1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ç'do të ndodhë pas referendumit në Katalonjë

3 Tetor 2017

90 për qind votuan për pavarësinë e Katalonjës. Por Madridi mund t'i heqë Katalonjës autonominë.

https://p.dw.com/p/2l80J
Spanien Barcelona Referendum über Unabhängigkeit - Polizeieinsatz in Barcelona
Fotografi: picture alliance/AP/M. Fernandez

Të dielën në darkë kryeministri i Katalonjës Carles Puigdemont shpalli në Barcelonë se me referendumin Katalonja ka fituar "të drejtën e një shteti të pavarur". Kurse kryeministri spanjoll Mariano Rajoy deklaroi në Madrid se në Katalonjë nuk ka pasur ndonjë referendum.

Komisioni i BE-së i kritikoi ashpër përleshjet dhe dhunën dhe kërkoi respektimin e rregullave të demokracisë duke iu adresuar si kryeministrit spanjoll edhe qeverisë së Barcelonës.

Spanien Carles Puigdemont in Barcelona
Carles PuigdemontFotografi: Reuters/Catalan Goverment/J. Bedmar Pascual

Tani shumë njerëz që nuk morën pjesë në referendum janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e Katalonjës shpall pavarësinë.

A mund ta humbasë Katalonja autonominë?

Në rast se ndodh kjo, qeveria spanjolle mund të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës spanjolle, që i lejon qeverisë në Madrid t'ia heqë Katalonjës statusin e autonomisë, thotë Jesús Palomar, profesor i politologjisë në Universitetin e Barcelonës. Por për këtë Rajoy ka nevojë për miratimin e parlamentit dhe partia Podemos dhe socialistët nuk do të votojnë pro këtij hapi, mendon Palomar. Gjithësesi ai mendon se qeveria spanjolle mund ta arrestojë kryeministrin e Katalonjës Carles Puigdemont ose anëtarë të tjerë të qeverisë rajonale.

Politikprofessor an der Universität Barcelona Jesus Palomar
Prof. Jesus PalomarFotografi: DW/M.Müller

Frontet për një konsensus politik, për shembull përmes një zgjidhjeje financiare janë ashpërsuar dhe tani kjo nuk është më e mundur, mendon politologu. Sipas tij ajo që mund të bëhet është që të ftohet një ndërmjetësues nga jashtë, por ndoshta qeveria spanjolle nuk do ta pranojë këtë.

"Ose separatist, ose fashist”

Sipas politologut Jesús Palomar policia spanjolle shkeli dje me dhunën e saj të drejtat themelore të qytetarëve dhe ai mendon se ata mund t'u drejtohen institucioneve ndërkombëtare.

Spanien Barcelona Referendum über Unabhängigkeit - Polizeieinsatz in Barcelona
Fotografi: picture-alliance/newscom/UPI/A. Garcia

Por shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha se ky konflikt është çështje e brendshme e Spanjës. Ditët e ardhëshme në Parlamentin e BE-së do të zhvillohet një debat për Katalonjën.

A ishte referendumi një llogari politike? A u erdhën në ndihmë separatistëve pamjet e demonstruesve të përgjakur që u përhapën në mbarë botën? Sipas politologut Jesús Palomar askush nuk e kishte parashikuar një gjë të tillë. 

Sidoqoftë si politologu edhe një shofer taksie, Berneti, janë të një mendjeje: dhuna e 1 tetorit e ashpërsoi polarizimin e shoqërisë. Shoferi i taksisë Berneti thotë se ka ndodhur një përçarje dhe se tani ti je "ose separatist, ose fashist".