1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin Krisenmanagement

12 Gusht 2010

Nga zjarret në pyje dhe torfë nuk do të dëmtohet imazhi i duetit të liderëve rusë, Medvedjev dhe Putin. Megjithatë katastrofat natyrore kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemit politik rus.

https://p.dw.com/p/OkOX
Flakët përhapen me shpejtësi: Voronesh, 500 km në jug të Moskës
Flakët përhapen me shpejtësi: Voronesh, 500 km në jug të MoskësFotografi: ap

"Mallkimi i gushtit" ka goditur në mënyrë tragjike edhe këtë vit. Pas krizës valutore, aksidentit të nëndetëses "Kursk" (dhjetëvjetori i fatkeqësisë të së cilës është sot më 12 gusht), sulmeve terroriste, luftërave dhe katastrofave teknike si shpërthimi i një hidrocentrali në vitet e mëparshme, këtë vit janë zjarret e paimagjinueshme në pyje dhe torfë që kanë goditur Rusinë dhe e kanë mbytur Moskën në një re të tmerrshme smogu.

Për ruajtjen e imazhit janë nxjerrë mësime

Sigurisht askush nuk mund të bëhet përgjegjës për kushtet e motit dhe temperaturat e shekullit në Rusi, as presidenti Medvedjev dhe as kryeministri Putin. Por "kriza e gushtit" po vë në dukje jo vetëm inkompetencën e burokracisë ruse, por edhe defektet e përgjithshme në sistemin politik rus.

Sigurisht, Medvdedjevi dhe Putini kanë mësuar nga katastrofat e mëparshme. Që nga fillimi i krizës, televizioni i tregon ata pandërprerë në vizitat në terren. Presidenti Medvedjev jep urdhëra të rreptë për funksionarët e lartë shtetërore, madje me efekt mediatik. Kryeministri Putin shkon shpesh në terren dhe u premton viktimave ndihmë të shpejtë. Me një shpurë të madhe mediash ai fluturoi si pilot asistent dy herë. Udhëheqja ruse nuk bën më ato gabime që u bënë në fatkeqësinë e nëndetëses "Kursk". Atëherë Putini i sapozgjedhur u kritikua se nuk í ndërpreu pushimet dhe qëndroi pasiv për një kohë të gjatë duke u mjaftuar me një reagim zyrtar.

Sistemi tepër centralist nuk i jep hapësirë bazës

Gjëra të tilla nuk i shpëtojnë më Putinit dhe Medvedjevit. Për këtë arsye nuk pritet që imazhi i tyre politik do të dëmtohet shumë për shkak të zjarreve. Çmimin për këtë do ta paguajnë funksionarë të nivelit të më ulët, në autoritetin qendror apo rajonal. Atyre do t'u hidhet faji për masat e pamjaftueshme preventive, mungesën e pajisjeve apo politikën e gabuar të informacionit. Në këtë kontekst është interesante të shihet nëse kryetari i bashkisë së Moskës, Juri Lushkov, njeri me shumë pushtet do të ketë pasoja, pasi edhe ai i ndërpreu me vonesë pushimet.

Në të vërtetë kriza prek thelbin e pushtetit politik të ngritur nën Putinin, të ashtuquajturën "vertikale të pushtetit". Sistemi tepër centralist nuk u garanton përgjegjësve në nivel rajonal dhe lokal hapësirë të mjaftueshme veprimi dhe apo mjete financiare. Guvernatorët nuk zgjidhen direkt nga qytetarët e një rajoni, por vendosen nga presidenti. Për çdo vendim të rëndësishëm, shefat presin urdhrat nga Kremlini dhe nga autoritetet qendrore të Moskës të kontrolluara nga lart.

Këtu shtohet edhe fakti që burokracia ka tendencë të preket nga ineficienca dhe korrupsioni, pasi mungon kontrolli publik i administratës. Për këtë janë nevojë të nevojshme mediat e lira dhe drejtësi të pavarur. Vetë Putini nuk i beson aparatit të tij të funksionarëve, këtë e provon fakti që ai do të vendosë videokamera për të kontrolluar përmes internetit rindërtimin e shtëpive. Por më të rëndësishme se kamerat është modernizimi strukturor dhe i përgjithshëm i Rusisë. Kështu mund të bjerë në harresë edhe "mallkimi rus i gushtit".


Autor: Ingo Mannteuefel

Redaktoi: Auron Dodi