1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

9 nëntori 1938 - Nata e pogromit

Cornelia Rabitz7 Nëntor 2008

Në natën e 9 nëntorit 1938 në mbarë Gjermaninë u shkatërruan institucionet hebreje, iu vu zjarri sinagogave, u poshtëruan, u keqtrajtuan dhe u burgosën, apo u deportuan në kampe përqëndrimi qytetarët hebrej.

https://p.dw.com/p/FpCE
1938 nazistët lejojnë 10000 fëmijë hebrej të largohen nga Gjermania. Shumë prej tyre ndahen përgjithmonë nga të afërmitFotografi: picture-alliance / dpa

Nata e progomit u propagandua si shprehje gjoja e "indinjatës spontane të popullore", por në të vërtetë ajo u inskenua dhe u drejtua me vetëdije të plotë prej nacionalsocialistëve.

Sfondi kishte të bënte me vrasjen e një diplomati gjerman në Paris nga polako-hebreu 17 vjeçar, Hershel Grynszpan. Ky i ri ishte i dëshpëruar për fatin e prindërve të tij, që bashkë me hebrej të tjerë polakë ishin deportuar në një zonë neutrale mes Gjermanisë dhe Polonisë.

Trazirat nga 9 deri më 10 nëntor, të quajtuara në gjuhën popullore disi të thjeshtëzuara si "nata e kristaltë" për shkak të thyerjes së shumë vitrinave, ishin një akt hakmarrjeje i nazistëve dhe pika kulmore e sulmit ndaj hebrejve në rajhun gjerman dhe në Austri. Qindra dyqane dhe magazina, shtëpi e sinagoga u dogjën, ose u shkatërruan tërësisht, dëmi i llogaritur ishte disa milionë marka të rajhut. Viktimat e pogromit u ndëshkuan dyfish prej nacionalsocialistëve. Nën pretekstin e zhdëmtimit ndaj vrasjes së diplomatit gjerman bashkësive hebreje u duhej të paguanin një haraç prej një miliardë markash të rajhut. Tregtarët duhej t´i riparonin dyqanet e tyre të shkatërruara me shpenzimet e veta, kësisoj u përshpejtua procesi i ashtuqjatur i "arianizimit", pra i shpronësimit të hebrejve.

Pogromi e nëntorit shënon edhe sot e kësaj dite një pikëkthese: Ajo hapi rrugën për asgjësimin e hebrejve në Gjermani dhe konsiderohet si hapi i parë drejt së ashtuquajturës "shfarosje" e hebraizmit në Gjermani - përmes vrasjeve masive në kampet e përqëndrimit.