1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A ekziston rreziku i krizës në marrëdhëniet gjermano-franceze, në rast të dështimit të referendumit të kushtetutës evropiane?

Andreas Noll28 Maj 2005

Të dielën, më 29 maj, francezët votojnë për referendumin e kushtetutës evropiane. Tre ditë më vonë janë në radhë hollandezët. Në të dy vendet kryesojnë anketimet kundërshtarët e kushtetutës. Në rast se francezët e rrëzojnë projektin e kushtetutës evropiane, atëherë analistët politikë parashohin një krizë politike për Evropën. Madje edhe marrëdhëniet gjermano-franceze mund të pësojnë një goditje

https://p.dw.com/p/ArEH
Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder bën thirrje pro kushtetutës evropiane në një nga aktivitetet e ithtarëve të kushtetutës
Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder bën thirrje pro kushtetutës evropiane në një nga aktivitetet e ithtarëve të kushtetutësFotografi: AP


Megjithë rezultatet mjaft domethënëse në favor të kundërshtarëve të kushtetutës, në Francë ithtarët e kushtetuës ende paraqiten me gjestet e fitimtarit. Udhëheqësja evropiane e të gjelbërve, Daniel Kohn-Behndit nuk bën më pjesë aty prej së dielës.

"Është gati e sigurtë, që francezët do t'i thonë Jo kushtetutës evropiane. Ata që janë kundërshtarë të kushtetutës ja kanë dalë mbanë, që këtë ballafaqim t'a kthejnë në një konfrontim ose për Evropën sociale ose për Evropën neoliberale."

Ata që janë kundërshtarë të kushtetutës synojnë që me Jo-në e tyre t'a bëjnë të ndryshojë projekti i kushtetutës aktuale. Por me këtë nuk vihet në rrezik projekti evropian, thekson Daniel Vernet, nga redaksia qendrore e së përditshmes Le Monde:

"Në Francë nuk ekziston opinioni, se duhet vënë në dyshim Evropa dhe i gjithë integrimi. Përkundrazi: Ata që janë për një Jo të kushtetutës shprehen madje se janë evropianë të mirë, por ata angazhohen për një Evropë më sociale, më politike dhe më transparente. Ata thonë se ne e duam Evropën, por një Evropë të llojit tjetër."

Por që Evropa tjetër të arrihet përmes rishikimit të kushtetutës, kjo nuk është realiste- venë në dukje analistët nga Brukseli. Madje edhe kryeministri francez, Zhan Pierre Raffarin e tha këtë javë qartë: Nuk do të ketë rishikim të kushtetuës.

Mos do të thotë kjo dështim për projektin e kushtetutës evropiane? Drejtori i Institutit për politikën evropiane në Berlin, Matias Jop vëren:
"Në rast se referendumi do të dështojë atëherë ne vihemi para një krize që duhet përfillur, sepse Franca nuk është një vend çfarëdo, por një nga vendët themeluese të Bashkimit evropian. Franca është angazhuar në mënyrë të veçantë për çështjen evropiane. Ne do të vihemi përballë krizës së ratifikimit, madje kjo do të rëndojë edhe marrëdhëniet gjermano-franceze."

Politikanët gjermanë u angazhuan seriozisht në fushatën për referendumin e kushtetutës evropiane në Francë. Si Ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher ashtu edhe kancelari, Gerhard Shrëder, bënë disa herë thirrje për votën pro kushtetutës evropiane. Duhet thënë këtu, se angazhimi gjerman në këto çështje ka traditë. Edhe në referendumin për Maastrichtin në vitin 1992 ishte kancelari Helmut Kohl, ai që u përpoq mjaft për të entuziazmuar francezët për marrëveshjen. Lidhja Gjermani-Francë dihet prej kohësh, se është promotori i Bashkimit Evropian. Po qe se dështon referendumi kjo do të thotë, se do të pësojnë goditje edhe marrëdhëniet ekskluzive gjermano-franceze.

Gjermania duhet në rast të dështimit të referendumit, pastaj të ndihmojë daljen e francezëve nga izolimi. Matias Jop për më tepër thekson:

"Ekziston ideja e unionit mbrojtës mes Francës dhe Gjermanisë. Por pse të mos jetë ky union, fillimisht një union social? Në këtë mënyrë mund të gjendet një zgjidhje edhe në rast të një rrëzimi të kushtetutës në Francë. Sepsë çështjet sociale do të ndihmonin në lulëzimin e tregut të brendshëm dhe të valutës. Po qe se kapet kjo temë, atëherë mund të ndërtohet diçka mes Gjermanisë dhe Francës, e cila pas disa vitesh mund të transmentohet, si një element politik në Bashkimin Evropian."

Por kjo është muzikë që mund të luhet vetëm në të ardhmen. Në një rast të tillë të dështimit, Gjermania dhe Franca duhet të veprojnë mbi bazën e marrëveshjes së Nicës. Nga Instituti për politikën evropiane në Berlin, Matias Jop:

"Unë mendoj, se në rast nevoje do të jemi para situatës, kur duam apo nuk duam do të duhet të mbetemi të kënaqur me marrëveshjen e Nicës, dhe varësisht nga zgjatja dhe intensiteti i krizës politike evropiane- gjë që varet cilet vende do të kundërshtojnë kushtetutën- atëherë do të gjendet një zgjidhje tjetër, me qëllim të shpëtimit të disa nga ideve dhe elementeve të kushtetutës."

Dhe këto elementë mund të jenë për shembull, posti i Ministrit të jashtëm evropian dhe ai i presidentit të Këshillit evropian, që zgjidhet çdo dy vjet.
E parë nga një perspektivë afatgjatë, në Bruksel do të ngadalësohet veprimtaria ligjore, sepse marrëveshja e Nicës, ashtu siç është favorizon bllokadat dhe jo arritjen e shumicës. Planet e diskutueshme mbi një thelb evropian apo për një votim të dytë duket se nuk do të bëhen realitet tek francezët plot vetëbesim.

Edhe kryeministri francez, Raffarin mund t'a kursejë mundimin për gjetjen e një plani B në rast të rrëzimit të kushtetutës. Ajo më e mundshmja në rast të një dështimi të referendumit, është dorëheqja e kryeministrit francez. Presidenti Shirak, i cili gjithashtu do të pësonte goditje nga referendumi ka bërë të ditur, se ai do të vazhdojë të qëndrojë në postin e tij. Por sigurimi nga ana e tij i një mandati të tretë si president i shtetit francez do të largohej edhe më tepër drejt horizontit.