1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

60 vjet më parë Adolf Hitler-i vrau veten

Gerda Gericke29 Prill 2005

60 më parë lufta e nisur dhe e planifikuar nga kryeqyteti i Gjermanisë u kthye në Berlin. Më 21 prill 1945 formacionet e para sovjetike gjendeshin në rrethinat verilindore të Berlinit. Pak më vonë filloi goditja me artileri e lagjes qeveritare, sovjetikët sa vinte e depërtonin më thellë në qytet. Në fund, më 30 prill pak përpara kapitullimit përfundimtar të Gjermanisë naziste Adolf Hitler-i bëri vetëvrasje në bunkerin e tij të Führer-it. Gerda Gericke me një retrospektivë.

https://p.dw.com/p/Ar3z

Berlini ishte pikënisja e Luftës së Dytë Botërore, në verë 1939. Pesë vjet e gjysmë më vonë ajo u kthye mbrapsht - fuqishëm. 2,5 milion ushtarë, 41.600 topa, 6.300 tanke dhe 7.500 avionë kishte në dispozicion "Ushtria e Kuqe" në betejën vendimtare për kryeqytetin gjerman.

Ata ndeshën në as 100.000 ushtarë të stërvitur në çastet e fundit dhe keq, të mbështetur nga njësi të Volkssturm-it të krijuar nga fundi i luftës, si dhe nga punëtorë vullnetare e të detyruar, policë dhe zjarrfikës. Për këtë arsye mbrojtja e kryeqytetit të rajhut në ditët e fundit të luftës ishte që në fillim një ndërmarrje e pashpresë. Megjithatë u dha urdhëri i prerë që Berlini të mbrohej "deri në jetën e fundit".

Realitetin e fshihnin nazistët fanatikë. Të zënë në botën e tyre, pa marrë parasysh realitetet mbetjet e qarkut udhëheqës në Berlin vepronin pa mend në kokë. Thuajse 55 milionë jetë njerëzish kushtoi Lufta e Dytë Botërore e ndezur nga Gjermania, Evropa ishte bërë shkrumb e hi; por në prag të ofensivës ministri i rajhut për propagandën Joseph Goebbels i shpalli viktimat keqbërës.

"Lufta po i afrohet fundit. Çmenduria që i sollën fuqitë armike njerëzimit e ka kaluar tashmë kulmin e vet. Në të gjithë botën ajo lë vetëm një ndjenjë turpi e neverie."

Më 21 prill 1945 formacionet e para sovjetike nën drejtimin e marshall Zhukovit u gjendën në periferinë verilindore të Berlinit. Pak më vonë filloi goditja me artileri e lagjes qeveritare.

Në të njëjtën kohë trupa nën komandën e marshall Konjevit përparuan nga juglindja. Më 23 prill u desh të ndërpritej transporti publik nëntokësor, më 24 prill Berlini u bë me një komandant të ri, Helmuth Weidling.

Në kujtimet e gjeneralit të artilerisë thuhet: "Berlini nuk zotëronte asnjë njësi të rregullt, me përjashtim të regjimentit "Gjermania e Madhe" dhe të një brigade SS, e cila ruante kancelarinë e rajhut..."

Ndërsa më tej: "Berlini kishte rezerva ushqimesh dhe municioni për 30 ditë, por duke qenë se magazinat gjendeshin në periferi furnizimi po vështirësohej sa më shumë e ngushtonin rrethimin trupat ruse. Dy ditët e fundit nuk kishim as ushqime e as municion."

Më 25 prill 1945 rrethimi i qytetit ishte i plotë. "Lufta Totale" siç e kishte shpallur Goebbelsi nën duartrokitjet shungulluese të pasuesve të vet dy vjet më parë në pallatin e sporteve kishte ardhur tani edhe në Berlin.

"Führer urdhëro, ne të ndjekim!"

Gjersa trupat sovjetike përparonin nga ora në orë nazistët kontrollonin rrugët dhe varnin për frikësim në shtyllat e dritave dezertorë gjoja ose të vërtetë. Pas kamionëve të mobiljeve të mbushur me gurë djem 10-vjeçarë detyroheshin t'u kundërviheshin tankeve të ushtrisë së kuqe.

Po në 25 prill ushtarët sovjetikë dhe amerikanë u takuan në Torgau buzë Elbës. Ata duhet t'i tregonin opinionit botëror: Rajhu i Hitlerit u shkatërrua, aleatët kanë fituar.

Në Berlin sovjetikët merrnin rrugë pas rruge, shtëpi pas shtëpie. Vetëm në palën gjermane kjo betejë përfundimtare e pakuptimtë kushtoi më shumë jetë njerërish sesa të gjitha sulmet ajrore mbi qytet të marra së bashku. Përmasat e shkatërrimit u afroheshin dëmeve si pasojë e bombardimeve.

Komandanti i parë sovjetik i qytetit gjeneral-major Bersanin formuloi atëherë: "Aleatët kanë hedhur 65.000 tonë bomba; në dy javë kemi lëshuar 40.000 tonë granata."

Kjo mund të jetë e zmadhuar, por tregon përmasat e shkretimit.

Pesë ditë pasi rrethimi i Berlinit u mbyll, pra më 30 prill 1945, Adolf Hitleri bëri vetëvrasje në kancelarinë e rajhut; por edhe pas kësaj lufta nuk mori fund. Admirali i madh Dönitz morri përsipër komandën dhe njoftoi nëpërmjet radios:

"Gjermanë dhe gjermane, ushtarë të Wehrmacht-it gjerman". Udhëheqësi ynë Adolf Hitleri ka rënë. Populli gjerman përulet me respekt dhe pikëllim të thellë."

Pas kësaj gjithçka mori fund shumë shpejt. Pa kaluar 48 orë që nga vetëvrasja e Hitlerit komandanti Weidling urdhëroi ndërprerjen e të gjitha luftimeve në Berlin. Ushtria e Kuqe ngriti flamurin sovjetik mbi rajhstag në Berlin. Kështu llahtaria në Berlin mori fund, e pak ditë më vonë edhe në të gjithë rajhun.