Çfarë do të na sjellë 2016…
Shumë shenja flasin për rritje ekonomike, por ka edhe mjaft rreziqe: çfarë mund t’i japë impulse dhe çfarë mund ta frenojë ekonominë…
Një Euro e dobët
... kundrejt Dollarit të SHBA-së është bekim për eksportuesit e Europës, sepse produktet e tyre kanë tendencë të jenë me çmime të favorshme në tregun botëror. Kjo vjen falë Bankës Qendrore Europiane, e cila i ka furnizuar tregjet me para. Ekonomia e Europës shpreson prej kësaj impulse rritjeje.
Blerja të jep kënaqësi
... në radhë të parë, kur çmimet nuk rriten fuqishëm. Falë inflacionit të ulët konsumatorët kanë më shumë para për konsum. Rritja e fuqisë blerëse gjithashtu mund t’i japë impulse ekonomisë.
Interesa të ulëta
Edhe pse Banka e Rezerva në SHBA në dhjetor i rriti interesat, Banka Qendrore Europiane vazhdon t’i përmbahet politikës së saj të parasë me kosto të ulët. Respektivisht të ulëta janë edhe intersat – kursimi tashmë nuk ia vlen. E ç’duhet të bësh me paranë? Thjeshtë ta shpenzosh atë! Kjo nxit rritjen ekonomike.
„Shtëpiza“ – kantjere ndërtimi anë e mbanë
Kreditë për ndërtim sot i merr me interesa të favorshme si asnjehërë më parë. Ndonëse në zonat urbane po rriten çmimet e shtëpive, interesi për shtëpi private është i pandalshëm. Ekspertët mendojnë, se kjo tendencë nuk do të ndryshojë as në vitin 2016. Investimet në sektorin e ndërtimit pritet që ta nxisin edhe më tej rritjen ekonomike.
Ari i zi - nafta
Edhe pse në Konferencën Ndërkombëtare për Klimën u iniciua shkëputja prej energjive fosile – ato ende do të luajnë rol në ekonomi. E para së gjithash nëse, ashtu si nafta, ato do të vazhdojnë të kenë çmim të ulët. Gjermania si importuese e naftës përfiton nga rënia e çmimit të saj. Sipas ekspertëve edhe në të ardhmen oferta e madhe me naftë do të bëjë që çmimi i saj të mbetet i ulët.
Papunësia
... në Gjermani me 2,6 milionë të papunë është në një nivel mjaft të ulët. Kush ka punë, paguan taksat, konsumon më shumë dhe ka më pak nevojë për ndihma nga shteti. Kjo shkon në favor të ekonomisë. Megjithatë kuota e papunësisë mund të rritet nga fluksi i refugjatëve.
Frenuesit e ekonomisë: Euro e dobët
Ajo forcon eksportin, por shtrenjton importet. Edhe për naftën, që tregtohet në Dollarë të SHBA-së, duhet paguar më shumë. Këtë e ndiejnë si ndërmarrjet, që importojnë lëndë të para, ashtu edhe konsumatorët.
Dragoi kinez çalon
Për vite me radhë ndërmarrjet gjermane kanë përfituar prej kuotave dyshifrore të rritjes ekonomike në Kinë. Republika Popullore është partnerja më e rëndësishme tregtare në Azi e Gjermanisë. Por në të ardhmen Kina do të ketë një rritje me gati 7% - sipas parashikimit të fundit pesëvjeçar të qeverisë kineze. Këtë do ta ndjejnë eksportuesit gjermanë.
Britania e Madhe ende bën pjesë në BE
Por çfarë na pret në rast se vërtetë përballemi me një „Brexit“, pra nëse del Britania e Madhe nga BE-ja? Ekonomistët besojnë, se prej kësaj varet e ardhmja e Europës. Kryeministri britanik David Cameron ka premtuar referendum deri në fund të vitit 2017. E në të britanikët duhet të vendosin: brenda apo jashtë BE-së?
Frika nga sulmet
... mund të influencojë ndaj besimit për një hop ekonomik dhe mund të cënojë dëshirën për konsum. Me misionin ushtarak gjerman në Siri rritet shqetësimi për sulme në Gjermani. Por studiesit e GfK (Shoqata e Studimeve për Konsumin) venë në dukje, se sulmet në vende të tjera nuk e kanë influencuar frymën e konsumatorëve.
Po refugjatët?
Rreth një milionë erdhën në Gjermani vetëm më 2015. Tani shtrohet pyetja: a përfiton ekonomia nga fluksi i migracionit? A janë këta punëtorët e shumëkërkuar në Gjermani, apo do të jenë ushtria e re e të papunëve? A do ta nxisin ata konsumin e do të paguajnë taksat, apo do t’i rëndojnë më shumë sistemet sociale? Shumë do të varet se sa Gjermania do t’i bëjë ballë intergimit të refugjatëve.