1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A rrezikohet Kosova nga terrorizmi?

11 Gusht 2009

Autoritetet në Prishtinë thonë se Kosova nuk është e rrezikuar nga sulme terroriste. Por njohës të çështjeve të sigurisë thonë se Kosova nuk mund të jetë vend imun ndaj këtyre sulmeve.

https://p.dw.com/p/J7kw
A rrezikohet Kosova nga terrorizmi? Në foto: nje person me maske dhe ne sfond flake
A rrezikohet Kosova nga terrorizmi?Fotografi: DW

Autoritetet kosovare: nuk ka indikacione për rrezikim të Kosovës nga sulmet terroriste

Zyrtarë të policisë së Kosovës thonë se vendi nuk është i rrezikuar nga sulme terroriste dhe ata nuk kanë indikacione për një gjë të tillë. Për një gjendje stabile të sigurisë është shprehur edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Këtë vlerësim për stabilitet ai e mbështet në angazhimin e forcave paqeruajtëse, policisë së misionit EULEX dhe policisë së Kosovës. Mirëpo analistë dhe ekspertë për çështje të sigurisë thonë se Kosova nuk mund të jetë një vend imun ndaj aktiviteteve terroriste. Kjo sepse terrorizmi tashmë është shqetësim në shkallë globale. Këto konstatime bëhen pas arrestimit të fundit nga autoritetet amerikane të kosovarit Hysen Sherifi, nga Gjilani, i cili jeton në SHBA. Kosovari 24 vjeç akuzohet së bashku me një grup personash prej autoriteteve amerikane për terrorizëm. Ai akuzohet edhe se ka udhëtuar në Kosovë për t'u angazhuar në xhihad të dhunshëm. Besim Hoti, zëdhënës i policisë së Kosovës, thotë megjithatë se Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet eventuale terroriste.

“Nuk parashihet ndonjë situatë shqetësuese. Ne nuk kemi indikacione për sulme të tilla të mundshme. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk ka nevojë që të shqetësohen për këtë”, tha Hoti.

Qirezi: "Kosova nuk mund të jetë një vend imun ndaj aktiviteteve terroriste"

Mirëpo njohës të çështjeve të sigurisë thonë se Kosova, si edhe shumë shtete të tjera nuk mund të jetë imune ndaj terrorizmit global. Kështu shprehet Arben Qirezi, njohës i çështjeve të sigurisë.

“Kur terrorizmi vepron globalisht, kur në celula të ndryshme terroriste janë të përfshirë nga vende të ndryshme dhe kur këto celula mund të krijohen e zhvillohen në vende të ndryshme, as Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë imune nga rreziqet që i sjell terrori trans-nacional. Mund të ketë edhe brenda në Kosovë njerëz me agjenda, të cilat nuk janë në interes jo vetëm të Kosovës, por të zhvillimit njerëzor, që përpiqen të fitojnë mendjen dhe zemrat e të rinjve në Kosovë”, shprehet Qirezi.

Ministri Pajaziti: nuk ka indikacione se në Kosovë ka aktivitete terroriste dhe se ajo rrezikon shtete të tjera

Rasti i arrestimit të kosovarit 24 vjeç, të akuzuar nga autoritetet amerikane për terrorizëm, i ka nxitur autoritet e Serbisë të deklarojnë se shteti i tyre është i rrezikuar nga terroristë shqiptarë që vijnë nga Kosova. Kështu është shprehur ditë më parë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Mirëpo, ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti i hedh poshtë këto akuza.

“Nuk kemi asnjë shenjë më të voglën që ka treguar se në Kosovë ka aktivitete për sulme terroriste, dhe aq më tepër që Kosova është rrezik për shtete të tjera. Deklaratat e tilla nuk i kontribuojnë përpjekjeve të përgjithshme për stabilitet rajonal”, thotë ministri Pajaziti.

Sidoqoftë, zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës thonë se vendi tashmë ka një politikë të qartë dhe strategji në luftën kundër terrorizmit. Për zbatimin e kësaj politike, ata bashkëpunojnë me të gjitha strukturat e sigurisë, si edhe me forcat paqerujatëse. Një njësit i policisë së Kosovës dhjetë ditë më parë ka marrë përgjegjësitë nga njësiti kundër terrorizmit i policisë së misionit EULEX.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi