1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes dy gjinive'

8 Mars 2010

Prania e OSBE-së në Tiranë po zbaton një projekt për të rritur rolin e gruas në qeverisje. Synimi është mbështetja e publikut për të kuptuar potencialin e gruas. Zv.ambasadorja e OSBE-së në Tiranë, Herrmans me vlerësime.

https://p.dw.com/p/MNNc
Zv.ambasadorja e OSBE-së në Tiranë, Renate Herrmans.
Zv.ambasadorja e OSBE-së në Tiranë, Renate Herrmans.Fotografi: Ani Ruci

DW: Zonja Herrmans, pjesëmarrrja e gruas në politikë dhe ndikimi i saj në çështjet politike është një tregues i demokracisë dhe njëherazi i tendencës për një ekuilibër më të mirë gjinor në qeverisje. Si është situata në Shqipëri?

Renate Herrmans: Në fakt është pozitive rritja e numrit të grave në politikë, por ka ende shumë për të bërë. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare pati një kuotë të caktuar të pjesëmarrjes së grave, që për fat të keq nuk u realizua. Po të shohim përfaqësimin e gruas në organet e pushtetit lokal apo pjesëmarrjen e saj në jetën publike, pësëri mendoj se ka punë për të bërë. Prandaj jo vetëm OSBE-ja por edhe organizata të tjera po punojnë në këtë drejtim dhe mendoj se ka një sërë përpjekjesh për të ndryshuar këtë situatë. Nga një perspektivë personale mendoj se në Shqipëri ka shumë gra të afta. Është e rëndësishmë që ato të bashkëpunojnë dhe të inkurajojnë njëra tjetrën. Mendoj gjithashtu që bashkëpunimi mes grave dhe burrave në të gjitha llojet e organizatave dhe institucioneve mund të japë një perspektivë ndryshe dhe të ndihmojë njërëzit të kuptojnë më mirë se çfarë duhet me të vërtetë dhe që është në të mirën e të gjithëve.

DW: Prania e OSBE-së në Tiranë po zbaton një projekt trivjeçar për të rritur rolin e gruas në qeverisje. Çfarë rezultatesh synoni të arrini?

Renate Herrmans: Kemi një projekt që quhet ”Gratë në qeverisje” të financuar nga qeveria hollandeze dhe suedeze. Ideja e këtij projekti është mbështetja ndaj grave dhe publikut për të kuptuar potencialin e gruas, ndërtimi i një dialogu konstruktiv mes dy palëve, burrave dhe grave, Ajo që kërkojmë të arrijmë me këtë projekt është të inkurajojmë gratë të përfshihen në politikë, si në atë lokale ashtu edhe kombëtare. Po kështu edhe në të gjitha anët e jetës publike.

DW: A përfshihen burrat në këtë projekt, pra gjysma tjetër?

Renate Herrmans: Në një të ardhme të afërt ne dëshirojmë të kemi edhe burrat të marrin pjesë në projekt. Ky është një element shumë i rëndësishëm për të forcuar dhe mirëkuptuar tendencën lidhur me barazinë gjinore, e cila nuk lidhet vetëm me gruan. 50% e popullsisë nuk mund të qëndrojë vetëm pa 50% -in tjetër, prandaj kemi nevojë për të dyja palët që të bashkëpunojnë, të kuptojnë njëra tjetrën dhe të krijojnë një dialog mes tyre.

DW: Çfarë aktivitetesh dhe mjetesh po zbatoni për të arritur këto rezultate në projekt?

Renate Herrmans: Në thelb ne përdorim mjete klasike: ngritja e kapaciteteve, trajnimet, shkëmbimi i informacionit, lobimi, krijimi i rrjeteve të grave. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për të krijuar tek gratë besimin në vetvete. Nga ana tjetër projekti përpiqet të ndikojë që perceptimi i publikut për gratë të ndryshojë pozitivisht. Pra, përdorim të gjitha mjetet klasike.

DW: Cilët janë partnerët tuaj? A keni krijuar sinergjinë për të arrritur synimin: rritjen e rolit të gruas në politikë?

Renate Herrmans: Një nga partnerët tanë kryesorë është Ministria e Punës Sociale dhe e Shanseve të barabarta, që punon në nivel kombëtar mbi barazinë gjinore dhe legjislacionin përkatës. Në zbatimin e projektit ne përfshijmë organizatat jo qeveritare vendase, bashkitë, rrjetet e deputetëve. Të gjithë partnerërt janë të përfshirë në projekt dhe OSBE- ja përpiqet që ata të bashkëpunojnë.

DW: Si ka ecur projekti deri tani?

Renate Herrmans: Kemi mendim pozitiv për ecurinë e zbatimit të projektit. Faza e tij e parë filloi para zgjedhjeve parlamentare të verës së kaluar. Gjatë kësaj faze u trajnuan 50 gra. Në fazën e tanishme, të rritjes së promovimit në publik kemi angazhuar rreth 500 gra me idenë që kjo shifër të rritet. Ashtu si theksova më parë është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes dy gjinive. Është arritur ndërgjegjësimi i grave, që situata duhet të ndryshojë, por nuk e presim që ndryshimi të vijë shpejt. Duhet të punojme me këmbëngulje dhe të vështrojmë përpara. Qëllimi është që në zgjedhjet lokale të marrin pjesë sa më shumë gra.

Autor: Ani Ruci/ Tirana

Redaktoi: Auron Dodi