1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zyrtarët po pasurohen brenda natës

19 Shtator 2009

Sipas Agjensisë kosovare kundër korrupsionit, ndër institucionet më të korruptuara në Kosovë janë: pushteti qendror, pushteti lokal dhe ndërmarrjet publike. Ndërsa, në rend të parë rradhitet gjyqësori.

https://p.dw.com/p/JkTt
Imazh simbolik për korrupsionin.
Ndër institucionet më të korruptuara në Kosovë janë pushteti qendror, pushteti lokal dhe ndërmarrjet publike.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ejup Berisha nga Gjurgjeviku i Klinës, ka bindjen se në Kosovë problemet zgjidhen vetëm me dhënie të mitos. Dhe, megjithëse halli e ka bërë të dalë jashtë vetes, ai tashmë ka kuptuar se është viktimë e një mashtrimi. "N´paq pare me ju dhanë…Një vëlla temin që tetë vjet jane tuj e mashtru me hy n´Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës. Tremije euro kemi hy kredi me ia dhanë me ymyd kishe me e nxanë një vend pune për të, se ka qënë i burgosur. E tash ata po ikin e as telefonin se çojnë. Çka me ba? Nevoja po të shtyn…"-rrëfen Ejupi.

Zylkifli Jashari, 30 vjeç nga Fushëkosova është dëshmitar i korrupsionit në Kosovë: "S´kam provuar të korruptoj, por kam qënë prezent kur janë korruptuar në SHPK e në komunë. Me pese euro, të merremi vesh! Saqë unë si qytytar i Kosovës e kam ndjerë veten të nënçmuar se gjithmonë ajo shpresa e madhe për një shtet me një të ardhme shumë të mirë. E në fakt, në çdo institucion tonin ekziston korrupsioni!"

Hivzi Shabani nga Tetova me banim në Gjakovë, dëshmon për korrupsion në pushtetin lokal. „Korrupsioni është tepër i madh jo pak. Unë njoh njerëz që ka shku e ka kry punë e thotë se ja dhashë pesë euro me ma kry punën para rendit, "- rrëfen Hivziu. „Nëqoftëse ka dëshmi e nuk e tregon, ai me së pari vepron kundër ligjit që e di një dukuri negative dhe nuk e paraqet. Dhe faktikisht edhe bashkëpunon, se askush nuk jep mjete pa një interes të caktuar! Nëse është i interesuar të rregullojë punët në mënyrë të ndershme, ai nuk duhet të japë mito sepse rendi dihet! Por, një dukuri është te na, se të gjithe e kemi shpirtin n´fyt dhe të gjithe duam t´i kryejmë punët për një minut"-përgjigjet Afrim Luzha, nga Drejtorina e Inspeksionit të Kuvendit Komunal të Gjakovës.

Korrupsioni nuk lajmërohet

"Mirëpo, fakti se korrupsioni në Kosovë nuk lajmërohet në masën e duhur, edhe më pak hetohet kurse nuk gjykohet fare përbën pengesën më të madhe për luftimin e kësaj dukurie," - thotë Hasan Preteni, drejtor i Agjensisë Kosovare Kundër Korrupsionit e themeluar në korrik të vitit 2006, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të këtij fenomeni. Kjo agjensi ndër të tjera, ka përgjegjësinë të përcjellë tek prokuroria Publike e Kosovës informatat për shkelje të mundshme korrupsioni, që e njëjta të inicojë procedurë të mëtutjeshme penale si dhe zhvillon hetime administrative lidhur me akuzat e supozuara për korrupsion në ato raste kur nuk inicohet procedurë penale.

Procedura ngec pikërisht tek gjyqsori

"Sepse, gjyqësori në Kosovë nuk merret me trajtimin e çështjeve siç është korrupsioni - thotë drejtori Preteni. Dhe, këtë e them me përgjegjësi të plotë, sepse agjencioni deri më tani ka përcjellë më shumë se 150 informata për veprime të mundshme korruptive. Mirëpo, edhe me këtë korrupsion të pranueshëm në masë shqetësuese, asnjë peshk i madh ende nuk është arrestuar për veprime të korrupsionit".

Korrupsioni është shtrirë lart

Si rrjedhojë, shumica e rasteve të lajmëruara janë tërhequr nga Gjyqësori i Kosovës dhe janë bartur te Misioni Evropian për Polici dhe Gjyqësi në Kosovë - thotë z.Preteni, sipas të cilit në krye të listës së institucioneve të korruptuara prin pushteti qendror, pushteti lokal, ndërmarrjet publike dhe gjyqësori i Kosovës. "Ndërsa, e them me përgjegjësi se korrupsioni nuk është i shtrirë tek Policia e Kosovës. Korrupsioni është i shtrirë më lart, ku edhe buxhetet jane më të mëdha. Zyrtarët po pasurohen brenda natës dhe për kohë të shkurtër po krijojnë pasuri të patundshme marramendëse. Ndërsa, qytetarët e Kosovës këtë e shohin…".

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, së bashku me përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të instaluara në Kosovë, kanë përgatitur Draft Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, Draftligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Amandamentimin e Ligjit kundër korrupsionit si dhe Strategjinë antikorrupsion 2009-20011, dokumente të cilat nga qeveria i kanë kaluar për miratim Kuvendit të Kosovës.

Autor : Ajete Beqiraj

Redaktoi : Aida Cama