1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300410 Berlin Mai-Demos

1 Maj 2010

Në ditën e 1 Majit Berlinin nuk e trazon demonstrata tradicionale e Sindikatave gjermane, por e ashtuquajtura "Demonstrata revolucionare e 1 Majit" e grupeve radikale të majta në lagjen Kreuzberg të kryeqytetit gjerman.

https://p.dw.com/p/NC2I
Pamje simbolike e demonstratave tradicionale të 1 MajitFotografi: picture-alliance/ dpa/ DW-Fotomontage

Organizatorët e "Demonstratës revolucionare të 1 Majit" nuk janë shumë të gatshëm të flasin me gazetarët. Ata i akuzojnë këta të fundit për fushatë mediale kundër tyre. Për të qenë të sigurtë, ata nuk e përmendin as emrin e vërtetë, sepse Autoriteti i Ruajtjes së Kushtetutës gjermane e ka vënë këtë lëvizje në shënjestër. Pra, Bernd, që është i gatshëm për intervistë nuk e ka emrin e vërtetë, Bernd. Ai shpjegon qëllimet e demonstratës revolucionare: "Motoja e demonstratës së 1 Majit këtë vit është: Fund krizës- poshtë kapitalizmi! Ne jemi kundër kësaj shoqërie, që bazohet në përfitimin, konkurencën dhe pasurinë. Ne duam një shoqëri, në të cilën njerëzit të zhvillojnë ekonominë në mënyrë solidare dhe të planifikojnë jetën së bashku."

Berlin Randale Krawall 1. Mai
Trazira në Berlin në protestat e 1 Majit 2009Fotografi: AP

Bernd, është një student 19 vjeçar. Me flokët ngjyrë kafe, veshur me xhinse dhe bluzë, ai të ngjan me çdo student tjetër. Por kohën e lirë ai nuk e kalon si studentët e tjerë, por në luftë kundër shtetit, të cilin ai e refuzon dhe do ta rrëzojë. Ai bën pjesë në organizatën "Aksioni revolucionar antifashist i Berlinit"- një grup radikalist i majtë, që organizon demonstratën në Kreuzberg dhe Neukölln në kryeqytetin gjerman. Mbi 10.000 demonstrues kanë ngritur në këmbë majtistët dhe mijëra policë sigurojnë demonstratën.

Strategjia e policisë së Berlinit për ruajtjen e qetësisë

Zëdhënësi i policisë Thomas Goldack mbi punën e policisë në ditën 1 Majit: "Njëri element është deeskalimi, që përmban stategjinë e komunikimit dhe përkrahjen e angazhimit paqësor social. Nga ana tjetër, dhe kjo u bë e rëndësishme vitin e shkuar, është strategjia e ndërhyrjes së shpejtë dhe pa hezitim kundër atyre që ushtrojnë dhunë. Vitin e kaluar hoqëm nga rruga 289 vetë."

Demonstrata e 1 Majit të vitit të shkuar ishte veçanërisht e dhunshme.

Ein Auto brennt am Donnerstag, 1. Mai 2008 in Hamburg waehrend einer Demonstration
Pamje nga protestat e 1 Majit në HamburgFotografi: AP

Për Bernd dhunën e nis shteti, prandaj edhe demonstruesit janë të lirë të zgjedhin mjetet e tyre. "Po qe se në 1 Maj sulmohen policët, atëherë kjo sepse ata shihen si simbol i fuqisë kapitaliste të konkurencës dhe pasurisë. Kjo do të thotë që militantizmi që vihet re në festën e 1 Majit, është gjithmonë aksion politik."

"Qejf dhe action" - jo motiv politik?

Sipas të dhënave të policisë së Berlinit, shumica e të dhunshmëve në 1 Maj nuk kanë motive politike. Ekstremistët e majtë ndezin fitilin, të cilit i bashkangjiten më pas shumë njerëz që nuk janë më parë në konflikt me rendin. Goldack: "Vitin e kaluar kishim rastin e një aktoreje të re, e cila vallëzonte e maskuar mbi një kosh plehrash që digjej dhe u penalizua për këtë, kishim edhe rastin e një 59 vjeçari, që u dënua për dhunë, dhe që më parë, ndoshta asnjëherë nuk kishte bërë ndonjë deklaratë politike."

Dëshira për "qejf dhe action" ëshë ndoshta arsyeja kryesore që në Berlin në 1 Maj bëhet rrëmujë, thotë zëdhënësi Goldack dhe përmend kureshtarë që futen mes rrëmujës me kamera vetëm e vetëm për të shkrepur fotot, që më pas futen në albumin e kujtimeve.

1. Mai in Berlin Köpenick
Demonstrues në Berlin kundër organizimeve të radikalëve të djathtë, NDPFotografi: AP

Ajo që është e re në demonstratën e 1 Majit të këtij viti është demonstrata e djathtistëve radikalë NDP në lagjen Prenzlauer Berg të Berlinit. Numri i vatrave me tendencë dhune po rritet. Megjithatë paralajmërimin e sindikatave të policisë për një eskalim të mundshëm dhune me qindra të plagosur dhe ndoshta edhe viktima, zëdhënësi i policisë, Thomas Goldack, e quan të ekzagjeruar. Rreth 6000 policë janë gati që të mos ketë dhunë në ditën e 1 Majit në Berlin.

Autorë: Nina Werkhäuser / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë