1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do ta humbasë Londra rëndësinë si qendër financiare?

PP (dpa, rtrd, standard.at)11 Korrik 2016

Në radhët e investitorëve po shtohet pasiguria pas votës së britanikëve për të dalë nga Bashkimi Evropian dhe për këtë shkak ata po tërheqin paratë e tyre nga Londra.

https://p.dw.com/p/1JMSs
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Rain

Për shkak të frikës nga dizavantazhet apo dëmet e mundshme që mund të pasojnë prej Brexit-it investitorët ndërkombëtarë po tërheqin kapitalin nga Britania e Madhe. Po ashtu jo vetëm paundi britanik po bie nga vlera, por edhe çmimet e pasurive të patundshme janë nën presion.

Tri fonde miliardëshe pasurish të patundshme kanë pezulluar përkohësisht rishitjen e certifikatave për pjesë në kapital për të ndaluar një herë për një herë tërheqjen e parave nga ana e klientëve. Fillimisht këtë hap e ndërmori kompania e investimeve Henderson Globale me një fond prej 4.5 miliardë eurosh. Columbia Threadneedle dhe Kanada Life e ndoqën duke bllokuar gjithashtu pagesat.

Më parë firmat e investimeve Aviva dhe Standard Life kishte ngrirë dy fonde pasurish të patundshme. Për të shmangur pengesat në likuiditet, fondet e pasurive të patundshme mund të refuzojnë përkohësisht shlyerjen e certifikatave që të mos jenë të detyruara të shesin objektet nga nevoja.

Nevozitet në tregjet e bursës

Rënia e paundit britanik mund t'i shtyjë investitorët që t'i sheshin objektet apo fondet ku kanë investuar në Britaninë e Madhe. Në rënie janë si kurset e fondeve për pasuritë e patundshme edhe ato të bankave britanike. Të gjitha këto mund të shkaktojnë një rënie të çmimeve të pasurive të patundshme.

Großbritannien Börse in London Symbolbild
Fotografi: Reuters/T. Melville

Banka qendrore Britanike theksoi se nuk mund të bëhet fjalë për probleme likuiditeti në të gjithë sektorin e financave. Por analistët janë skeptikë, sepse në rast se mbyllen fondet e hapura, tregjet bëhen nervoze, ngaqë fondet e mëdha në fund mund të detyrohen t'i shesin pasuritë e patundshme me ulje çmimi për të paguar investitorët dhe kjo mund të çojë në uljen e çmimeve të pasurive të patundshme në të gjithë tregun.

Londra apo Frankfurti?

Qendrat e tjera financiare të Evropës si Parisi apo Frankfurti po përpiqen të përfitojnë prej gjendjes së pasigurt pas votës pro Brexit-it. Një numër bankash ndërkombëtare po i shmangen premtimit se do të vazhdojnë t'i mbajnë selitë e tyre dhe bashkë me to edhe vendet e punës në Londër. Ekziston frika se pas daljes nga BE-ja bankat britanike do të kenë kufizime në lidhje me qasjen në tregun e brendshëm evropian.

Por analisti i bursave Dirk Müller nuk beson se Londra do të humbasë rëndësinë si qendër financiare. "Londra është një organizëm kompleks i krijuar dhe rritur prej dekadash, me qindra e mijëra nyje dhe rrjete që janë të lidhura ngushtë me njëra tjerën." - tha analisti për gazetën "Der Standard". Londra nuk është një qytet me ca vende pune dhe ca linja telefonike, që mund t'i transferosh pa problem diku tjetër sipas qejfit, thotë eksperti.

City of London Bank of England and the Royal Exchange
Fotografi: picture alliance/Jean Brooks/Robert Harding

Po ashtu ai thotë se: "Gjuha ndërkombëtare e bankierëve është anglishtja dhe Londra flet anglisht. Pra a ka njeri që mund seriozisht të besojë se bota financiare do të vedoset tani në Frankfurt dhe ndoshta do të mësojë dialektin e Hesenit që flitet në Frankfurt ..?"

Londra parajsë edhe më interesante për bankat

Megjithatë Müller beson se ndoshta disa sektorë të bankave mund të transferohen për arsye juridike në Frankfurt. "Fjala është për disa mijë vende pune, pra maksimalisht tre për qind." thotë Müller. Por sipas tij pjesa më e madhe e vendeve të punës do të mbetet sigurisht në Londër dhe madje Londra do të tërheqë edhe më shumë kapital të ri dhe të vende të reja pune.

Specialisti i bursave Dirk Müller beson po ashtu se pasi të heqë prangat e Brukselit Londra do të pakësojë rregullat për bankat dhe do të ulë normat e taksave për sipërmarrjet. Në këtë mënyrë Londra do të bëhet një parajsë edhe më interesante për bankat nga ç'është tashmë deri tani.