1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

101109 Kreisau Friedenszeichen

Auron Dodi12 Nëntor 2009

Më 12 nëntor 1989, kancelari gjerman Helmut Kohl mori pjesë në Krzhizhova në një meshë pajtimi. Takimi dhe marrëveshjet me kryeministrin polak Tadeush Mazovietski, ka forcë të madhe simbolike për marrëdhëniet dypalëshe.

https://p.dw.com/p/KV5D
Krzhizhova në Poloni - vend i takimeve evropiane
Krzhizhova në Poloni - vend i takimeve evropianeFotografi: Stiftung Kreisau für Europäische Verständigung

Në një vend të vogël në Silezinë e Poshtme, në çiflikun e familjes von Moltke, në vitet 1942 dhe 1943 takoheshin njerëzit për të diskutuar për të ardhmen e Gjermanisë dhe Evropës pas fundit të nacionalsocializmit. Shumë prej tyre, të cilët u futën në histori si grupi i njohur me emrin 'Qarku i Krzhizhovat' janë ekzekutuar pas atentatit ndaj Hitlerit në vitin 1944, edhe pse nuk ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në të.

Në vitin 1989, çifliku i shkatërruar ngadalë në Krzhizhova për herë të dytë u kthye në qendër të vëmendjes së opinionit publik: më 12 nëntor atje shkuan kancelari gjerman Helmut Kohl dhe kryeministri i parë polak i zgjedhur më votën e lirë të popullit, Tadeush Mazovietski. Atje ata shkëmbyen shenjat e paqes pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Përmes zgjedhjes së vendit për mbajtjen e meshës së pajtimit, pala polake u njoh me lëvizjen e rezistencës gjermane. Ajo para 20 vitesh ishte po thuajse fare e panjohur në Poloni. Tadeush Mazovietski nuk e kishte idenë atëherë se sa e madhe do të ishte forca simbolike e shenjës së paqes nga Krzhizhova.

"Fillimisht ishte një gjest krejt i thjeshtë. Qysh prej Këshillit të dytë të Vatikanit në meshat katolike shkëmbehen shenjat e paqes, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Ipeshkëvi Nossol erdhi tek ne dhe shkëmbeu me mua dhe kancelarin Kohl shenjën e paqes. Pastaj ne të dy u përqafuam. Dhe kjo ishte diçka shumë e përzemërt. Por ky gjest filloi të shihej më vonë si simbol i pajtimit. Ne të dy si burrështetas dhe të krishterë kishim vullnetin politik dhe moral për pajtimin e popujve tanë".

Rruga e pajtimit gjermano-polak ishte e gjatë. Afrimet e para personale me gjermanët janë ndërmarrë në vitin 1956 nga përfaqësuesit e inteligjencës katolike në Poloni, në mesin e tyre Stanislav Stoma dhe Tadeush Mazovietski. Gurët e parë të themelit të kësaj rruge u vendosën në vitin 1961, me memorandumin e kishës evangjeliste për njohjen përfundimtare të Polonisë së kufirit gjermano-polak dhe disa vite më vonë letra e Ipeshkvit katolik polak me thirrjen e pazakontë:

"Ne falim dhe lutemi për falje".

Mesha e pajtimit gjermano-polak në Krzhizhova kishte një forcë të madhe morale simbolike për marrëdhëniet gjermano-polake. Megjithatë tek me njohjen e kufirit gjermano-polak 'Oder-Neiße' u përmbushën shpresat e Polonisë për pajtim me Gjermaninë e Bashkuar.

"Përkundër marrëveshjeve për kufirin të cilat ishin nënshkruar nga Willi Brandt dhe Vladislav Gomulka në Gjermani vlente doktrina se çështja e kufirit duhet të rregullohet me marrëveshjen e paqës. Megjithatë ishte e qartë se nuk do të ketë më marrëveshje paqeje. Për ne nuk vinte në konsideratë që të mbyllim ashtu çështjen e kufirit. Ne nuk donim që rajonet perëndimore polake të njihen nga Stalini por në bazë të marrëveshjeve bilaterale".

Andaj Mazovietski beson që hapi vemdimar për pajtimin gjermano-polak ishte pikërisht marrëveshja kufitare:


"Jam i bindur që marrëveshja kufitare krijoi një bazë të mirë për marrëdhëniet gjermano-polake. Gjermania ishte avokat i Polonisë në procesin e anëtarsimit në BE dhe në NATO. Kështu marrëdhëniet tona janë zhvilluar mirë dhe të mira janë edhe aktualisht. Herë pas here ka mosmarrëveshje. Por unë e kam thënë shumë herë se pikërisht tek marrëdhëniet gjermano-polake të ngarkuara aq shumë historikisht është shumë më lehtë t'i shkatërrosh ato se sa t'i kultivosh. Por aktualisht ne jemi të kënaqur me këto marrëdhënie".


Autor: Barbara Coellen/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi