1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

3 tetor- hapen bisedimet Bruksel-Ankara

Bernd Riegert3 Tetor 2005

Pas maratonës 20 orëshe të bisedimeve, 25 kryediplomatët e BE-së në mbledhjen e krizës në Luksemburg, miratuan tekstin e marrëveshjes për mandatin e hapjes së bisedimeve të antarësimit me Ankaranë. BE-ja i dha dritën e gjelbër edhe bisedimeve me Kroacinë.

https://p.dw.com/p/AqiS
Hapen bisedimet me Turqinë- Strasburg
Hapen bisedimet me Turqinë- StrasburgFotografi: AP

Shumë spekulime qarkulluan gjatë gjithë ditës së hënë në qendrën e tejmbushur të shtypit, pranë sallës së konferencave të BE-së në Luksemburg. Më në fund në mbrëmje u mësua, se 25 ministrat e jashtëm të BE-së, zyrtarisht, kanë pranuar marrëveshjen kuadër për hapjen e negociatave të antarësimit me Turqinë. Austria që bllokoi ditët e fundit procesin, hoqi dorë nga rezervat e saj. Ministrja e jashtme austriake, Ursula Plasnik, që e kish lodhjen të shkruar në fytyrë, tha se qëllimi i bisedimeve me Turqinë do të jetë antarësimi i plotë: "Qysh në fillim ishte e qartë, unë madje nuk dua që të ketë vend për keqkuptim, se qëllimi i hapjes së bisedimeve do të ishte vetëm antarësimi. Nga ana juridike kjo është e qartë dhe ne as që e kemi vënë në pikëpyetje këtë."

Alternativa do të ishte e nevojshme vetëm në rast, se Turqia ose nuk do t´i përmbushte kushtet e antarësimit, ose nëse BE-ja në fund të procesit të bisedimeve nuk do të ishte më në gjendje të pranonte antarë të rinj. Kësaj here, Ursula Plasnik nuk e përdori më termin "partneritet i privilegjuar". Ajo tha, se lidhur me aftësinë e BE-së për të pranuar antarë të rinj do të duhej të ishin bërë me kohë konsultimet. Shumë njerëz në Evropë janë të shqetësuar prej shpejtësisë së zgjerimit: "Ne nuk do të trëmbemi dhe nuk do të qëndrojmë të izoluar. Ne jemi të bindur, se kemi trajtuar një çështje që nuk i preokupon vetëm njerëzit në Austri, por edhe në vendet e tjera të BE-së."

Edhe Qiproja shfrytëzoi rastin për të mbajtur qëndrim si Austria, duke kërkuar disa ndryshime në tekstin e marrëveshjes. Nuk është fort e qartë, se deri në ç´masë presidenca britanike e BE-së ka bërë lëshime ndaj rezervave të Austrisë dhe Qipros, pasi ende nuk janë publikuar detajet e projektmarrëveshjes. Ndërkohë që, Ankaraja e pranoi zyrtarisht kompromisin e arritur dhe ministri i jashtëm i Turqisë Abdullah Gjyl morri rrugën drejt Luksemburgut. E pra formalisht, sipas premtimit, qysh nga 3 tetori konsiderohen të hapura bisedimet e antarësimit mes Brukselit dhe Ankarasë.

Lajme të mira nga Luksemburgu erdhën për Kroacinë. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, konfirmoi në Luksemburg, se autoritetet kroate po bashkëpunojnë me Hagën. Sipas saj qysh prej javësh Zagrebi po përpiqet për të kapur të dyshuarit si kriminelë lufte: "Unë mund të konfirmoj, se Kroacia po bashkëpunon pa asnjë rezervë me ne."

Në këtë mënyrë, pas disa formalitetesh mund të nisin menjëherë bisedimet e antarësimit me Zagrebin, kjo madje mund të ndodhë në mbledhjen e ardhëshme brenda tetorit të ministrave të jashtëm të BE-së. Dëshmia pozitive e Karla del Pontes ishte kushti i fundit që duhej të përmbushte Kroacia, pasi në mars u shtynë bisedimet. I kërkuari si kriminel lufte, gjenerali Ante Gotovina, është ende në gjendje të lirë, por sipas zonjës del Ponte, qeveria kroate ka bërë ç´është e mundur për arrestimin e tij. Kryeministri kroat, Ivo Sanader u shpreh i kënaqur në Luksemburg. Austria kushtëzoi çështjen e Turqisë me atë të Kroacisë. Vetëm nëse do të mbyllej pozitive çështja e Kroacisë, Austria do të hiqte dorë prej rezervave kundrejt Turqisë, thuhet në qarqet e Luksemburgut.

Diplomatët e BE-së thonë se bisedimet për Turqinë ishin jashtëzakonisht të vështira. Hapin historik për ta ftuar Turqinë për negocitatat e antarësimit BE-ja mundi ta hedhë vetëm pas një maratone 24 orëshe bisedimesh.