1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të ndalet programi bërthamor i Iranit përmes rezolutave?

Ulrih Pik26 Shkurt 2007

Në prag të takimit 5 + 1 në Londër

https://p.dw.com/p/ArJN
Frank Walter Steinmeier dhe Margaret Beckett takohen në Londër për të biseduar për Iranin
Frank Walter Steinmeier dhe Margaret Beckett takohen në Londër për të biseduar për IraninFotografi: AP

Herë kulaçin dhe herë kërbaçin është duke përdorur qeveria e ShBA në adresë të udhëheqjes në Teheran. Ndërsa ministrja e jashtme e ShBA, Kondoliza Rajs, i josh mullahët për rivendosjen e marrëdhënieve direkte, në rast se ndërpresin procesin e pasurimit të uranit, zëvendëspresidenti, Dik Çenej kërcënon pa u lodhur që të gjitha opcionet janë të hapura, madje edhe një goditje ushtarake.

Po kaq të ndryshme janë edhe sinjalet që vijnë nga Teherani lidhur me konsultimet që zhvillohen sot në Londër midis pesë fuqive me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit dhe Gjermanisë për hartimin e një rezolute të OKB-së.

Katër ditë pas skadimit të ultimatumit të OKB-së dhe raportit që pasoi për Iranin nga Agjencia Ndërkombëtare Atomike në Vjenë nga Teherani po dëgjohen sinjale të ndryshme. Kështu presidenti i Iranit të dielën më 25 shkurt theksoi se republika islamike do të vazhdojë programin e vet bërthamor dhe nuk do të stepet në këtë drejtim. "Ne i kemi hequr frenat trenit tonë atomik" - kështu u shpreh Mahmud Ahmedinexhadi. Më të zbutura ishin tonet që përdori në të kundërt ish-presidenti Akbar Hashemi Rafsanxhani. Edhe ai u shpreh për vazhdimin e programit atomik, por rekomandoi që të hiqet dorë prej kursit të konfrontimit me Perëndimin: "Unë ju them juve në Perëndim fare qartë, që me rezoluta nuk mund të arrini asgjë. Me këto juve vetëm sa i krijoni më shumë probleme vetes dhe veçanërisht rajonit tonë. Rruga e drejtë është që t´i jepet fund këtyre veprimeve të pakuptimta."

Edhe shefi i delegacionit të Iranit në bisedimet për programin bërthamor Ali Larixhani mendon, se programi atomik nuk mund të ndalet përmes rezolutave. Ai do që të vazhdojnë përpjekje diplomatike, sepse kjo, sipas tij, është e vetmja rrugë e sukseshme: "Problemi atomik i Iranit nuk është në thelb kaq i komplikuar, sa për të mos u zgjidhur. Megjithatë ka dy rrugë: ose mund të bësh që të shkallëzojë konflikti, gjë që nuk e zgjidh problemin, ose mund të shtohen problemet anësore që mund t´i ndjejnë të dyja palët."

Që Larixhani bën fjalë për shkallëzim kjo ka arësye, sepse vazhdimisht flitet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake ndaj Iranit. Këtë e theksoi si një opcion të hapur në fundjavë edhe zëvendëspresidenti i ShBA, Dik Çenej. Si kundërpërgjigje nga Teherani u theksua, se Irani është i përgatitur për një sulm eventual.

Qëllimi i takimit të sotëm në Londër është një rezolutë e mëtejshme për Iranin. Midis pesë fuqive me të drejtë vetoje dhe Gjermanisë ka mendime të përbashkëta, u tha nga Londra sa i përket pozicioneve në përgjithësi. Palët janë të një mendjeje, se Irani tani duhet të ndërmarrë hapat e duhur në mënyrë që të rifitojë besimin lidhur me qëllimet nukleare.

Rezoluta e fundit 1737 u dëshmua si e papërshtatshme. Irani nuk i ka përmbushur dhe as ka ndërmend që t´i hedhë hapat e kërkuar për ndërprerjen e procesit të pasurimit të uranit. Të paktën një gjë të tillë Irani nuk e bën nën presionin që u mundua të ushtrojë ministrja e jashtme e ShBA, Kondoliza Rajs, prej nga ajo u tërhoq më pas. Ish-ambasadori gjerman në OKB, Gunter Pleuger mendon, se për ta vënë në lëvizje Teheranin duhet mbështetur më shumë tek garancitë për sigurinë se sa tek sanksionet e reja. Kjo është një linjë që pritet ta mbrojë sot kryesisht përfaqësuesi i Rusisë. Njeriu i Moskës në Nju Jork, ambasadori në OKB Vitali Çurkin i refuzon në mënyrë rigoroze masat e mëtejshme ndëshkuese. Ndaj është e pasigurt, nëse kushtet që parashtron kryesisht Uashingtoni, Parisi dhe Berlini do të mbeten në fuqi. Mihael Shefer drejtor politik pas raundit të fundit të gjashtë vendeve lidhur me Iranin deklaroi: "Eshtë e nevojshme që të pezullohen, os etë ndalohen aktivitetet e ndryshme relevante për pasurimin e uranit në rast se ne duam të kthehemi në rrugën e bisedimeve."

Bazë për bisedimet e sotme të gjashtë vendeve do të jetë rezoluta e krishtlindjeve, përmes së cilës mbeten në fuqi të gjitha sanskionet.