1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A ka shpresa për të arritur një marrëveshje për programin atomik të Koresë së Veriut, apo bisedimet janë sërish të destinuara të dështojnë?

Rainer Sollich9 Gusht 2005

Bisedimet mes gjashtëpalëshe për programin atomik të Koresë së Veriut që po zhvillohen në Kinë u ndërprenë më 7 gusht për tri javë, për të rifilluar sërish më 29. gusht. Koreja e Veriut deklaroi zyrtarisht se është e gatshme që ne territorin e saj të mos ketë armë atomike, por nuk është e gatshme që të heqë dorë prej shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime civile, sikurse kërkojnë SHBA-të. Në bisedime marrin pjesë përfaqësues nga SHBA, Koreja e Veriut, Kina, Koreja e Jugut, Japonia dhe Rusia.

https://p.dw.com/p/ArOT
Pamje nga takimi i Pekinit
Pamje nga takimi i PekinitFotografi: AP

Trembëdhjetë ditë me radhë vazhduan bisedimet gjashtëpalëshe për programin atomik të Koresë së Veriut. Kaq të gjata dhe intensive ato nuk kanë qenë kurrë më parë. Por përfundimi s'lë vend për entuziazëm, sepse një kompromis i pranueshëm prej të gjitha palëve është ende tepër larg. Në vend të një dokumenti përfundimtar të gjitha palët vetëm se deklaruan që janë të gatshme të vazhdojnë bisedimet. Madje ato po përpiqen që tri javët e shtyrjes së bisedimeve t'ia shesin opinionit të gjerë si një sukses, sikur të mos mjaftonin vite të tëra që zhvillohen bisedime për të gjetur kohë për t'u menduar.

Fakti që asnjëra palë nuk dëshiron t'i konsiderojë bisedimet të dështuara dhe se palët do të mblidhen sërish në fund të gushtit në Pekin, të bën të shpresosh për një zgjidhje në të ardhmen. Por një gjë e tillë nuk është aspak e sigurt. Ndoshta kemi të bëjmë me një gjest kolektiv mirësjelljeje ndaj Kinës, sepse Pekini investoi edhe në këtë raund bisedimesh mjaft mjeshtëri diplomatike dhe prestigj.

Po ta shohesh me kujdes, duhet thënë se edhe Pekini dhe aq më tepër Uashingtoni gjithnjë e më tepër rrezikojnë që në pokerin për programin atomik të Koresë së Veriut të humbasin kredibilitetin e tyre diplomatik. Sidomos SHBA duket se janë të pafuqishme ndaj taktikave të Pjënjangut, që përmes kërkesave, propozimeve apo deklaratave kontradiktore, ka arritur statusin e një partneri bisedimesh të paparashikueshëm. Tek e fundit nuk është as e sigurt nëse Koreja e Veriut ka vërtet armë bërthamore, sikurse pretendon, apo vetëm nëse do të ishte "vetëm" e gatshme që në të ardhmen të prodhojë të tilla. Një gjë është e sigurt, çdo shtyrje e mëtejshme është në favor të regjimit të Koresë së Veriut dhe të planeve të tij për armë bërthamore. Përveç parketit diplomatik SHBA nuk kanë mjete të tjetra për ta ndaluar një zhvillim të tillë. Një ndërhyrje ushtarake si në rastin e Irakut do të ishte tepër e rrezikshme, sepse në një rast të tillë Koreja e Veriut, e cila është mjaft e armatosur mund të hidhte në përdorim edhe armë bërthamore që do ta bënin shkrumb e hi, Korenë e Jugut.

Pra në rast se duhet shmangur një konflikt ushtarak, atëhere e vetmja që mund t'u vijë në ndihmë amerikanëve është Kina. Mjetet e presionit që ka në dorë Kina ndaj Pjënjangut nuk duhen nënvleftësuar. Rreth 90% e nevojave të Koresë së Veriut për energji elektrike si dhe rreth një e treta e importeve ushqimore vijnë prej Kinës. Pekini vazhdon të jetë i tërhequr për ta përdorur në mënyrë ofensive këtë potencial për të bërë presion ndaj Koresë së Veriut. Shkaqet për këtë janë të ndryshme, lidhjet e vjetra komuniste, frika prej refugjatëve koreanoveriorë, ose sepse Pekini është mosbesues ndaj interesave gjeostrategjike të SHBA-ve në rajon.

Gjithsesi edhe Kina duhet ta ketë dalëngadalë të qartë se një regjim që torturon njerëzit, i lë ata të vdesin urie, përfiton deviza prej tregëtisë së drogave apo kontrabandës së armëve, flak prej vendit sipas qejfit inspektorët ndërkombëtarë të energjisë bërthamore dhe nuk lejon asnjë vëzhgim ndërkombëtar të proceseve të tij politike, nuk duhet të lejohet të përdorë energjinë bërthamore as për qëllime gjoja civile, pa respektuar pa asnjë devijim të gjitha detyrimet e marrëveshjes botërore për ndalimin e armëve bërthamore.

Sado për t'u kritikuar që të jetë politika e jashtme amerikane edhe në Azinë Lindore në një pikë SHBA-të kanë të drejtë: një Kore Veriore e armatosur me armë bërthamore nën drejtimin e Kim Jongut II, përbën rrezik për të gjithë rajonin.