1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220509 Studentenbewegung Stasi

26 Maj 2009

Vrasja e studentit Beno Ohnesorg prej një polici më 2 qershor 1967 në Berlinin Perëndimor nxiti radikalizimin e lëvizjes studentore. Historianët kanë gjetur tani dokumenta se polici ka qenë agjent i RDGJ-së.

https://p.dw.com/p/HxYp
Studentë në Mynih duke protestuar më 5.6.1967 për vrasjen e Beno Ohnesorg
Studentë në Mynih duke protestuar më 5.6.1967 për vrasjen e Beno OhnesorgFotografi: AP

Ai është besnik ndaj RDGJ-së, e lëvdonte Ministria e Sigurimit të Shtetit informantin e saj, Karl Heinz Kurras. Kjo lëvdatë nuk bëhej për ndonjë bashkëpunëtor jozyrtar, por për policin e Berlinit Perëndimor, i cili vrau në 2 qershor 1967 gjatë protestave për shkak të vizitës së Shahut Reza Pahlevi, studentin Benno Ohnesorg. Këtë mund ta lexosh në njërën nga dosjet e gjetura rastësisht të shërbimit të fshehtë të RDGJ-së.

Polici Kurras, punonjës i Sektorit të Mbrojtjes së Shtetit të Policisë së Berlinit Perëndimor u supozua se pati vepruar në vetëmbrojtje si polic dhe u shpall i pafajshëm për shkak të mungesës së dëshmive.

Studenti Benno Ohnesorg vrarë në Berlinin Perëndimor gjatë protestave për shkak të vizitës së Shahut Reza Pahlevi (2.06.1967)
Studenti Benno Ohnesorg vrarë në Berlinin Perëndimor gjatë protestave për shkak të vizitës së Shahut Reza Pahlevi (2.06.1967)Fotografi: picture-alliance / akg-images / Henschel

Sigurimi i shtetit i RDGJ-së: Nga Perëndimi socializimit t'i shërbesh shumë më mirë

Kurrasi ka pasur me sa duket një jetë të dyfishtë. Në mes të viteve 50-të ai donte të arratisej nga pjesa perëndimore e Berlinit në pjesën lindore. Sigurimi i shtetit i RDGJ-së e bindi që socializmit ai mund t'i bënte shërbime shumë më të mira që nga Perëndimi. Kurrasi nënshkroi një deklaratë angazhimi, u bë me bindje anëtar i partisë shtet, Partisë Socialiste të Unitetit të RDGJ-së, SED dhe që prej atij momenti punonte si polic i çështjeve kriminale në Berlinin Perëndimor. Njëkohësisht ai furnizonte me informacione Ministrinë e Sigurimit të Shtetit të RDGJ në Berlinin Lindor, prej së cilës shpërblehej për bashkëpunimin me kompensime financiare.

Historiani: Jam ndeshur me gjërat më të çmendura, po kurrë sa kjo

Historiani Helmut Myler Enbergs (Müller Enbergs), bashkëpunëtor shkencor pranë zyrës së të Ngarkuarit Federal për Dokumentat e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, ishte ai që i gjeti dokumentat për Kurrasin: "Unë sa nuk rashë nga karrigia prej habisë. Një gjë të tillë nuk e kam pasur kurrë në tryezën time. Jam ndeshur me gjërat më të çmendura, por që një polic i Berlinit Perëndimor në një pozicion kyç, të marrë nga sigurimi i shtetit i RDGJ-së para për një P38 me silenciator, një armë të kalibrit të vogël - këtë e ndesha për herë të parë në 17 vjet histori të Arkivit të Sigurimit të Shtetit të RDGJ."

Dosjet e "Stasit" nuk bëjnë fjalë për ndonjë vrasje me paramendim të studentit

Në një artikull për vëllimin "Arkivi i Gjermanisë", të cilin e zotëron radioja kombëtare gjermane, Deutschlandfunk, historiani Myler- Enbergs bën vlerësimin e serialit të dosjeve me 17 pjesë të Shtazit për Kurrasin, në të cilin vërtet gjen të dhëna për personin e policit, por jo për vrasjen e 26-vjeçarit Benno Ohnesorg.

Arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit në RDGJ
Arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit në RDGJFotografi: dpa - Bildfunk

Stacionit të Dytë Televiziv gjerman, ZDF, Myler- Enbergs i deklaroi: "Në akte nuk ka të dhëna për këtë. Dhe nuk të duket as bindëse, që ai do të vriste dikë. Ekziston vetëm shënimi se ai do të kishte qenë i gatshëm të kryente një detyrë përkatëse. Por një detyrë e tillë nuk gjendet në dokumenta."

Vdekja e studentit Benno Ohnesorg në vitin 1967 kontribuoi në mënyrë vendimtare në radikalizimin e lëvizjes studentore në fund të viteve 60-të. Në këtë përfundim arrijnë thuajse njëzëri kërkimet e historianëve të Republikës Federale të Gjermanisë. Për sekuencën e ngjarjeve, dokumentat e Shtazit heshtin. Që Kurrasi të ketë vepruar me paramendim, në këtë përfundim nuk mund të arrish në bazë të këtyre dokumentave.

Autor: Jacqueline Boysen/Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani