1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zi në Odesë, luftime të reja në Kramatorsk

exh (afp, rtr, ape, dpa)4 Maj 2014

Ndërkohë që në Odesë u mbajtën ceremioni mortore për viktimat e trazirave të dhunshme, në lindje të Ukrainës vazhdojnë luftimet. Shefi i aksionit anti-terror të Ukrainës e cilëson ndërkohë kryengritjen "luftë".

https://p.dw.com/p/1BtRh
Fotografi: REUTERS

"Ajo që shohim në rajonin e Doneckit dhe në rajonet lindore nuk është një kryengritje afatshkurtër", tha shefi i qendrës ukrainase anti-terror, Vasil Krutov. "Bëhet fjalë për luftë."

Në lindje të vendit në Kramatorsk, njësitë e trupave qeveritare, pas luftimeve dyditore kanë çliruar thuajse të gjitha ndërtesat e administratës të pushtuara nga drejtuesit e protestës, bëri të ditur qeveria në Kiev. Një zëdhënës i separatistëve prorusë konfirmoi se në duart e separatistëve ndodhet vetëm një ndërtesë e administratës. Gjatë luftimeve sipas Kievit janë vrarë gjashtë aktivistë dhe janë plagosur 15 të tjerë.

Aktivistët po pregatiten tani në qytetin fqinj Slavjanks me barrikada për sulme të tjera të forcave ukrainase të sigurisë, bëri të ditur një nga zëdhënësit e separatistëve. "Në skajet e qytetit trupat qeveritare po grumbullojnë tanke. Po pregatitemi për një sulm", citohet ai nga agjencia ukrainase e lajmeve Unian.

Luftime në qytetin ukrainas Kramatorsk në lindje të vendit.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Luftimet kundër separatistëve vazhdojnë që nga e shtuna (3.5.) në mëngjes. Në Slavjansk, ku separatistët një ditë më parë rrëzuan dy helikopterë, trupat qeveritare ukrainase kanë marrë një nga kullat e televizionit si dhe kanë hequr shumë barrikada në rrugë. Qendra anti-terror në Kiev bëri të ditur se periferitë e Slavjanskit tashmë janë nën kontrollin e forcave të sigurisë. Ndërsa në kryeqytetin e rajonit Doneck, demonstrues të maskuar dhe të armatosur me shkopinj pushtuan në mbrëmje një ndërtesë të shërbimit sekret SBU. Policia nuk kishte ndërhyrë, u bë e ditur.

Zi në Odesë

Në jug të vendit, në metropolin port Odesë, gjatë së shtunës kalimtarët vendosën lule përpara ndërtesës së djegur të sindikatave. Gjatë gjithë ditës në spitale ishin formuar radhë njerëzish, të cilët donin të dhuronin gjak. Pas përleshjeve të dhunshme në Odesë me të paktën 46 viktima, Presidenti i përkohshëm Aleksandër Turçinov shpalli një zi dyditore në gjithë vendin. "2 maji ishte një ditë tragjike për Ukrainën", tha Turçinov. Duhen kujtuar edhe viktimat në radhët e forcave të sigurisë, të cilët humbën jetën në "operacionin anti-terror" kundër aktivistëve prorusë një ditë më parë. "Duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga kjo tragjedi, e cila sipas të gjitha të dhënave ka ndodhur për shkak të një provokimi nga jashtë", theksoi Turçinov. "Fajtorët për organizimin dhe provokimin e këtyre ngjarjeve do të dënohen."

Zi për viktimat në Odesë
Zi për viktimat në OdesëFotografi: REUTERS

Shërbimi sekret ukranias SBU bën fajtor ish kryeministrin e larguar për në Rusi, Sergej Arbusov, si një nga organizatorët e dhunës në Odesë. Zv/kryeministri i qeverisë kalimtare në Kiev, Vitali Jarema, njoftoi ndryshime të gjera në personel në nivel drejtuesish rajonalë, si pasojë e trazirave të rënda dhe zjarrit shkatërrimtar. Ka shumë pyetje për guvernatorin Vladimir Nemirovski dhe qeverinë e zonës në jug të Ukrainës, tha Jarema.

Ndërsa ish kryeministrja e Ukrainës Julia Timoshenko bëri përgjegjëse Rusinë për krizën. Moska përpiqet të përçajë popullin ukrainas, tha Timoshenko gjatë një vizite në Odesa. Përplasjet e dhunshme në qytetin në Detin e Zi janë organizuar nga shërbimi sekret rus, tha ajo. "Rusia po përpiqet me të gjitha mjetet të destabilizojë Ukrainën dhe të pengojë zgjedhjet presidenciale në 25 maj", tha Timoshenko, e cila kandidon në këto zgjedhje.

Kremlin fajëson Kievin si përgjegjësin kryesor

"Udhëheqja në Kiev i ka duart e lyera me gjak", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov për shkallëzimin në Odesë, njofton agjencia ruse e lajmeve Interfax. Ndërsa agjencia RIA Novosti e citon Peskovin me këto fjalë: "Kievi dhe mbështetësit e tij në Perëndim praktikisht e provokuan gjakderdhjen dhe mbajnë përgjegjësinë kryesore për të".

Se çfarë roli luan Rusia në kryengritjen separatiste në Ukrainë vazhdon të jetë e paqartë. Kievi dhe shtetet perëndimore e akuzojnë Moskën se drejton veprimet dhe i mbështet ato me forcat të vetat speciale, për të pregatitur shkëputjen e rajonit si në rastin e Krimesë. Presidenti Vladimir Putin ka pranuar ndërkohë se në Krime ka pasur edhe ushtarë rusë në aksion, por Moska ngul këmbë se kjo nuk është e vërtetë për lindjen e Ukrainës.

Ministri i Jashtëm gjerman i bën thirrje Kievit dhe Moskës

Steinmeier dhe Ashton
Steinmeier dhe Ashton bëjnë thirrje për gjakftohtësi dhe përmbajtjeFotografi: picture-alliance/dpa

"Tragjedia e Odesës duhet të jetë një këmbanë zgjimi! Dhuna sjell vetëm dhunë", deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier në Berlin. Në të njëjtën kohë ai shprehu ngushëllime për të afërmit e viktimave. Steinmeier u shpreh i tronditur për "vdekjen e tmerrshme të aq shumë njerëzve". Nëse dhunës nuk i jepet fund tani menjëherë, mund të vijë momenti që mos të ndalet dot më. Palët e përfshira në konflikt nuk duhet të "hedhin edhe më shumë benzinë në zjarr". "Kjo fillon që me zgjedhjet e fjalëve: retorika luftarake e përkeqëson situatën", deklaroi ministri i Jashtëm.

Edhe BE u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë "përmbajtje maksimale". E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton kërkoi "hetim të pavarur" të zjarrit vdekjeprurës në Odesë.