1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çeku: Pas 10 dhjetorit Kosova do të shpallë pavarësinë

Bekim Shehu2 Nëntor 2007

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, tha sot se pas 10 dhjetorit Kosova do të shpallë pavarësinë. Këtë qëndrim kryeministri i Kosovës ja përcjell sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

https://p.dw.com/p/C0PM
Kryeministri kosovarFotografi: AP

Ka më pak se një muaj e gjysmë deri më datën 10 dhjetor kur do të përfundojë faza shtesë e bisedave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ndërsa udhëheqësit politik kosovarë thonë, se kjo duhet të jetë data e fundit e përmbylljes së procesit. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, thotë se menjëherë pas datës 10 dhjetor, Kosova do të shpallë pavarësinë, sepse ai është i bindur, se me palën serbe nuk mund të arrihet marrëveshje për pavarësinë e Kosovës. Këtë qëndrim, kryeministri i Kosovës, ja shprehu shefit të UNMIK-ut Joakim Rycker, në mënyrë që ky t'ja përcjellë atë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Shtyrje tjetër nuk duhet të ketë

Për palën kosovare dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, shtyrje tjetër të zgjidhjes së statusit nuk duhet të ketë sepse status-quo-ja, sipas tyre është e paqëndrueshme. Joakim Rycker, është kryeadministrator i Kosovës. "Është shumë e rëndësishme që t'i lihet treshës së Grupit të Kontaktit që të vazhdojë procesin e negociatave deri më 10 dhjetor, por ne e bëjmë të qartë se nuk duhet të ketë shtyje tjetër të zgjidhjes së statusit dhe kjo duhet të kuptohet si një urgjencë që do t'ja përcjellë edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së," thotë Joakim Rycker.

Më 5 nëntor delegacionet do të takohen sërish

Të hënën e javës së ardhshme më 5 nëntor, delegacioni i Prishtinës dhe ai i Beogradit do të takohen sërish për të diskutuar çështjen e statusit me theks të veçantë pikat e një dokumenti, të prezantuar nga treshja ndërmjetësuese me të cilin synohet rregullimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Për udhëheqësit politik kosovarë, dokumenti 14 pikësh akoma është i paqartë dhe si i tillë nuk mund të pranohet nga pala kosovare. Prishtina zyrtare do ta pranonte dokumentin, thonë udhëheqësit e këtushëm, mirëpo vetëm nëse në të specifikohet qartë se bëhet fjalë për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë si dy shtete.

Plani Ahtisaarit ende i qëndrueshëm

Udhëheqësit kosovar pranojnë se në këtë fazë të bisedave shtesë nuk është duke u diskutuar për planin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari, mirëpo, ata shprehen se kanë marrë garanca nga faktorët kryesorë ndërkombëtar se plani i Ahtisarit akoma është i qëndrueshëm dhe vazhdon të ketë mbështetje.