1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të distancohet qeveria e re e Islandës nga BE-ja?

(dpa, reuter) Angelina Verbica29 Prill 2013

Islandezët votuan kundër qeverisë së qendrës së majtë. Kampi konservator i Bjarni Benediktsson fitoi shumicën absolute. Ai do t'i anulojë bisedimet me BE-në, të nisura nga qeveria e socialdemokrate.

https://p.dw.com/p/18OwR
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Islanda do të qeveriset përsëri nga një koalicion i qendrës së djathtë. Kampi konservator i Bjarni Benediktsson fitoi në zgjedhje shumicën absolute me 51,1%. Se kush do të jetë kryeministër, është ende e paqartë. "Situata duket e qartë", tha kryetari i partisë së Pavarësisë, Bjarni

Benediktsson. "Ne do të krijojmë koalicion me ato, me të cilët do të mund të qeverisim." Kryetari i partisë së Progresit, Sigmundur Gunnlaugsson, i tha agjencisë së lajmeve Reuters: "Nganjëherë partia me e fuqishme vendos kryeministrin, nganjëherë jo."

Sipas rezultateve të deritanishme partia e Pavarësisë ka 26,7%, partia e Progresit 24,4%. Të drejtë për votuar kishin 240 000 islandezë.

Masat e kursimeve i kushtuan socialdemokratëve qeverisjen

Socialdemokratët morën ndëshkim nga zgjedhësit për shkak të masave të rrepta të kursimeve dhe aspiratave për t'u pranuar në BE. Ato ranë në kuotën e 12,9 përqindshit. Kryetarja e qeverisë

Johanna Sigurdardottir e pati stabilizuar vendin pas krizës financiare dhe kolapsit bankar para afro pesë vjetësh. Socialdemokratët në vitin 2009 patën zëvendësuar partitë e qendrës së djathtë, të cilat qeverisnin prej gati 30 vjetësh.

Benediktsson premton distancimin nga politika e kursimeve

"Ne ofrojmë një rrugë tjetër, rrugën, që të çon drejt rritjes ekonomike, sigurisë sociale, në më shumë shërbime sociale dhe më shumë vende pune", i tha futbollisti i dikurshëm agjencisë së lajmeve Reuters. Partia e tij do të ulë taksat dhe të ngrejë standartin e jetesës. Përveç kësaj ai njoftoi negociata të vështira me kreditorët e huaj të bankave të rrënuara.

Pas një liberalizimi të sektorit bankar ishulli në Atlantikun e Veriut me 320.000 banorët e tij para dhjetë vjetësh u bë parajsë e sektorit financiar evropian. Bankat joshën me premtimet për interesa të larta në rradhë të parë investitorë nga Britania e Madhe dhe Holanda. Por në krizën globale financiare sektori bankar i stërmadh i Islandës u rrënua. Institutet Landsbanki, Kaupthing dhe Glitnir u rrënuan njëri-pas tjetrit në një kohë shumë të shkurtër dhe e sollën vendin në tetorin e 2008 në prangun e falimentimit.

Me një kurs shumë të rreptë kursimesh, që u vlerësua si shembullor nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) socialdemokratët arritën, që ta nxjerrin vendin nga kriza. Por rritja e taksave, sjellja e butë me kreditorët e huaj, si dhe rritja e borxheve të shtetit dhe një sërë gabimesh politike i kushtuan asaj me humbjen e popullaritetit.