1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimi Sacharow për dy iranianë

dpa, afp/exh26 Tetor 2012

Çmimi Sacharow i Parlamentit Evropian, për lirinë e mendimit, i jepet këtë vit dy disidentëve iranianë: aktivistes për të drejtat e njeriut Nasrin Sotudeh dhe regjisorit Jafar Panahi

https://p.dw.com/p/16XrG
Avokatja iraniane Nasrin Sotudeh dhe regjisori Jafar Panahi
Fotografi: Arash Ashourinia/AFP/Getty Images / picture-alliance/dpa

Aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut Nasrin Sotudeh prej shumë vitesh mbron në gjyq politikanë, aktivistë dhe gazetarë iranianë, por edhe të dënuar me vdekje, kur krimet për të cilat akuzohen i kanë kryer në moshë të mitur. Sotudeh ka qenë anëtare e "Komitetit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut" në Iran, ku ka bashkëpunuar ngushtë me nobelisten e Paqes Shirin Ebadi.

Ebadi e ka përshkruan një herë për Deutsche Welle-n bashkaktivisten, si "një nga avokatët e fundit të guximshëm të të drejtave të njeriut, që kanë mbetur në Iran".

Grevë urie në burg

Disidentja iraniane Nasrin Sotoudeh
Disidentja iraniane Nasrin SotoudehFotografi: Arash Ashourinia/AFP/Getty Images

Nasrin Sotudeh u arrestua në 28.08.2010. Ajo u dërgua në sektorin 209 të burgut Evin në Teheran, i cili varet nga shërbimi i fshehtë iranian. Mësohet se aty ajo ka kaluar reth dy muaj në izolim. Sotudeh, nënë e dy fëmijëve, 2 dhe 10 vjeç, në 25 shtator hyri në grevë urie pasi prej muajsh ia kishin ndaluar telefonatat dhe vizitat e familjarëve. Pas katër javësh grevë urie, aktivistes iu lejuan vizitat nga familjarët.

Ndalim për të ushtruar profesionin për regjisorin

Jafar Panahi është një nga regjisorët më të rëndësishëm të pavarur në Iran. Filmat dhe skenarët e tij karakterizohen nga një këndvështrim humanist ndaj jetës në Iran. Shpesh në qendër të tyre është jeta e vështirë e grave dhe fëmijëve të varfër.

Regjisori iranian Jafar Panahi
Regjisori iranian Jafar PanahiFotografi: picture-alliance/dpa

Në vitin 1995 ai mori "Kameran e Artë" në festivalin e filmit në Kanë dhe në vitin 2000 "Luanin e Artë" në festivalin e Venecias. Në vitin 2006 filmi i tij "Offside", i cili tregon për sportdashëse femra të futbollit, të cilave u ndalohet hyrja në stadiume në Iran, mori "Ariun e Agjendtë" në Berlinale.

Në zgjedhjet e kontestuara presidenciale në Iran 2009, Panahi mbështeti lëvizjen opozitare kundër presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Në mars 2010 regjisori së bashku me gruan, vajzën dhe 15 shokë u arrestuan nga policia. Megjithë mbështetjen nga regjisorë, organizata të filmit dhe të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota, në dhjetor të të njëjtit vit ai u dënua me gjashtë vjet burg për "propagandë armiqësore ndaj regjimit". Veç kësaj atij nuk i lejohet të ushtrojë profesionin për 20 vjet. Gjatë kësaj kohe nuk mund të prodhojë filma apo të skenarë, nuk mund të japë intervista dhe nuk lejohet të udhëtojë jashtë vendit.

Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz theksoi në Strasburg se vendimi për dhënien e çmimit dy aktivistëve iranianë ishte marrë njëzëri. BE shpreh me këtë çmim "solidaritet dhe admirim" për një burrë dhe një grua që nuk përkulen para trysninë së regjimit në Iran. Të dy aktivistët kanë vënë fatin e vendit të tyre përpara jetës private, vlerësoi Schulz fituesit e çmimit Sacharow, dhe shtoi se ky çmim është "një refuzim i qartë" për regjimin në Teheran.