1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

2016 - Vit i dëbimit masiv nga Gjermania

29 Dhjetor 2016

Autoritetet gjermane kanë ashpërsuar këtë vit politikën ndaj refugjatëve. Nga njëra anë kthime masive të emigrantëve pa të drejtë qëndrimi, e nga ana tjetër mospranim në kufi.

https://p.dw.com/p/2V022
Deutschland Flüchtlinge überqueren der Grenze von Österreich nach Deutschland
Fotografi: picture alliance/dpa/S. Kahnert

Rreth 55.000 vetë janë kthyer këtë vit në vendin e tyre me mbështetje të Gjermanisë, njofton gazeta gjermane, "Süddeutsche Zeitung" bazuar në të dhënat e "Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët", (BAMF). Shumica e personave kthehen vullnetarisht. Ata janë azilkërkues të ardhur nga Ballkani, pa asnjë shans qëndrimi në vend. Me kthimin në atdhe ata i shpëtojnë sanksioneve të tjera ligjore, si psh. moslejimit të hyrjes për një kohë të caktuar në zonën Shengen. Deri në nëntor rreth 15.000 vetë janë kthyer në Shqipëri, sipas BAMF. 5000 të tjerë kthehen në Serbi. Këtë vit është rritur edhe numri i dëbimeve në Iran, Afganistan dhe Irak. Deri në nëntor janë kthyer 3200 vetë në Afganistan.

Kthim në kufi

Por sipas gazetës gjermane "Osnabrücker Zeitung" janë kthyer shumë vetë edhe në kufirin gjerman për shkak të mungesës së dokumenteve të rregullt apo të vizës. Rreth 20.000 janë kthyer këtë vit në kufi. Në vitin 2015 më shumë se 8000 vetëve i është mohuar hyrja në Gjermani.