1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A kemi shkelje të të drejtave të njeriut nëse qytetarëve nuk u mundësohet të rivotojnë në qendrat e votimit ku anulohen rezultatet e zgjedhjeve?

30 Nëntor 2009

Shoqëria civile në Kosovë thotë se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, kurse ekspertët ligjorë thonë se ligji parasheh përsëritje të votimeve vetëm nëse rivotimi mund të ndikojë në rezultat.

https://p.dw.com/p/KkyJ
Kosova voton
Fotografi: AP

Komisioni zgjedhor për ankesa dhe parashtresa është ende duke shqyrtuar disa ankesa të partive politike të cilat pretendojnë se u janë humbur votat e tyre për shkak të parregullsive gjatë votimeve për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Mirëpo komisioni thotë ankesat e bëra nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve që tashmë është shpallur dhe komisioni nuk e sheh të arsyeshme që të ketë rinumërim të votimeve apo përsëritje të votimeve. Ky komision për shkak të parregullsive der tani anuloi rezultatet e zgjedhjeve në 15 qendra votimi, tetë nga të cilat ishin vetëm në qytetin e Gjakovës. Eksperti ligjor në komisionin zgjedhor për ankesa, Tahir Rrecaj, i tha DW-së, se ligji për zgjedhjet parasheh rinumërim apo përsëritje të votimeve vetëm atëherë kur besohet se votat në një qëndër të caktuar votimi mund të ndikojnë në rezultat.

“Përsëritja e zgjedhjeve në ato vendvotime do të ishte e kotë, do të kishte shpenzime të panevojshme materiale, humbje kohe dhe rezultati nuk do të ishte ndryshe nga ai që është konstatuar nga KQZ-ja, prandaj ligji për zgjedhjet përcakton se përsëritja e votimeve në ndonjë qendër votimi mund të bëhet vetëm në qoftë se ajo përsëritje e zgjedhjeve do të ketë ndikim ne rezultat dhe certifikimin e tyre”, - thotë Tahir Rrecaj.

Shoqëria civile thotë se anulimi i rezultateve në një qendër votimi mund të bëhet për shkak të parregullsive, mirëpo nuk është e drejtë që mos të ketë përsëritje të votimeve. Kështu thotë Ismet Kryeziu, i cili udhëheq një rrjet organizatash joqeveritare, që ishin të angazhuara në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit.

“Një vendim i tillë, i cili nuk u mundëson qytetarëve që t'u njihet çdo votë dhe nuk mundëson që çdo votë të ketë peshë, është shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut. Prandaj institucionet nuk duhet të lejojnë që për përgjegjësinë e dy-tre ose 20 apo 30 votuesve të mos u ofrohet mundësia qytetarëve që të votojnë serish”, - thotë Ismet Kryeziu.

Eksperti ligjor në komisionin zgjedhor për ankesa, Tahir Rrecaj, thotë se shoqëria civile ka të drejtë kur mbron çdo votë të qytetarëve, mirëpo, nëse pas zgjedhjeve komisioni merr një vendim dhe dikush nuk është i kënaqur më atë vendim, ka mekanizma të tjerë ligjorë ku mund të bëhen ankesa. “Mund të jetë, nëse ata pretendojnë se janë shkelur të drejtat e njeriut, atëherë ka mekanizma të tjerë ligjorë në kërkim të mbrojtjes së të drejtave të tyre”, thotë Tahir Rrecaj.

E pakënaqur me vendimin e komisionit zgjedhor për ankesa, ku u anuluan votat e tetë qendrash votimi në Gjakovë ka qenë kandidatja për kryetare në këtë komunë, Mimoza Kusari. Ajo tashmë ka bërë një ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, për vendimin e komisionit për ankesa, por Gjykata Supreme akoma nuk ka dalë me vendimin.

Sidoqoftë megjithë parregullsitë e shënuara në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, nga vëzhguesit ndërkombëtarë zgjedhjet u cilësuan të drejta. Megjithatë vezhguesit ndërkombëtarë nga rrjeti i organizatave, ENEMO, thanë se listat e votuesve në Kosovë duhet ripërpunuar, sepse ka me mijëra persona të vdekur që akoma figurojnë në listat e votimeve dhe kjo sipas tyre lë hapësirë për manipulime.

Autor: Bekim Shehu
Redaktor: Pandeli Pani