pozitivisht për dikë, por ai vepron keq dhe të tradhëton. Unë kam qenë gjithmonë kundër diktaturës dhe nuk dua të jetoj në një vend që nuk është i lirë. Askush nuk e mendonte se gjërat do të zhvilloheshin kështu, madje as im atë nuk e mund ta përfytyronte një gjë të tillë, megjithë përvojën e tij të madhe politike. Unë nuk kam votuar kurrë pro Putinit dhe kam qenë që në fillim kundër aneksimit të Krimesë dhe luftës në Ukrainë."

Berlin 9. Berliner Rede zur Freiheit mit Zhanna Nemzowa
Fotografi: DW/N. Jolkver

Zhanna Nemcova drejton një emision ekonomik në TV RBK. Ajo është eksperte për tregjet e bursës dhe të aksioneve dhe thotë se sa u përket temave ekonomike ka një farë lire. Sipas saj në një vend si Rusia, ku e gjithë ekonomia është shtetërore, ekonomia nuk mund të zhvillohet si duhet. "Në botë ka vende, p.sh. në Singapor, ku ekonomia zhvillohet nën një diktaturë. Por në raste të tilla varet shumë prej diktatorit dhe personalitetit të tij. Pra gjërat mund të shkojnë për mirë apo për keq. Prandaj nevojiten institucione demokratike dhe prandaj vendet më të fuqishme ekonomike në botë janë demokraci. Në situaten e tanishme të sanksioneve ndaj Rusisë, nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik dhe shifrat për muajin prill ishin të tmerrshme. Unë mendoj se pas stanjacionit të gjatë do të ketë vetëm një rritje të kufizuar ekonomike."

Bisedën e zhvilloi Nikita Jolkver