1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: :Urime popullit të Tunizisë

Rainer Sollich9 Tetor 2015

Me Çmimin Nobel të Paqes vlerësohet jo vetëm një Kuartet tunizian i Dialogut. Çmimi është inkurajim për të gjithë ata, që angazhohen në rajon për paqe dhe demokraci, mendon Rainer Sollich.

https://p.dw.com/p/1Glrt
Tunesien Friedensnobelpreisträger das tunesische Quartett für den nationalen Dialog
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/A. Zine

Angela Merkel do ta kishte merituar këtë çmim njësoj si Papa ose aktivisti i arrestuar saudit, Raif Badawi. Por në vend të tyre, Komiteti i Nobelit na habiti sërish me një laureat, të cilin thuajse nuk e kishte llogaritur askush: Çmimin Nobel të Paqes e merr "Kuarteti i Dialogut Nacional" në Tunizi. Nderohen meritat e tij për të zhvilluar një demokraci pluraliste pas revolucionit të jasmintë - revolucionit të parë dhe të vetëm të Pranverës Arabe, që nuk dështoi për shkak të kaosit, luftës ose shtypjes së re.

Sado e papritur që është dhënia e Çmimit, një zgjedhje nga halli ajo nuk është. Sepse nderohen faktikisht jo vetëm aktivistët e të drejtave të njeriut, avokatët, punëdhënësit dhe përfaqësuesit e sindikatave, që janë mbledhur në kuartet dhe që kanë kontribuar në mënyrë shembullore, që Tunizia - ndryshe nga shumë shtete arabe - të mos përfshihet deri tani nga luftërat civile, trazirat më të mëdha ose diktaturat e llojit të ri. Çmimi është një inkurajim për të gjithë ata - që shpesh duke rrezikuar personalisht - angazhohen për demokraci, shoqëri civile, dialog dhe ndryshime paqësore në rajon.

Sollich Rainer Kommentarbild App
Sollich Rainer

Rruga e duhur

Këtu bëjnë pjesë shumë njerëz edhe në shtete të tjera arabe dhe islamike. Dhe këtu bën pjesë jo së fundi e gjithë shoqëria tuniziane. Sepse njerëzit në shtetin e vogël të Magrebit nuk u kanë dhënë asnjë shans forcave ekstremiste dhe totalitare, pavarësisht terrorit të përsëritur, kërcënimeve për sigurinë dhe gjendjes shumë të keqe ekonomike. Përkundrazi, ata i janë futur një dialogu të vështirë, në të cilin ata përfshijnë islamistë dhe forca laike - dhe që pengon në këtë mënyrë zhvillime të trishtuara dhe dramatike si në Siri, Libi ose edhe në Egjipt. Kjo është e vetmja rrugë e drejtë. Prandaj: urime edhe popullit të Tunizisë!

Sado të ndryshme që janë kushtet kuadër në vendet e rajonit: Tunizia është një model. Dhe prandaj ajo është e ekspozuar ndaj rreziqeve: as xhihadistë fanatikë, as diktatorë laikë nuk janë të interesuar për një shembull të suksesshëm për një sintezë të vështirë midis demokracisë, fesë islame, shoqërisë civile dhe stabilitetit. Ky shembull mund të rrezikonte sundimin e tyre.

E nevojshme është mbështetja

Por Tunizia është e brishtë dhe ka shumë probleme të pazgjidhura. Me siguri nuk ka vend arab, prej të cilit të rekrutohen më shumë luftëtarë të të ashtuquajturit "Shtet Islamik", se në Tunizi. Çmimi Nobel i Paqes është për këtë shkak edhe një sinjal për Evropën dhe për të gjithë botën: po është e rëndësishme që ta mbajmë vështrimin te Siria, Iraku dhe vatra të tjera krize në rajon! Por është po kaq e rëndësishme që të mos lemë të krijohen vatra të reja krize dhe që të mbështeten premisa shpresëdhënëse në botën arabe. Tunizia e meriton mbështetjen tonë. Dhe ne duhet të jemi të gatshëm që të shpenzojmë diçka për të.