1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zjarre urrejtjeje - Armiqësi ndaj refugjatëve në Gjermani

Carla Bleiker23 Korrik 2015

Në Gjermani po shtohen protestat dhe sulmet ndaj strehimoreve për refugjatët. Vetëm sivjet ka pasur 13 sulme me vënie zjarri në strehimoret e refugjatëve. Politika dhe aktivistët angazhohen kundër kësaj dukurie.

https://p.dw.com/p/1G2X8
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Fischer

Ata vijnë nga Siria, Eritrea apo Kosova, shpesh vetëm me rrobat e trupit dhe me shpresën për një jetë më të sigurt dhe më të mirë në Gjermani. Vetëm në periudhën janar - qershor të këtij viti në Gjermani kanë kërkuar azil 179.037 vetë. Ndërkohë gjithnjë e më shumë njerëz në të gjithë Gjermaninë po e bëjnë hapur shumë të qartë se nuk duan strehimore për refugjatëve në lagjet e tyre. Dhe ata e shprehin armiqësinë e tyre jo vetëm përmes ankesave në bashki ose në marshime proteste. Vetëm gjatë këtij viti ka pasur 13 sulme me vënie zjarr inë strehimoret e refugjatëve, të banuara apo të planifikuara.

Të mos dorëzohemi

Në sulmin e fundit me zjarr në një shtëpi të planifikuar si strehimore refugjatësh në Remchingen, një qytet i vogël në Gjermaninë jugperëndimore, u shkaktua një dëm prej rreth 70,000 eurosh. Të enjten e kaluar (16.07) e njëjta skenë ndodhi në qytetin e vogël Reichertshofen në Bavari. Aty persona të panjohur i vëuë zjarrin një ndërtese, ku duke filluar nga shtatori do të strehoheshin 67 refugjatë. Kryetari i Bashkisë Reichertshofen, Michael Franks, e shprehu tronditjen me fjalët "Mjaft më!" dhe në një deklaratë për shtyp tha se pavarësisht nga çka ndodhur nga 1 shtatori refugjatët duhet të vijnë në Reichertshofen.

Meißen Asylbewerberunterkunft Brand
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Halkasch

Sulme të tilla nuk janë të përqendruara vetëm në një zonë të caktuar të Gjermanisë dhe kanë ndodhur si në perëndnim, në Coesfeld, edhe në lindje, p.sh. në Zossen, si në jug, në Hepberg edhe në veri, Escheburg. Shumica e sulmeve janë ndërmarrë ndaj ndërtesave të pabanuara që po përgatiten për strehimore. Disa prej tyre në prag të ditës kur do të vinin refugjatët. Robert Lüdecke, nga fondacioni Amadeu Antonio tha për DW-në se "ata që kryejnë sulme refuzojnë kulturën e mirëseardhjes në Gjermani" dhe se mendon se ata janë pjesë e skenës ekstremiste të djathtë në Gjermani.

Fillimisht protesta, pastaj sulme

"Këto vepra penale tregojnë se grupet ekstremiste të djathta po marrin hov", thotë Andreas Zick, Drejtor i Institutit për Studime Ndërdisiplinore për Konfliktet dhe Dhunën pranë Universitetit të Bielefeldit, në intervistë për DW-në. Ata që kryejnë vepra të tilla duan të bëjnë të qartë se nuk mjaftohen vetëm me protesta, por edhe se mund t'i marrin edhe vetë gjërat në dorë.

NPD-Protest gegen Flüchtlingsheim in Berlin-Adlershof 04.06.2014
Fotografi: imago/Christian Mang

Gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që politikanët lokalë të vendosin, që për shkak të veprave të tilla t'i strehojnë refugjatët në vende të tjera nga ç'ishte planifikuar, thekson Lüdecke. "Zbrapsja do të ishte katastrofë. Ne duhet të bëjmë të qartë se shumica nuk e le vetëe të shtyhet nga ata pak njerëz që janë kundër."

Sipas Lüdecke në këtë drejtim kërkohet angazhim sa më i fortë i politikanëve lokalë, të cilët duhet t'u bëjnë të qartë njerëzve se përse vijnë refugjatët. Edhe Zick kërkon që njerëz të kualifikuar dhe të specializuar të mundësojnë dialogun mes refgugjatrëve dhe banorëve.

Sidoqoftë për momentin gjendja në Gjermani do të vazhdojë të mbetet e tensionuar dhe numri i azilkërkuesve do të shtohet. Edhe rreziku i veprave të reja penale ndaj strehimoreve të azilkërkuesve nuk ka kaluar. Kështu para pak kohësh persona me ide radikale të djathta botuan në internet një hartë të Gjermanisë ku ishin shënuar strehimoret e azilantëve. Një gjë e tillë ua lehtëson zjarrvënësve punën dhe për këtë harta është hequr nga interneti.