1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A duhet të paguajë Gjermania?

Jërg Sajselberg6 Qershor 2008

Një gjykatë në Itali i ka dhënë të drejtë një padie të ish punëtorëve me detyrim, të cilët kërkojnë nga Gjermania dëmshpërblim për vuajtjet e tyre gjatë kohës së nazizmit.

https://p.dw.com/p/EEvc
Vila Minjoni në Liqenin e Komos, pronë e qeverisë gjermane
Vila Minjoni në Liqenin e Komos, pronë e qeverisë gjermaneFotografi: AP

Ministria e jashtme në Berlin nuk do të shprehet, edhe ambasada gjermane në Romë i ka fjalët e pakta. Së pari thonë ata, duhet përkthyer dënimi dhe të vlerësohet nga juristët. Gjermania, siç duket, është befasuar nga vendimi i gjykatës më të lartë civile italiane. Gjykatësit italianë u kanë dhënë të drejtë disa dhjetëra ish-punëtorëve me punë të detyruar, të cilët kërkojnë nga Gjermania dëmshpërblim për kohën e vuajtjeve në fund të Luftës së Dytë Botërore. Deportimet në kampet gjermane të punës, thuhet në vendim, janë krim kundër njerëzimit.

Sipas qarqeve diplomatike në Romë është befasuese dhe deri tani e papërsëritshme në jurisprudencën ndërkombëtare, që Gjermania në proces nuk ka mundur të mbështetet në imunitetin shtetëror. Në bazë të këtij parimi të së drejtës ndërkombëtare, shtetet nëse veprojnë në kuadër të sovranitetit nuk mund të paditen nga qytetarë të shteteve të tjera. Sipas gjykatës më të lartë civile italiane ky parim nuk vlen në rastet e krimeve të luftës.

Nga vendimi në Romë, Gjermania rrezikohet të paditet nga më shumë se 100 000 ish-punëtorë me detyrim nga Italia. Për të zbatuar kërkesën e gjyqit mund të konfiskohet prona gjermane në Itali. Në procesin për rastin e viktimave greke të nazizmit në Itali është kryer regjistrimi me detyrim si hipotekë kundër qendrës kulturore gjermane Villa Vigoni në liqenin e Comos. Ky fat rrezikon edhe objektet e tjera gjermane, si p.sh. institutet Goethe, nëse ngrenë padi të tjerë ish-punëtorë me detyrim dhe viktima të nazizmit. Vetëm ambasadat dhe konsullatat janë të mbrojtura nga intervenimi i drejtësisë.

Konflikti, nese punëtorët italianë duhet të paguhen nga Gjermania ekziston që prej vitesh. Në vitin 2001 në bazë të një ekspertize ligjore rezultoi që italianët nuk marrin para nga fondacioni për dëmshpërblimin. Shkak i vendimit ishte se Gjermania naziste pas rrëzimit të Musolinit 1943 ka grumbulluar ushtarët ish-aleatë nga Italia. Dhe sipas kësaj ekspertize të qeverisë gjermane ata në bazë të së drejtës ndërkombëtare trajtohen si robër lufte dhe jo si punëtorë me detyrim.

Ky qëndrim i Berlinit është hedhur poshtë tani nga vendimi i Gjykatës së lartë civile italiane. Ekspertja e të majtëve në Bundestag, Ulla Jelpke, kërkon, që qeveria duhet të ndryshojë qëndrim dhe të vërë në dispozicion sa më parë dëmshpërblimin. Nga ana tjetër Manfred Gentz, anëtar i kuratoriumit i fondacionit për punën me detyrim,e quan vendimin nga Roma „jo të detyrueshëm“.

Nga ana ligjore Gjermania ka edhe një derë të hapur. Qeveria gjermane mund të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Shanset atje nuk janë të këqija, thuhet në qarqet diplomatike në Romë. Në shkurt 2007 Gjykata Ndërkombëtare ka forcuar parimin e autonomisë së shteteve, të cilin në procesin aktual e kanë hedhur poshtë gjykatësit italianë. Megjithë shanset e mira ligjore qeveria gjermane nuk duhet ta ketë të lehtë të thotë 'po' për padinë. Një proces i Gjermanisë kundër Italisë para Gjykatës Ndërkombëtare mund t´i rëndonte shumë marrëdhëniet gjermano-italiane.