1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

25 familje rome dhe egjiptiane kthehen në Pejë

Ajete Beqiraj5 Shtator 2006

Në Kosovë, vazhdon plotësimi i standardit tre dhe katër që ka të bëj me lirinë e lëvizjes dhe kthimin e të zhvendosurve. Në qytetin e Pejës u rikthyen edhe 25 familje rome dhe egjiptase, të cilat për shtatë vjet jetuan të zhvendosur në Mal të Zi

https://p.dw.com/p/Ard0
Fotografi: AP

Ndërtimin e 29 shtëpive në rajonin e Pejës mundësoi qeveria e Holandës. Ndërsa, me realizimin e këtij projekti të realizuar nga organizata holandeze DRC, përfituan 24 familje të komunitetit rom dhe egjiptian, si dhe 4 familje të pastrehë të komunitetit shqiptar.

Sipas Gani Toskës, Zyrtar për Marrëdhënie Ndërnacionale, në Kuvendin Komunal të Pejës, njëra ndër arsyet kryesore që ndikoi në moskthimin e romve dhe egjiptianeve në Kosovë nuk është vetëm shhkatërrimi i vendbanimeve dhe infrastruktura.

"Kanë ndikuar deklaratat e gabuara të popullit, që sipas tyre romët dhe egjiptianet kanë bashkëpunuar me serbët"-thotë Gani Toska.

Këto familje për shtatë vjet qëndruan larg trojeve të tyre dhe farefisit. Qeveria e Malit të Zi iu ofroi strehim, ushqim, ndihmë shëndetsore dhe ligjore. Por, egjiptiaani Shkëlzen Rama, 48 vjeçar, është i bindur se egjiptasit dhe romët e ikur, kanë pasur edhe arsye të bëjnë një gjë të tillë. Ai habitet se si mund të anashkalohet vetëm për faktin se nuk ka braktisur Kosovën?

"Pse dikujt për shembull ia marojnë shpinë kur ai ka vjedh e ka ba tana të zezat? Atij ia marojnë shpiat, ia binë kauqat, ia binë tana sendet e neve si kemi mbet këtu, neve hiq kurrkushi s'na kqyr me sy?"-habitet Shkëlzen Rama,"Do me thënë veç pse po kthehen prej Malit te Zi e prej Serbisë, përnjëherë kanë ma shumë përparësi se sa na qi kemi mbet në Kosovë?"

Valdet Palaci, 22 vjeç, ka ikur në Nikshiq para tetë vjetësh. Ndërsa, para tre muajsh është rikthyer në Kosovë, në pritje të përfundimit të shtëpisë. Ai brënda kësaj kohe, me familjen e tij pesë anëtarëshe dhe me babanë invalid, ka jetuar tek axha i tij, vet i
13-ti anëtarë, ku me punën që bënte ka mundur të sigurojë veç kafshatën e gojës.

"Dilshim kapak punojshim me do hekra e qeso senesh. Për me hangër kena pasë"-thotë Valdeti, i cili e ka fjalën për hekurishtat e shtëpive të djegura, burim ky ndër më të shpeshtët i këtyre komuniteteve, të cilat përditë mund të vërehen nëpër rrugët e rajonit me qerre kuajsh.

Nepe Regjepi është një e ve 51 vjeçare, nënë e tre fëmijëve, e cila pas rrënimit të shtëpisë gjatë luftës, jeton në një shtëpi të huaj: "Edhe unë nuk kam shpi, edhe unë rri në shpia të huaja. Unë jam muzikante, defatore".

Të qenit 'tupanxhi' e 'defatore' është një burim tjetër jetese për romët dhe egjiptianet. Por, se Nepa nuk është e vetmja muzikante në këtë lagje e cila mban familjen, siç thotë ajo, "me rreth të defit", na bind zëri i një ashkalie tjetër në shtëpinë matanë, i cili
me gjithë zemër këndon një këngë burimore shqipe i përcjellur nga rënie tepsie dhe zëra të hareshëm fëmijësh.

Gjallëria e tipike e lagjeve egjiptase ndjehet në çdo kënd. Por, kënga nuk mbyt gjithnjë hallet e jetës. Gjyle Dautaj, 45 vjeçare dhe nënë e shtatë fëmijë, sikur kërkon shpëtim duke na u rrëfyer: "Burri s'më punon kurrkund. Djalin e kam invalid. Ndihmë sociale nuk kam. Me dy dhoma jam tuj jetu, me 13 anëtarë, me dy dhoma jam".

Kjo grua e re është e mllefosur në institucionet e Kosovës, të cilat nuk i marrin parasysh, me arsyetimin se nuk kanë qënë të ikur nga lufta: "Jam drejtu gjithkah, jo nuk je kanë e ikën gjatë luftës. E nëse këta gjatë luftës janë kanë të ikun, këtyne tonve ju kanë marue na cka jena konë këtu, q'i s'kena lujte hiç, neve krejtve na kanë lanë në kasolle!"

Gani Toska, i cili është edhe Kryetar i Iniciatives së Romëve të Kosovës mendon se nuk ka barazpeshe në mes të komuniteteve pakicë, duke përmendur ndërtimin e 50-60 shtëpive për komunitetin serb në komunën e Pejës, gjysma prej të cilave edhe më tej janë të zbrazta.

Ndërsa Shkëlzen Rama është i bindur se ka dallim tejet të madh: "Numër një, kanë përparesi serbët. Ata s'janë shumicë. Shumicë jemi na! Një familje jona është 15 anëtarëshe kurse ata janë katër e pesë, por kanë vleftë më të madhe, sepse jane serb! E neve: Hajt more ti magjup. Ti s'ki asnjë të drejtë!" Si shiptari si shkau e thotë këtë. "Ti je magjup. Hajt shko n'shpi!" Ai serbi thotë: "Hajt cigane, idi kuci. Nema za tebe nishta!" E na atëherë, ku me mbet na?"

Përgjigjen ia jep zëri i egjiptianit, i cili i këndon kohës që po ikën, pa dashur të pyes se, çfarë i mbetet prej jetës veç këngës nën kulmin e kasolles së tij të vjetër?

"O i lumi unë që i bana tridhjetë vjet-e..."