1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të shpëtohet Europa?

Andreas Becker/Davos24 Janar 2016

Kriza e refugjatëve, terrori, rritja e dobët ekonomike - në Forumin Botëror Ekonomik në Davos politikanë të lartë europianë diskutuan mbi sfidat e mëdha të Europës aktualisht: Një pamje pesimiste.

https://p.dw.com/p/1Hiok
Weltwirtschaftsforum Davos 2016 - Panel "The Future of Europe"
Fotografi: Reuters/R. Spich

Forumi Botëror Ekonomik në Davos që zhvilloi punimet nga data 20-23 janar, me pjesëmarrjen e elitës politike dhe ekonomike botërore, gjithsej 2.500 vetë kishte në fokus krizën e refugjatëve dhe sfidat e Europës . Kryeministri francez, Manuel Valls paraqiti një pamje pesimiste „Projekti europian mund të ndërrojë jetë së shpejti“, tha Valls, „jo për disa dhjetëvjeçarë ose vite, por shumë shpejt.“ Vendimtare është që Europa të gjejë një rrugë të përbashkët për të mbajtur nën kontroll problemet e sigurisë për shkak të terrorizmit. Edhe kriza e refugjatëve mund të zgjidhet vetëm po të jemi të bashkuar. Por veprimi i njëanshëm i Austrisë për mbylljen e kufijve, tregon edhe njëherë qartazi se sa të pabashkuar janë europianët aktualisht.

Ndërkohë që koha nuk pret, tha kryeministri holandez, Mark Rutte. „Kemi vetëm gjashtë deri në tetë javë për ta vendosur nën kontroll imigracionin“, tha Rutte. Në janar të vitit të kaluar erdhën në Europë 1600 refugjatë, vetëm në tre javët e këtij viti kanë ardhur 35.000 refugjatë, sipas Rutte. „Kur të vijë pranvera, do të rritet në mënyrë drastike numri i refugjatëve – këtë nuk e përballojmë dot më.“

Schweiz Weltwirtschaftsforum 2016 Davos Manuel Valls
Kryeministri francez, Manuel VallsFotografi: Reuters/R. Sprich

Plan Marshall për Lindjen e Afërt

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble propozon një program miliardësh investimesh e pikërisht në rajonet nga vijnë refugjatët. Kjo mund të çojë në „uljen e presionit tek kufijtë e jashtëm europianë në atë mënyrë që Europa të mos kthehet në një fortesë.“ Ky do të ishte turp për Europën, thotë kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Për europianët që edhe tani lëngojnë nën kursin e kursimeve, kjo do të thotë një kosto tjetër e lartë. “Do të na kushtojë, shumë më tepër se sa kemi menduar deri më tani”, tha Schäuble. “Kemi menduar se problemet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme e në Afrikë nuk janë problemi ynë. Tani shohim, po është problemi ynë. Problemi ynë europian.“ Këtë krizë të re Schäuble nuk e sheh si shkas për t'u larguar nga kursi i reformave, që ai e mbron prej vitesh. “Shqetësimi im është se ne të gjithë në Europë nuk e kuptojmë si duhet sfidat që dalin nga tempoja e zhvillimit global.”

Schweiz Weltwirtschaftsforum 2016 Davos Manuel Valls Tsipras und Rutte
Davos: Kryeministri holandez Mark Rutte (majtas)Fotografi: Getty Images/AFP/F. Coffrini

Më shumë reforma, më shumë konkurencë

Edhe kryeministri holandez Rutte kërkoi më shumë reforma për të qenë konkurrues. Dy të tretat e ekonomisë europiane nuk janë liberalizuar, thotë ai. Në sektorin digjital, energjitk dhe të shërbimeve, në profesionet e mbrojtura e tregun e kapitalit ka shumë kufizime. Po qe se këto pengesa rrëzohen dhe krijohet vërtet një treg europian i njësuar, atëherë kapaciteti ekonomik i Europës do të rritej me 1,25 bilionë euro, kjo i përgjigjet gati prodhimit të brendshëm bruto të Holandës.

Një parantezë e ardhur në momentin e duhur për kryeministrin britanik, David Cameron, i cili në Davos theksoi edhe njëherë se sa të nevojshme janë reformat. „Ne çalojmë shumë mbrapa Shteteve të Bashkuara përsa i përket teknologjisë dhe produktivitetit. Duhet të rrisim aftësinë e konkurrencës të firmave dhe ekonomive tona dhe jo ta zvogëlojmë atë.“

Cameron u shpreh se ai shpreson në një ujdi për reforma në BE deri në samitin e ardhshëm në shkurt. Po qe se deri atëherë “kemi një deal të mirë, do ta pranoj“, tha Cameron. Dhe vetëm atëherë kryeministri britanik do të angazhohet me të gjitha forcat që Britania e Madhe të qëndrojë në BE.